Tre orë pas mbylljes së procesit të votimit, ka nisur edhe numërimi i votave në Tepelenë dhe Berat. Në bashkinë e Tepelenës për herë të parë do të aplikohet edhe testi i numërimit të votave me Inteligjencë Artificiale, por krahas këtij procesi, numërimi do të vijojë manualisht.
Procesi në Qendrat e votimit 4356 Progonat, 4359 Nivicë dhe 4360 Sinanaj në Tepelenë po shkon drejt fundit, ku epërsi të thellë ka kandidati socialist Gramoz Sako kundrejt Gabriel Gumës të pavarur, që mbështetet nga PD. Në qendrën e votimit 4359 në Nivicë, 199 vota ka marrë Gramoz Sako, 6 Gabriel Guma, ndërsa 1 është shpallur e pavlefshme.
Në Berat është hapur kutia e parë në KZAZ 67, ku kryeson kandidati socialist Ervin Ceca 145 vota, ndjekur nga i pavaruri Pavllo Shkarpa 8 vota ndërsa 6 vota janë shpallur të pavlefshme. Në Vlorë sapo ka nisur në KZAZ 85. Sapo ka nisur procesi edhe në Cërrik, ndërsa pritet edhe Mati.
Në total, vetëm 18.45% nga 334.539 mijë qytetarë me të drejtë vote hodhën votën në kutitë e votimit në të 5-ta bashkitë. Bashkia me numrin më të lartë të pjesëmarrjes ishte Mati me 39.36%, e ndjekur nga Tepelena me 34.63%, Cërriku me 25%, dhe Berati me 19.98%.
Pjesëmarrjen më të ulët e shënoi Vlora, bashkia më e madhe në zgjedhjet e kësaj të diele, ku votuan vetëm 12.54 përqind.











