Nga Shpëtim Nazarko
Në një shkrim të fundit që kishte në qendër Ramën, tanimë që ka mbetur vetëm në qeverisje, shtrohej shqetësimi mbi sjelljen e tij. Në bisedat drejtpërdrejt me njerëzit dhe referuar komentatorëve jo të paktë, duket një sjellje të cilën brezi i diktaturës e njeh shumë mirë.
Besnik Mustafaj, një nga njohësit e mirë të saj, e shikon sjelljen e Ramës si të rrezikshme dhe të tipit manipulativ, e cila kërkon të emocionojë njerëzit.
Natyrisht, mund të thoshte drejtpërdrejt e ngjashme me sjelljen e dikurshme të Enver Hoxhës, i cili herë pas here mbante fjalime të famshme kundër burokracisë apo rrinte «gju më gju me popullin ».
Të mbash anën drejtpërdrejt të Ramës, apo të njehsohesh me shqetësimin e tij, mund të shprehesh se në rast dështimi ai dhe PS do të pësonin fatin e PD-së.
Çfarë qëndrimi duhet mbajtur realisht në situatën e dhënë?
Normalisht që çdo njeri sjell në praktikë apo gjykon një situatë të caktuar referuar eksperiencës së tij. Nga kjo po nisem dhe unë për të gjykuar problemin e dhënë.
Magnus Karlsen, që është aktualisht kampion absolut i botës në shah, e përcaktonte kështu diferencën e tij me gjeniun tjetër Kasparov, mënyrën e të menduarit për të trajtuar një pozicion të caktuar.
Kasparovi, thotë ai- e analizon një hapje në shah, me idenë që në fund të gjejë atë variant, i cili, në të gjitha rastet duhet të çojë në fitore. Ndryshe nga ai, unë kërkoj në analizë ato variante ku të arrihet një ekuilibër dinamik i pozicionit.
Në thënien e Karlsenit buron ai qëndrimi neutral dhe i ftohtë ndaj një pozicioni të caktuar. Dhe kjo, qoftë ngjarje në fushën e shahut si edhe në sjelljen apo gjykimin e çdo situate, pra edhe politike apo ndaj personazheve që janë në qendër të poltikës, ndoshta duhet të përbëjë për këtë arsye, sipas meje, edhe qëndrimin e çdo analisti.
Sa më sipër, në analizën e një pozicioni të caktuar, vetë jam partizan i sjelljes së Karlsenit dhe jo i Kasparovit. Pra gjetjen e atyre metodave të cilat kërkojnë një balancim dinamik të pozicionit. Për të mos e komplikuar gjykimin, duhet të shtrojmë pyetjen se në cilin pozicion gjendet Shqipëria e tanishme tani dhe a duhet të veprojë Rama alla Sakashvil?
Dalja e Ramës tani pas fushate, duke dhënë shembuj goditjesh ndaj burokracisë shtetërore, në një mënyrë apo tjetër, të kujton jo aq shumë sjelljen e Hoxhës, po më shumë atë të Shakashvilit, presidentit të dikurshëm të Gjeorgjsë.
Ai shkonte në familjet e njerëzve të fuqishëm të pushtetit qendror, i shoqëruar nga një tufë gazetarësh dhe kështu i shkatërronte ata në sytë e opinionit publik. Pastaj natyrshëm për ta vinte dhe fundi.
Shakashvili arriti që për një kohë të shkurtër ta ulte korrupsionin në administratën qendrore në shifra të ndjeshme. Po a arriti sukses të tipit përfundimtar? Natyrisht që jo…
Në thelb, Rama ka vepruar në formë analoge dhe kur ishte kryetar bashkie nëpërmjet shembujve. Praktikë që e dha edhe kur mori qeverinë. Kjo nëpërmjet prishjes së pallateve pa leje, goditjeve që dha në sektorin e energjisë elektrike, apo me duhanpirësit etj., etj. Po natyrisht ashtu si dhe për shembullin e Shakashvilit, duhet të themi jo vetëm se suksesi është përfundimtar.
E akoma më shumë, se nuk duhet ngatërruar taktika me strategjinë… Sipas një të dhëne të INSTAT, duket se ndërtimet pa leje kanë zënë e shtohen përsëri…
Në një plan të drejtpërdrejtë, të shikuarit të gjërave referuar të dhënave, 56 për qind e shqiptave kërkojnë të ikin nga vendi dhe kjo është pavarësisht justifikimeve të çdo krahu një e dhënë e frikshme, nëse mbetet e vërtetë. Nuk ka rëndësi të themi se kjo shifër është produkt i qeverisjes vetëm të koalicionit PS- LSI, apo produkt i një qeverisje 25-vjeçare, ku të gjithë kanë pjesën e tyre të fajit.
Shifra qëndron në kokën e qeverisë aktuale dhe ajo duhet ta zgjidhë dramën. Ka një korrupsion endemik, që është produkt i administratës shtetërore të cilën Rama e përcakton me të drejtë se vjen edhe nga një ndarje e pushtetit apo tepsisë së tij.
