Nga Afrim Krasniqi
Zgjedhjet e 11 shtatorit në Dibër po imponohen si një test i rëndësishëm politik për mazhorancën dhe opozitën. Ato nuk janë zgjedhje për qytetarët e Dibrës dhe në rast të çdo rezultati, nuk pritet të sjellë ndonjë ndryshim në jetën e tyre. Në sistemin tonë qeverisës institucioni i Bashkisë, sidomos në një zonë periferike dhe të varfër si Dibra, me vetëm 2.9 vjet mandat asnjë kryetar bashkie nuk mund të sjellë ndryshime thelbësore. Megjithatë, fatet e politikës së madhe nuk mund të vendosen në periferi, ndaj sido të jetë rezultati në Dibër, mund të tregojë një trend, por jo të shërbejë si sondazh përfaqësues për politikën në nivel kombëtar.
Nisur nga ky këndvështrim vlera e zgjedhjeve mbetet simbolike dhe test modest i dyfishtë: – test politik për partitë e mëdha, si dhe test për standardet zgjedhore 9 muaj përpara zgjedhjeve parlamentare. E majta kërkon të provojë se ende ka potencial qeverisës, kurse opozita do të provojë se raportet e partive në elektorat kanë ndryshuar nga 2015. E majta e kërkon fitoren për revansh “karvani ecën përpara”, opozita për motiv frymëzues për reagim popullor, – pra në thelb, dy palët kanë pritshmëri të ndryshme nga vetë qytetarët e thjeshtë të fshatrave dhe lagjeve të Dibrës. Për rrjedhojë, në dy rastet, përfundimi i zgjedhjeve të Dibrës nuk pritet të sjellë ndryshime në sistemin politik, vetëm sa do shërbejë për ushqim politik në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Në zgjedhjet në Dibër konkurrojnë vetëm dy kandidatë: një mjek lokal pa përvojë politike por me lidhje të forta me të majtën, si dhe një eksponent qendror politik në emër të së djathtës. Nominalisht kandidati i djathtë ka kredenciale shumë herë më të larta për menaxhimin e një qyteti sesa kandidati i majtë, qoftë edhe për dy motive: sepse kemi një ekonomist përballë një mjeku, dhe sepse kemi një person me përvojë administrimi qendror përballë një kandidati pa përvojë administrimi qendror dhe as lokal. Gjithsesi, zgjedhjet në Shqipëri vijojnë të jenë gjithçka tjetër, përveçse zgjedhje midis kandidatëve më të mirë, ndaj emrat dhe cilësitë e tyre nuk luajnë ndonjë rol përcaktues në zgjedhje.
Në zgjedhje të pjesshme rol përcaktues luajnë disa faktorë të tjerë: burimi i zgjedhjeve, raporti i besimit tek qeveria/opozita, taktikat elektorale, si dhe elementët informalë të zgjedhjeve (tregu i votës). Referuar statistikave të djathtët kanë drejtuar katër herë bashkinë Peshkopi ndaj tre herë të majtëve, gjithsesi, e majta fitoi në rastin e kalimit të Peshkopisë në bashki të madhe, Bashkia Dibër. Zgjedhjet 2015 u bënë në kulmin e suksesit të qeverisjes së majtë dhe në pikën më të ulët të besimit të së djathtës. Për më tepër, e djathta në Dibër kandidoi me tre emra, duke ndarë votat midis tyre, aq sa duhet për të nxjerrë fitues kandidatin e majtë, – për ironi, një figurë biznesi jo në figurë politike. Më 2016 situata ka ndryshuar: PS paguan çmimin e një skandali të madh të ish kreut të bashkisë, skandal i sponsorizuar nga një parti aleate e saj; mazhoranca ka pësuar krisjet e para të besimit publik, opozita mbetet vendnumëro por ka kaluar ditët më të këqija, si dhe Dibra, për herë të parë pas shumë vitesh nuk ka ministër në qeveri. Tregues pozitiv për kandidatin e të majtës është zgjerimi i aleancës së PS me parti që rendin drejt të mirave të pushtetit, si dhe ndarjet në PD, sidomos pas distancimit të kreut lokal kundër fushatës së kandidatit të saj. Tregues pozitiv të kandidatit të djathtë është përpjekja e PD për ta kthyer fushatën lokale në test politik kombëtar, kriza e qeverisjes sidomos në raportet PS-LSI, si dhe fakti se të majtët pasi morën administrimin e qytetit pas 12 vitesh e vetë-humbën me skandal brenda 1 viti.
