Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi ka deklaruar në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH1 se forca politike ku ai bën pjesë nuk ka një emër të përveçëm si kandidat për kreun e Bashkisë së Tiranës në zgjedhjet e ardhshme vendore të vitit 2027.
Sipas Baçit, kandidatura e mëparshme, Florian Binaj ishte zgjedhja e duhur por pas pezullimit të procesit nga Gjykata Kushtetuese, tashmë Partia Demokratike nuk ka menduar për një kandidat konkret.
“Jo nuk ka një diskutim të kësaj natyre sepse kaloi ajo faza e parë ku kishte një emergjence për bashkinë e Tiranës dhe Partia Demokratike menjëherë iu afrua elektoratit me një zgjidhje të shkëlqyer në atë kohë por pezullimi që i bëri Gjykata Kushtetuese e ndaloi si proces dhe tashmë nuk kemi asnjë gjë ligjore, kushtetuese, për të menduar për një kandidaturë apo për mënyrën se si do të zhvillohen zgjedhjet”, u shpreh Baçi.
Ai vuri në dukje se për përzgjedhjen e emrit të kandidatit për Bashkinë e Tiranës do të zhvillohen diskutime dhe do të kalojë në një proces vendimmarrje.
“Nuk hyjmë dot në emra të përveç, gjykuam në atë kohë që duhet të ishte si kandidaturë (Florian Binaj), tashmë do të ketë vendimmarrje të tjera, diskutime më të zgjeruara për mënyrën se si mund të zhvillohet një proces i tillë për të qenë sa më efektiv dhe sa më rezultativ”, tha Baçi.
Megjithatë, deputeti i PD-së shpjegoi se kandidatura do të jetë politike dhe mundësisht nga forca politike që ai bën pjesë. Por e gjitha kjo sipas tij, do të realizohet pas një konsensusi të gjerë të të gjithë forcave opozitare.
“Pak rëndësi kanë emrat e përveçëm, patjetër do të ketë diskutime të kësaj natyre për të gjetur një konsensus sa më të gjerë. Por mendoj se PD-ja është lokomotiva e opozitës, dhe mendoj se përfaqësimi duhet të jetë politik i Partisë Demokratike, por me konsensus të gjerë të të gjithë forcave opozitare”, nënvizoi më tej Baçi.