A janë këta dy faktorë që duhet të preokupojnë qeverinë aktuale, e cila duhet të zgjidhë jo vetëm problemet e theksuara më sipër, po dhe shumë të tjerë?
Situata është, nëse i referohemi njërit prej ambasadorëve amerikanë këtu, si ajo e Amerikës së viteve ’20 të shekullit të kaluar, apo asaj që karakterizon periudhën e qeverisjes së Presidentit Rusvelt të viteve ’29-’33, e cila përkufizohet edhe si periudha e depresionit të madh.
Kriza që vinte nga sipër dhe projektohej poshtë. Grupe të fuqishme financiare përcaktonin nëpërmjet korruptimit edhe shumicën e deputetëve, të cilët pastaj bënin ligjet e tyre në parlament. Në Shqipëri, kjo lloj krize vetëm në aparencë nuk është e tillë. Në thelb, grupe pasanikësh, që në shumicën e rasteve kanë ndërtuar deri edhe perandori mediatike apo gjëra analoge, e bëjnë këtë ndonjëherë edhe në formë të drejtpërdrejtë, duke marrë pjesë vetë në parlament.
E keqja më e madhe në ndryshim me Amerikën e atyre viteve, është se në shumicën e rasteve kjo kastë, për shkak të ndërtimit të keq të bizneseve të tyre, çka u ka sjellë edhe një falimentim jozyrtar, është gati, sipas të dhënave të fundit, të futë hundët deri edhe në sektorin bankar, duke tentuar të blejë edhe një pjesë të tyre. Kjo strategji që është pasojë po e qeversjes së keqe njëzet e pesë vjeçare, do të jetë për mendjen time me pasoja më të rënda se të atyre të piramidave të vitit ’97, nëse nuk mbahet në vëmendje serioze.
Dakord apo jo me ato çka u thanë më sipër, besoj se Rama, që e njeh po aq mirë sa ne periudhën e Hoxhës, e di po aq mirë pasojën që vjen prej kësaj periudhe. A duhet të ndjekë rrugën e Sakashvilit?
Për mua, variant më i mirë, pavarësisht specifikave, ajo që duhet ndjekur me konsekuencë është teknika gjeniale e Rusveltit. Ai u akuzua drejtpërdrejt atëhere, po ende edhe sot, nga një pjesë e njerëzve, se implementoi sistemin komunist nga lart.
Rusvelti futi për herë të parë në histori komunikimin e drejtpërdrejtë me popullin nëpërmjet radios. Pastaj goditi drejtpërdrejt nëpërmjet kontrollit sistemin financiar. Një kontroll i rreptë i bërë prej qeverisë së atyre viteve mbylli një herë e përgjithmonë 4000 nga 11000 bankat e Amerikës.
Rusvelti ia mbyllën gjthë rubinetat e ndihmës, jo vetëm të pasurit, por edhe shtypi. Po pa u ndalur, ai vazhdoi rrugën e tij dhe së pari hapi punë të pafunda publike. Pastaj programoi një strategji të tërë, e cila në fund të fundit, pruri ato rezultate që i siguruan vendin e sotëm në histori si një nga presidentët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.
A duhet të ndalet Rama nga kritikat që i bëjnë duke aluduar se po luan ashtu si Hoxha dikur? Mendoj se jo. Dhe kjo sepse, edhe sikur vërtet të donte ai, ajo periudhë nuk vjen kurrë.
Po ndërkaq, rruga e ndjekur nuk mund të jetë ajo alla Sakashvil, por e tipit Rusvelt.
Shqipëria e rrënuar plotësisht, e gërryer nga korrupsioni, e shkatërruar në pyje, ujëra arsimim, kërkon një sjellje alla Rusvelt. E thënë ndryshe, kërkon strategji dhe nuk mund të shpëtojë kurrë nëpërmjet goditjeve taktike, të cilat sado të duken efiçente në pamjen e parë, janë afatshkurtra dhe nuk mund të garantojnë asgjë.
Çështja e shtruar, në thelb, nuk lidhet thjesht me Ramën. Një opozitë që po dobësohet gjithnjë e më shumë dhe një apati kombëtare mund ta rëndojë gjendjen. Dhe në këto raste nuk flitet për teknika apo vija sjelljeje të një individi të vetëm.
Akoma më shumë, kur bashkë me opozitën, shihet gjithnjë e më shumë jo vetëm kriza e shtypit, por edhe e gjithë klasës ekonomike të Shqipërisë. E nëse të gjithë këta faktorë janë të dobët, apo thënë troç, të kalbur dhe kanë rënë me kohë, gjykimi mbi individin Rama merr vlerë, po jo për sjelljen apo ndryshe manierat e tij, por për planin e përgjithshëm që ai shtron për të nxjerrë shoqërinë nga kriza./Konica.al