Në Tiranë zgjedhjet periferike analizohen përmes shifrash dhe nëse u besojmë atyre verbërisht, fati i zgjedhjeve do duhej të varej nga LSI e PDIU. Këto dy parti kanë shënuar rritje votash më 2015 në krahasim me 2011. Në zgjedhjet 2011 PDIU fitoi vetëm 6 nga 207 këshilltarë, 1-2 më pak sesa parti shumë herë më të vogla jo-parlamentare, si Bashkimi Liberal, Partia Agrare, Partia Socialdemokrate, etj. Në 2007 LSI kishte 11 këshilltarë nga 207, kurse PS e PD përkatësisht 33 dhe 66 këshilltarë. Në zgjedhjet 2015 numri i këshilltarëve është 31, pra 6.6 herë më i vogël. Në këto zgjedhje PD kryesoi me 8 këshilltarë, ndjekur nga PS me 6, kurse LSI e PDIU morën nga 3 këshilltarë, me diferencë vetëm 5 vota midis tyre. Nëse ruajmë koeficientin 6.6 atëherë PD mori 52 (-14 këshilltarë), PS mori 39 (+ 6 këshilltarë), LSI 19 (+8 këshilltarë) dhe PDIU 19 (+13 këshilltarë). Për më tepër nga dy partitë klienteliste, LSI fitoi mandat parlamentar më 2013 jashtë çdo parashikimi, kurse PDIU zhvilloi kohë më parë në Dibër takimin më të madh elektoral që ka zhvilluar një parti e tretë në 26 vite. Në thelb elektorati i LSI është i majtë, por jo i motivuar për votimin e 11 shtatorit, elektorati i PDIU anon djathtas dhe është dukshëm i motivuar të përfitojë nga çdo ofertë në qarkullim rreth votimeve të 11 shtatorit.
Statistikat kanë vlerë, por në rrethanat shqiptare, janë dhe mbeten orientuese, jo përcaktuese. Edhe takimet elektorale, premtimet, batutat e fushatës, etj, kanë vlerë, por janë plotësuese, jo përcaktuese. Në këndvështrimin tim për zgjedhjet në Dibër më rezulton se faktor përcaktues i zgjedhjeve është pjesëmarrja në votim. Referuar praktikave të mëparshme të zgjedhjeve të pjesshme, si dhe vetë zgjedhjeve në vite në hartën e bashkisë Dibër (pavarësisht ndarjeve të mëparshme në bashki e komuna), pjesëmarrja e lartë në zgjedhje është dukshëm në avantazh për kandidatin e opozitës. Sa më shumë votues dalin në zgjedhje, aq më shumë kalohet vija e kuqe që ndan dy palët, në favor të së djathtës, e cila e konsideron traditicionalisht Dibrën një prej zonave të saj mbështetëse. Për më tepër, rritja e votuesve në njësinë më të madhe, Maqellarë, për vite hambar votash për të djathtën, do të ishte përcaktuese për fitoren e kandidatit të opozitës. E anasjelltë, nëse numri i zgjedhësve bie, shanset e kandidatit të qeverisë janë dukshëm më të mëdha.
