Policia e Kukësit ka njoftuar planin e masave të ndërmarra për garantimin e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor për kryebashkiakun e ri që do zhvillohet nesër (24 shtator).
Në procesin zgjedhor janë të angazhuar 99 punonjës policie, të cilët do të sigurojnë materialet zgjedhore në 74 qendrat e votimit dhe në vendnumërimin e votave prane KZAZ-së nr. 11 Kukës.
Ndërkohë, për garantimin e rendit dhe qetësisë publike janë anagazhuar dhe 78 punonjës të tjerë policie.
Policia e Shtetit informoi se garanton “qytetarët se ka ndërmarrë të gjitha masat, që e drejta e tyre kushtetuese për zgjedhjen e drejtuesit të pushtetit lokal, të ushtrohet e lirë, e qetë, e pacenuar dhe e paintimiduar prej askujt”.
Njoftimi i zv.drejtori për Rendin dhe Sigurinë Publike, Kujtim Gjoka
Jam sot, këtu, për të bërë prezente masat e ndërmarra nga Drejtoria Vendore e Policisë Kukës dhe Komisariati i Policisë Kukës, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë ditës së votimit, garantimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të subjekteve që marrin pjesë në këtë proces, si dhe për ruajtjen e objekteve dhe të materialeve që do t’i shërbejnë këtij procesi.
Policia e Shtetit, në zbatim të ligjit “Për Policinë e Shtetit” dhe të detyrimeve ligjore që janë përcaktuar në Kodin Zgjedhor, ka ndërmarrë një sërë masash që prej fillimit të procesit, masa të cilat janë ndjekur dhe po zbatohen në të gjitha fazat deri në përfundim të procesit zgjedhor.
I gjithë personeli policor i angazhuar me detyra gjatë procesit zgjedhor është i trajnuar për detyrat që ka dhe kryen Policia e Shtetit gjatë procesit zgjedhor.
Është miratuar nga KQZ-ja, lista e punonjësve të Policisë që do të angazhohen në procesin zgjedhor.
Në këtë proces zgjedhor janë të angazhuar 99 punonjës policie që do të sigurojnë materialet zgjedhore në 74 qendrat e votimit dhe në vendnumërimin e votave prane KZAZ-së nr. 11 Kukës.
Gjithashtu, për garantimin e rendit dhe qetësisë publike, në vazhdimësinë e shërbimeve që kryen Policia e Shtetit çdo ditë, janë anagazhuar dhe 78 punonjës të tjerë policie.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës dhe të Komisariatit të Policisë Kukës janë tejet të vendosura dhe të angazhuara për të mbajtur në kontroll të plotë të gjithë territorin, me qëllimin e vetëm, sundimin e ligjit.
Në këtë kuadër apelojmë për të gjithë qytetarët dhe subjektet e përfshira në këtë proces, që të respektojnë plotësisht të gjitha detyrimet ligjore me të cilat i ngarkon Kodi Zgjedhor dhe ligjet e tjera.
Gjithashtu, Policia e Shtetit garanton qytetarët se ka ndërmarrë të gjitha masat, që e drejta e tyre kushtetuese për zgjedhjen e drejtuesit të pushtetit lokal, të ushtrohet e lirë, e qetë, e pacenuar dhe e paintimiduar prej askujt./m.j