Sulmet e Izraelit në Gaza kryhen kryesisht pas dyerve të mbyllura, me mbi 170 gazetarë palestinezë të vrarë ndërsa të tjerët përtej nuk lejohen. Kjo politikë fsheh tmerret në Gaza nga sytë e botës duke frenuar empatinë për ata që kanë ngecur brenda saj. Dokumentari “Put Your Soul on Your Hand and Walk” kërkon të zbulojë vuajtjen e paimagjiinueshme brenda Gazës, shkruan The Guardian.
Ai vërtitet rreth jetës së një palestinezeje të re, Fatma Hassouna që të dashurit e njohin si Fatem. Është 24 vjeçe në fragmentet e para, me një buzëqeshje vesh më vesh dhe dëshirë për jetën. Historia e saj rrëfehet përmes një ekrani celulari që i përket regjisores Sepideh Farsi dhe pjesa më e madhe e filmit përbëhet nga bisedat e tyre gjatë një viti kur krijohet një lidhje e fortë.
Regjisorja di gjithçka për luftën dhe shtypjen. Ajo është iraniane dhe ishte adoleshente kur ndodhi lufta Iran-Irak në 1980. Kur ishte 16 vjeçe u burgos nga regjimi i Republikës Islamike dhe iku nga vendi njëherë e mirë pas dy vitesh duke u shpërngulur në Francë. Kur shpërtheu lufta në Gaza në tetor 2023, nuk duronte dot të shihte debatet që s’po bënin asgjë për ta ndalur masakrën.
“Zëri palestinez mungonte. Nisi të më shqetësonte dhe në një pikë, nuk jetoja dot më me këtë”, thotë ajo. Pranverën e shkuar shkoi në Kajro me idenë se mund të gjente një mënyrë që ta filmonte luftën në kufirin e Gazës. Misioni i saj rezultoi naiv, derisa një refugjat nga Gaza në Egjipt i tha se mund ta njihte me shoqen e tij, Fatma në lagjen al-Tuffah. Kështu, ajo mund të fliste me dikë nga brenda.
“Nga telefonata e parë, e dija se ajo ishte shumë e veçantë dhe diçka kërciti menjëherë brenda të dyjave ne”, thotë Farsi duke shtuar se të dyja qeshnin gjithnjë.
Dallimet mes tyre nuk ishin garancia më e mirë që ato do të mirëkuptoheshin. Farsi është më e madhe në moshë, ka vajzën në moshën e Hassouna dhe është një grua kozmopolitane, e sofistikuar që ka udhëtuar në të gjithë botën, kurse Hassouna ka qëndruar në Gaza gjithë jetën. Hassouna është besimtare kurse Farsi skeptike dhe e sfidon mikeshën e saj se cili Zot do t’i lejonte të pafajshmit të vuanin kaq shumë.

Por ka më shumë gjëra q i lidhin bashkë sesa i ndajnë. “Kishte këtë energjinë, këtë gjënë e ndritshme. Ishte solare”, thotë Farsi. Ajo e ktheu celularin e saj në një portal ku Hassouna rrëfen historinë e saj dhe tragjedinë e Gazës. Ajo flet për familjen, prezanton vëllezërit dhe është një fotografe dhe poete, ndërsa Farsi e mëson si të filmojë dhe t’i dërgojë video të shkatërrimit që ndodh rreth saj.
Talenti i Hassouna është i natyrshëm. Fotot e saj shfaqin fqinjët që përpiqen të mbijetojnë në rrënoja ndërsa gjuha e saj zgjon diçka. Titulli i filmit vjen nga një përshkrim i saj sesi është të dalësh jashtë: “Çdo sekondë që ti del në rrugë, merr shpirtin në duar dhe ec.”
Në një tjetër bisedë që përpiqet t’i japë shpjegim asaj që po ndodh, Hassouna pyet: “Ne bëjmë një jetë shumë të thjeshtë dhe ata duan të na e marrin këtë jetë të thjeshtë. Pse? Jam 24 vjeçe dhe s’kam asgjë që dua. Çdo herë që ti arrin atë që do, ka një mur. Ata ngrenë një mur.”
Filmi nuk do të funksiononte. Është filmuar me celularë që tregojnë njëri-tjetrin, imazhe të ngrira nga lidhja e internetit, por Farsi nuk zgjodhi versionin e pastër, pa këto probleme. ”Doja të ishte i mangët nga ana teknike që të tregoja problemet e komunikimit me të, varfërinë e jetës aty-këtu.”
Hassouna kërcënohet vazhdimisht nga vdekja, me të afërmit apo fqinjët që humbasin jetën ose braktisin shtëpitë. Por nëse nuk doni të mësoni se kush triumfon në fund, buzëqeshja e saj apo errësira e vuajtjes, ndaloni leximin.
Drejt fundit të filmit, Farsi e telefonon Hassouna për t’i dhënë lajmin e lumtur se filmi i saj do të shfaqet në Kanë. Ato diskutojnë si Farsi mund të marrë një vizë franceze që Hassouna të dalë përkohësisht nga Gaza dhe kjo e fundit i dërgon një foto të pasaportës.
Të nesërmen, Farsi nuk po lidhej dot me mikeshën e saj që t’i tregonte se ç’po ndodhte me përgatitjet dhe e shtyu për ditën tjetër. “Po punoja me filmin në kompjuterin tim me celularin pranë dhe papritur më erdhi një foto. Hapa njoftimin dhe pashë foton e saj me një diçiturë që shkruante se ishte vrarë. Nuk e besova. Nisa ta telefonoja si e çmendur dhe më pas telefonova një mik të përbashkët, atë që na kishte prezantuar dhe ai më konfirmoi se ishte e vërtetë.”
Në mes të natës, dy predha nga një dron izraelit kishin shpuar çatinë e ndërtesës së saj dhe depërtuan në të para se të shpërthenin, njëra në apartamentin e katit të dytë dhe tjetra poshtë tij. Fatma Hassouna vdiq bashkë me tre vëllezërit dhe dy motrat. I ati ndërroi jetë nga plagët kurse e ëma, Lubna, ishte e mbijetuara e vetme.
Grupi hetimor Forensic Architecture e studioi sulmin dhe tha se ishte i qëllimshëm ndaj Hassouna për punën e saj si gazetare dhe dëshmitare. Farsi s’kishte dyshime. “Ajo u shënjestrua nga Forcat e Mbrojtjes Izraelite (IDF). Ishin dy bomba që ranë nga një dron mbi shtëpinë e saj. Ata zbuluan ku jetonte, planifikuan një dron me bomba që të përshkonte tri kate të asaj ndërtese dhe të shpërthente në katin e dytë. Është mrekullisht e planifikuar me qëllimin për të eliminuar dikë që thjesht bën fotografi.”
Farsi thotë se nuk e beson ende, ndërsa nga Bogotá ajo po promovon filmin që tashmë është gjurma që ka lënë pas mikesha e saj e ndjerë. “Për mua ajo është eende diku atje dhe besoj se do ta takoj një ditë.”
Në bisedat e tyre, Hassouna ëndërronte për vendet e botës që dëshironte të vizitonte, por gjithnjë donte të kthehej në Gaza. “Kam idenë se duhet të vazhdoj dhe të dokumentoj gjithçka, të jem pjesë e kësaj historie, të jem unë!”, i tha ajo regjisores pak para vdekjes.
Ajo përfytyronte sesi do ia tregonte historinë fëmijëve të saj, që tanimë i përket një publiku kinemaje dhe karakteri i Hassouna është ruajtur aty, një portret unik mes 60 mijë të vdekurve.