Kjo është arsyeja që palët po investohen ndjeshëm në (de)mobilizimin e zgjedhësve, një palë duke blerë financiarit ose kërcënuar votuesit potencial kundër, pala tjetër duke blerë politikisht zgjedhësit e pavendosur për të shkuar në votim. Në ditët e mbetura, nëse klima politika tensionohet apo faktorë të tjerë ndikojnë në de-motivimin e votimit, atëherë shanset zgjedhore për kandidatin e të majtës rriten ndjeshëm. Nëse e djathta e zgjeron retorikën e saj dhe mobilizon votuesit potencialë, atëherë rezultati do ishte në favor të saj. Për shkak se me 11 shtator pritet të jetë edhe mot i vështirë, me reshje, atëherë investimi për (de)motivimin e votuesve do të duhet të jetë i dyfishtë. Fokusi mbetet i njëjtë, për të motivuar (i djathti) ose de-motivuar (i majti) zgjedhësit jo-militant për pjesëmarrje në zgjedhje.
Jashtë këtij faktori dhe jashtë rëndësisë lokale të zgjedhjeve ka një tregues që i bën zgjedhjet e Dibrës një test me rëndësi politike kombëtare, – standardi i zgjedhjeve. Një raport negativ me standardet ka shumë më vlerë sesa 100 mandate kryetarësh bashkie, dhe pasojat janë shumëfish negative për vendin, shoqërinë, shtetin dhe natyrisht, edhe perspektivën e zgjedhësve të Dibrës. Aktualisht standardet janë të rrezikuara. Edhe përkundrejt ligjit të de-kriminalizimit dhe premtimit të partisë se ata nuk do jenë më pjesë e proceseve politike e zgjedhore në Dibër po ndodh e kundërta, – individë me precedentë të dukshëm kriminalë janë pjesë në stafet elektorale dhe janë burimi i financimit të një pjese të fushatës. Akuzat midis palëve për presione, vjedhje e shitblerje votash e dëshmojnë klimën e tensionuar që ata kanë krijuar. Ka padi në prokurori dhe ankesa në media nga dy palët, por ende organet e ligjit nuk kanë folur (fatkeqësisht!). Liderit politikanë nuk kanë bërë asgjë, as hapa formalë për tu distancuar nga e keqja, përkundrazi, kanë deleguar në Dibër pjesën më militante të tyre.
Dukuria nuk është e re për Dibrën. Zgjedhësit aty kanë raport të gjatë me praktikat e tregtimit të votës, – në të kaluarën një deputet është zgjedhur aty vite më përpara për shkak të aftësisë së tij për të shitur viza udhëtimi për një shtet të BE-së, një tjetër duke përdorur kuota falas financiare, një i zgjedhur lokal fiton duke shpërndarë çdo vit elektoral ushqime falas, një tjetër, ashtu siç edhe më 2009 ata ia morën paratë por i refuzuan votat një kandidateje, e cila investoi fushatën më të kushtueshme personale të atyre zgjedhjeve. Më 2013 përmes votës në Dibër hynë në parlament disa prej deputetëve më të pasur në vend, përfshirë një pronar informal në galeritë e Bulqizës, kurse më 2015 tregu informal preku jo vetëm votuesit, por edhe sponsorizoi numrin e konkurrentëve për kryetar bashkie. A do të kemi të njëjtat zhvillime negative më 11 shtator? Treguesit paraprakë janë që po, historia e tregtimit të votës aty na mëson se jo gjithnjë kjo formë funksionon.
Lidhja e këtyre dy faktorëve, standardeve të zgjedhjeve dhe pjesëmarrjes në zgjedhje, pritet të jetë problematika dominuese dhe përcaktuese në ditët e fundit të fushatës. Pjesëmarrja i jep legjitimitet procesit demokratik, standardet e jetësojnë atë. Ndaj më shumë sesa emri i fituesit rëndësi merr nevoja për zgjedhje e proces të rregullt, pa presion për vende pune apo (mos)pjesëmarrje në zgjedhje, pa treg votash dhe pa grupe bandash me makina luksoze që shoqërojnë politikanët. Më 12 shtator është e sigurt se Dibra do të mbetet edhe më tej ndër bashkitë më të varfra, por të paktën qytetarët aty meritojnë respekt e dinjitet, – diçka që partitë po ua kërcënojnë, e që në fund të fundit, vetë dibranët e kanë në dorë ta mbrojnë në dhomën e fshehtë të votimit. (shekulli)