Është mbledhur sot në 13 shkurt Komisioni për Reformën Zgjedhore.
Fillimisht foli bashkëkryetari i Komisionit Oerd Bylykbashi. Ai deklaroi se reforma zgjedhore duhet që të ketë parasysh një sërë çështjesh problematike.
“Ekspertët duhet të hartojnë një listë çështjesh, që janë më delikate. Sot kemi pushtim të zgjedhjeve nga shteti, është problematikë dominante. Kur flas për pushtim të zgjedhjeve nga shteti, flas nga përdorimi i individëve në proces deri tek mënyrat e makinerisë shtetërore. Edhe vota e diasporës ka cenuar besimin në rezultatin zgjedhor, kemi administrimin zgjedhor, që duhet të shikohen me kujdes. Duhen parë dhe burimet e partive, që a janë burimet e pastra, që nuk i bëjnë vunerable ndaj presioneve. Transparenca në shpenzim e raportim duhet parë gjithashtu. Duhet të zgjedhim zgjidhjen më të mirë nga organizatat ndërkombëtare. Zgjidhja të jetë e mbrojtur në aspektin legjislativ, që do të thotë se konsensusi duhet të jetë i plotë, që partia në pushtet mos të bëjë ndryshime kur të dëshirojë”, u shpreh ai.
Ndërsa, bashkëkryetari nga PS Damian Gjiknuri tha se gjithçka do të ndodhë duke u koordinuar me organizatat ndërkombëtare. Ai iu bëri thirrje partive politike, që të marrin pjesë në tryezë.
“Produkti do i shkojë në fund edhe Komisionit të Venecias. Ekspertët e ODIHR do të jenë ata që do të shikojnë të gjitha pikat. Edhe BE ka shprehur gatsishmërinë për të na asistuar. Edhe ne duhet t’i ftojmë që të shprehin ekspertizën e tyre, për të parë modele sesi funisiononojnë në vende europiane. Çdo gjë duhet të jetë transparente në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare të specializuara në këto çështje. Edhe partitë e tjera duhet të vijnë në tryezë. Duhet të kontribuojnë për formulën në reformën zgjedhore. Kanë të njëjtat të drejta për të propozuar drafte apo zgjidhje të caktuara dhe të komunikojnë çdo gjë me ekspertët, për çdo gjë që ata e mendojnë se është e drejtë”, deklaroi Gjiknuri.
Bylkbashi shtoi se problemet kryesore vijnë nga problemet e mazhorancës.











