I ftuar në emisionin “3D” nga Alban Dudushi, gazetari Flogert Muça komentoi zhvillimet në opozitë dhe debatet për përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet vendore.
Sipas Muçës, opozita duhet të ketë të qartë dhe të vendosur kandidatët për kryetar bashkie të Tiranës dhe për kryeministër, duke dalë me figura politike që, përballë forcës së mazhorancës, sipas tij të jenë në gjendje të krijojnë një thyerje të madhe elektorale dhe të përballojnë çdo ndërhyrje.
“Gara politike është një garë politike dhe Partia Demokratike doli dhe argumentoi që Flor Binaj, edhe pse nuk është kandidaturë politike, atëherë lidershipi i PD doli dhe tha që të kemi një kryetar bashkie të qytetarëve dhe jo domosdoshmërisht politik, partiak. Tani ka një hap mbrapa, rikthehen. Më herët na thanë që na duhet një figurë gjithëpërfshirëse. Pavarësisht se thanë që kemi kandidatë plot, ishte një kohë e shkurtër dhe kandidatët ngurronin të futeshin në garë. Ali Mehmeti thoshte ushtria nuk është gati, pra duhet strukturim i partisë që unë pastaj të shkoj në betejë me ushtrinë e gatshme.
Nuk ka ndryshuar asgjë dhe e vetmja gjë që do ndryshojë tani, sot që flasim, Sali Berisha u ka thënë Agron Shehaj, Adriatik Lapajt apo të tjerëve që jo lëvizje bashkë. Ne do dalim me kandidatë më vete dhe për mua duhet të kenë një kandidat politik, por për kontekstin dhe për fuqinë që ka mazhoranca duhet një kandidat që të ketë një thyerje shumë të madhe që të mundë çdo ndërhyrje. Opozita duhet të ketë kandidatin për kryetar bashkie dhe për kryeministër në tavolinë”, tha Muça.











