Në Kosovë kanë mbërritur mbrëmjen e sotme votat e para nga Diaspora. Veturat zyrtare që transportojnë pakot e votimeve kanë kaluar pikën kufitare të Vermicës.
Veturat që bartin votat janë shoqëruar nga Policia e Kosovës në drejtim të Prishtinës, drejt selisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dhe do të jenë nën vëzhgim e kamerave të sigurisë.
KQZ në Kosovë ka njoftuar se është duke vazhduar periudha e votimit përmes postës për të gjithë shtetasit e Kosovës që kur u regjistruan si votues jashtë Kosovës e përzgjodhën këtë mënyrë votimi.
Siç edhe ka sqaruar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, procesi i votimit përmes postës do të përfundojë më 8 shkurt. Në total, 104.924 qytetarë janë regjistruar për të votuar jashtë kufijve të Kosovës.