Në Shqipëri deklaratat e policisë dhe Prokurorisë mbi përplasjen e armatosur në Elbasan më 21 Prill, në prag të zgjedhjeve, ku pati një të vrare dhe 4 të plagosur, ngjanin të ishin kontradiktore me provat e gjetur në vendin e ngjarjes, mes të cilave lista me emra dhe fotokopje kartash identiteti. Prokuroria shpjegon se ato nuk mund të konsiderohen materiale zgjedhore. Burime të Zërit të Amerikës, bënë të ditur megjithatë se verifikimet po shtrihen edhe mbi dyshimet e mundshme për krime zgjedhore.
Zanafilla e konfliktit të armatosur më 21 Prill në qytetin e Elbasanit, e cila përfundoi me një të vrarë dhe katër të plagosur në prag të zgjedhjeve parlamentare, erdhi pasi disa mbështetës të Partisë Demokratike, pjesë e të ashtuquajturit “Grupi i Mbrojtjes së Votave”, ndaluan Mehmet Grecën, një person i dënuar për trafik droge në Britani, i cili sipas tyre po shpërndante para në favor të fushatës së Partisë Socialiste.
Pak ditë pas përplasjes së përgjakshme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe prokurori Alfred Shehu mohuan publikisht se në vendngjarje ishin gjetur materiale që ngrinin dyshime për shitblerje të votës.
“Nga kqyrja e automjetit Mercedez tip ML pa targa, i gjetur në vendngjarje, grupi hetimor nuk ka konstatuar sende të kundraligjshme apo të dyshuara se mund të përdoreshin për shitblerje të votës”, deklaroi Drejtori i Përgjithshëm I Policisë së Shtetit, Ard Veliu
Deklaratat publike të zyrtarëve të Policisë dhe Prokurorisë tingëlluan në kundërshtim me provat që më pas u deklaruan se ishin zbuluar në vendin e krimit
Dokumentet hetimore të siguruara nga Zëri i Amerikës tregojnë se në dy makina të bllokuara në vendin e krimit u gjetën fletëpalosje të Partisë Socialiste, fotokopje kartash identiteti si dhe një bllok me emra votuesish dhe me mbishkrimin “pagesa”.
Sipas referimit të policisë, në makinën pa targa që drejtohej nga Mehmet Greca, e cila u bllokua nga grupi i mbështetësve të PD, u gjetën një pasaportë në emër të një shtetasi, dy kartmonedha 50 euro, fotokopje kartash identiteti, si dhe një bllok me shënimin “Met Dafllaku pagesë”. Blloku kishte gjashtë faqe me emra dhe ID, me përshkrimin “formular patronazhi”.
Ndërsa në makinën e dytë, të përdorur nga Klement Xhaferri, i cili mësohet se u përfshi në mbrojtje të mbështetëse të PS, u gjetën 17 fotokopje kartash identiteti dhe pasaportash. Në këtë automjet, u zbuluan edhe 5 fletë formati me përmbajtje emrash dhe ID të shtetasve të ndryshëm. Xhaferri është shpallur në kërkim për “vrasje në rrethana cilësuese mbetur në tentativë”. Automjeti i përdorur prej tij rezulton në pronësi të kompanisë “Eldio Petrol” dhe administrator Eldio Beko, është nën hetim nga autoritetet, pasi dha dy deklarime të kundërta, duke fshehur faktin se makinën ja kishte lënë në përdorim Klement Xhaferrit.
I pyetur nga Zëri i Amerikës për deklaratën e tij, kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu u përgjigj përmes një zëdhënësi, duke shpjeguar se sipas tij “grupi hetimor nuk i kishte vlerësuar provat në vendngjarje si elementë, që mund të shërbenin për korrupsion aktiv ose pasiv në zgjedhje”.
Ai la të kuptohej se ky vlerësim kishte ardhur për shkak të shumës së vogël të parave të gjetura në makinën e Grecës, vetëm 100 euro dhe 2 mijë lekë.
“Nëse nga hetimi do të rezultojnë indicje, apo dyshime të arsyeshme për praninë e elementëve të veprave penale, që prekin zgjedhjet e lira, është në atributin e prokurorisë regjistrimi dhe hetimi i këtij procedimi penal”- tha zoti Veliu.
Në të njëjtën linjë është edhe zv.drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Alfred Shehu, I cili thotë se “provat në vendngjarje nuk konsiderohen si materiale zgjedhore”, që sipas tij janë vetëm ato të shpërndara nga Komisioni Qendror I Zgjedhjeve.
Z.Shehu nuk bëri komente të mëtejshme pasi theksoi faktin se si prokuror e ka të ndaluar të reagojë.
Megjithatë, Zëri i Amerikës mësoi me burime të besueshme se prokuroria e Elbasanit, po bën verifikime edhe në drejtim të dyshimeve për krime të mundshme zgjedhore.
Oficerëve gjyqësorë, u është lënë detyrë që të identifikojnë dhe pyesin të gjithë qytetarët, emrat e të cilëve gjenden në listat e zbuluara në dy automjetet në ngjarje.
Akuzat për shit-blerje të votave si dhe përdorimi i administratës publike në fushatë ishin dy nga shqetësimet kryesore të ngritura në raportin paraprak të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 25 prillit.
“Një lumë” kallëzimesh u depozituan përpara ditës së zgjedhjeve në Prokurorinë e Posaçme SPAK, e cila ka regjistruar deri më tani 33 procedime penale për korrupsion aktiv dhe pasiv në zgjedhje, mes të cilave edhe hetimin për rrjedhjen e një databaze me të dhënat personale të 910 mijë votuesve të Tiranës që u publikua nga portali Lapsi.al.
Pavarësisht listave me emra dhe numra ID të gjendura në vendin e krimit në Elbasan dhe faktit që prokuroria po kryen verifikime, ende nuk ka një hetim zyrtar apo procedim penal të regjistruar mbi dyshimet për shit-blerje të votës.
Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja i tha Zërit të Amerikës se ngjarja po hetohet aktualisht nga Prokuroria e Elbasanit dhe, se vetëm kjo e fundit, në varësi të elementëve penalë mund të shpallë më pas moskompetecën dhe t’ja transferojë çështjen SPAK-ut.
Gjatë konfliktit të armatosur, rezulton, sipas hetimeve të jenë përdorur së paku tre armë. Njëra i përket Arbër Paplekajt, pjesë e Grupit të PD për Mbrojtjen e Votës, i cili akuzohet për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, i cili njhet si përkrahës i Partisë Socialiste.
Përplasja ndodhi në praninë e dy zëvendësdejtorëve të policisë së qarkut, dhe një numri të lartë të forcave “Shqiponja”, e megjithatë, Prokuroria nuk ka mundur ende të përcaktojë se cili nga protagonistës e ngjarjes, qëlloi i pari.