Drejtori i përgjithshëm i Gjendjes Civile, Ble dar Doracaj sqaroi dje për “Gazeta Shqiptare” se si do të bëhet verifikimi i të gjithë zgjedhësve për votimet e 18 qershorit. Doracaj sqaron se deri në maj, kur do të publikohet lista përfundimtare e zgjedhësve do të publikohen nga njësitë vendore 6 ekstrakte ose lista paraprake, për t’u dhënë mundësinë qytetarëve që të verifikojnë emrat e tyre. Ndërkohë, sa i përket çështjes së të burgosurve që do të penalizohen nga votimi në këto zgjedhje, Doracaj, i pyetur nga “GSH” sqaron se ekziston një listë paraprake, e cila po verifikohet nga Drejtoria e Burgjeve. Sipas drejtorit të Gjendjes Civile, një tjetër problem, ai i heqjes nga lista të personave që kanë ndërruar jetë këtë herë do të jetë një problem më mirë i zgjidhur krahasuar me zgjedhjet e mëparshme. “Në lidhje me emigrantët, më lejoni të sqaroj se ata janë shtetas shqiptarë dhe si të tillë janë edhe në regjistrin e gjendjes civile. Ne kemi një projekt shumë ambicioz së bashku me Ministrinë e Punëve të Jashtme në lidhje me identifikimin e tyre, shtetin ku ata jetojnë si dhe adresën që ata posedojnë. Viti 2017 do të jetë një vit i dedikuar për ta, për të përmbushur një detyrim që shteti shqiptar ka gjatë 25 viteve për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve”, sqaroi Doracaj, sa u përket emigrantëve.
Sapo keni publikuar ekstraktin e parë të listave të zgjedhësve. Si do të procedohet në fazën e parë e deri në shpalljen e listave përfundimtare?
Në zbatim të Dekretit të Presidentit të Republikës Nr. 9883 datë 05.12.2016 “Për caktimin e datës së Zgjedhjeve për Kuvendin”, ministri i Punëve të Brendshme në përmbushje të detyrimeve të Kodit Zgjedhor nxori Udhëzimin Nr. 671 datë 06.12.2016 “Për Procedurat e Hartimit të Listave të Zgjedhësve për Zgjedhjet për Kuvendin”. Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile në Ministrinë e Punëve të Brendshme, brenda 30 ditëve nga dita e dekretit të presidentit, ka detyrimin ligjor të gjenerojë ekstraktin e parë zgjedhor për zyrat e gjendjes civile në gjithë vendin. Ky ekstrakt, i ndarë në qendra votimi sipas vendbanimit, printohet dhe nënshkruhet nga nëpunësi i zyrës së gjendjes civile respektive dhe më pas i dërgohet kryetarit të bashkisë për t’u firmosur faqe më faqe. Pasi të jetë firmosur dhe vulosur nga kryetari i bashkisë dhe nëpunësi i zyrës së gjendjes civile, ai shpallet në ambientet e lira dhe publike për t’u aksesuar nga zgjedhësit. Gjithashtu, ju bëjmë me dije se që nga data 3 janar 2017, në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme është publikuar linku përkatës me ekstraktin zgjedhor, i aksesueshëm nga të gjithë për të kontrolluar përbërësit zgjedhorë. Në vijim, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile në fillim të çdo muaji do të publikojë ekstraktet zgjedhore, për të arritur tek lista përfundimtare e zgjedhësve, e cila do të publikohet në muajin maj 2017.
Një nga problemet që është në këto zgjedhje ka të bëjë me një pjesë të të burgosurve që nuk do të votojnë për shkak të ligjit të dekriminalizimit që i penalizon. A kemi tashmë një numër të atyre të dënuarve që nuk do të votojnë? Si po veprohet me këtë kategori?
Kemi filluar komunikimin zyrtar me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve në lidhje me subjektet, objekt i ligjit të dekriminalizimit. Kemi një listë paraprake, e cila po vërtetohet nga ana jonë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Sapo të kemi një informacion zyrtar të verifikuar sipas përcaktimeve ligjore, do t’ju bëjmë me dije.
Disa nga problemet në listat e zgjedhjeve të mëparshme kanë qenë emrat e personave që kanë ndërruar jetë, të cilët nuk ishin pastruar, apo emigrantët që nuk banojnë më në Shqipëri. Sa garanci ka se këto probleme nuk do të jenë në 18 qershor 2017?
Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile administron Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, i cili është një pasuri e patjetërsueshme e shtetit. Në vitin 2013, Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile ishte pa ‘back up’, që do të thotë se në qoftë se për një arsye apo tjetrën ‘site’ i parë dhe i vetëm nuk punonte, atëherë shtetasit në të gjithë vendin nuk mund të merrnin shërbim pranë zyrave tona. Falë fondeve të dhëna nga qeveria shqiptare, sot regjistri i gjendjes civile ka një ‘back up’ dhe për asnjë moment shtetasve nuk ka për t’u munguar shërbimi. Gjithashtu, sot të dhënat e regjistrit janë edhe më të sigurta, pasi nuk është më vetëm ‘site 1’, por kemi edhe ‘site 2’ (back up). Herë pas here në media të ndryshme kemi dëgjuar të flitet për persona që kanë ndërruar jetë dhe ende figurojnë në regjistrin e gjendjes civile apo në ekstraktet me përbërësit zgjedhorë. Prandaj, Kodi Zgjedhor parashikon publikimin e 6 ekstrakteve me përbërësit zgjedhorë përpara se të shpallet lista përfundimtare e zgjedhësve, ku çdo shtetas nëpërmjet faqes së MPB-së, apo listave të shpallura në çdo zyrë të gjendjes civile mund të verifikojë përbërësit e tij zgjedhorë apo familjarëve të tij. Megjithatë, shpreh bindjen se problemet me personat që kanë ndërruar jetë dhe nuk janë çregjistruar janë shumë më të vogla se sa më parë. Ne po punojmë me përkushtim që ato të shkojnë drejt zerimit. Në lidhje me emigrantët, më lejoni të sqaroj se ata janë shtetas shqiptarë dhe si të tillë janë edhe në regjistrin e gjendjes civile. Ne kemi një projekt shumë ambicioz së bashku me Ministrinë e Punëve të Jashtme në lidhje me identifikimin e tyre, shtetin ku ata jetojnë si dhe adresën që ata posedojnë. Viti 2017 do të jetë një vit i dedikuar për ta, për të përmbushur një detyrim që shteti shqiptar ka gjatë 25 viteve për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve.
Si do të arrihet lajmërimi i zgjedhësve në terren, duke qenë se ka mjaft vështirësi dhe kjo ka qenë një nga pikat e kritikuara në zgjedhjet e mëparshme?
Në qoftë se do t’i referohemi Kodit Zgjedhor, është një detyrë që u ngarkohet organeve të pushtetit vendor së bashku me strukturat e tyre. Detyrimi i vetëm i MPB-së është që të përballojë kostot e lajmërimit. Kemi marrë masa për përballimin e kostove në materiale si bojë printeri, letër format etj., si dhe kemi filluar komunikimin me autoritetet për çeljen e një fondi si shpërblim për ndërlidhësit me komunitetin apo kryepleqtë, të cilët do të bëjnë lajmërimet e zgjedhësve derë më derë.
ma.me