Kryeministri i Suedisë, Stefan Lofven ka folur në ditën e fundit të fushatës elektorale mbi rrezikun e ekstremizmit dhe fashizmit.
Duket se as partia e tij Social Demokrate e qendrës së majtë dhe as partia e qendrës së djathtë nuk do të mund të marrë shumicën e votave. Ndërsa partia anti-emigracion Demokratët Suedezë pritet të fitojë rreth 20% të votave, duke u bërë kështu partia e dytë më e madhe në Parlament.
Kryeministri tha se një votë për Demokratët Suedezë ishte e “rrezikshme”, dhe se kjo do të ishte si të “duash të shuash zjarrin me alkool”.
Emigracioni ka qenë një çështje qendrore e fushatës elektorale.
Të shtunën, lideri i partisë Demokratët Suedezë, Jimmie Akesson tha: “Suedia ka qenë një vend ekstrem në shumë drejtime, jo vetëm kur bëhet fjalë për emigracionin”, dhe se plani i tij për të marrë më pak emigrantë mund të konsiderohet si “politikë normale edhe për pjesën tjetër të Evropës”.
Kjo parti prej vitesh është parë si e lidhur me grupet neo-naziste dhe të tjera të ekstremit të djathtë, ndërsa tradicionalisht është përpjekur që të tërheqë njerëzit e klasës punëtore.
Synimi i saj momentalisht është që të tërheqë më shumë femra dhe sa më shumë votues me nivel edukimi të lartë.