Vizita e parë zyrtare e presidentit të Ukrainës Volodymir Zelensky në Athinë e eklipsoi takimin jo zyrtar të thirrur nga kryeministri grek Qirjako Mitsotaqis me udhëheqës të rajonit dhe të Bashkimit Europian. Takim që vjen në përvjetorin e nënshkrimit të Deklaratës së Selanikut për integrimin në Bashkimin Europian të të gjitha vendeve të rajonit, por që kësaj here mungoi Shqipëria.
Prej disa ditësh Athina zyrtare ka lëshuar kërcënime ndaj Shqipërisë, duke e kushtëzuar mbështejtjen për integrimin europian me çështjen “Beleri”.
Kryeministri Mitsotaqis e priti presidentin Zelensky në “Pallatin Maximos” dhe më pas të dy dolën para mediave. Ai u shpreh se Greqia qëndron në krah të ukrainasve.
“Ne dënojmë pa mëdyshje krimet e luftës. Rusia ka përdorur gazin natyror si armë dhe së fundmi ka ndërprerë marrëveshjen e grurit. Pasojat e luftës shkojnë përtej kufijve të kontinentit tonë. Më shumë se 50% e drithit eksportohet nga anije greke. Greqia po zbaton të gjitha sanksionet ndaj Rusisë dhe ne do të mbështesim kursin tuaj europian.”
Kryeministri grek njoftoi se Porti i Aleksandoupolit do të jetë shpejt një portë e re e gazit natyror për Europën. Presidenti Volodymyr Zelensky la pas retorikën dhe parashtroi si prioritet ndihmën e Greqisë për trajnimin e pilotëve ukrainas për të manovruar avionët amerikanë F-16. Më herët gjatë vizitave në Holandë dhe Danimarkë, ai siguroi të paktën 61 avionë luftarakë F-16.
Presidenti ukrainas ndodhet për një vizitë zyrtare në Athinë dhe pas takimit me Presidenten e Republikës, Katerina Sakellaropoulou, mori pjesë në darkën e liderëve ballkanikë.
Ndërkohë mesazhe bashkimi dha nga Athina presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. Ajo zhvilloi takime të shkurtra me udhëheqësit pjesëmarrës dhe më pas tha në medias sociale se blloku europian duhet t’i sjellë vendet kandidate shumë më afër dhe më shpejt.
“Ne duhet t’i sjellim miqtë tanë, anëtarët aspirantë për në BE shumë më afër nesh dhe shumë më shpejt. Gëzohem që jam në Athinë për të diskutuar perspektivën europiane të fqinjëve dhe partnerëve tanë në Lindje dhe në Ballkanin Perëndimor. Ne do të vazhdojmë të rrëzojmë barrierat midis rajoneve tona.”
Ky takim jo zyrtar i Athinës bën bashkë ndërkaq edhe krymeinistrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç, pavarësisht retorikës së tyre të fundit dhe tensioneve në veri të Kosovës.
Vuçiç i është drejtuar qytetarëve të tij me një mesazh nga Athina, aty ku ndodhej për darkën joformale të liderëve të Ballkanit, me ftesë të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis.
Që në nisje të reagimit të tij, Vuçiç ka shprehur rezerva për mënyrën si është organizuar darka, pasi sipas tij nuk i takon Kosovës të përfaqësohet në tryezë, në kushtet kur Greqia nuk e njeh si shtet.
“Do t’u drejtohem qytetarëve së shpejti. Nesër ose pasnesër do t’u drejtohem qytetarëve për atë që po ndodh. Unë do të flas hapur me publikun kur të vijnë kohë të vështira. Unë nuk jam një vrapues politik që të bëj atë që më thotë dikush nga Evropa. Zgjodha t’i shërbej popullit tim, prandaj kemi vështirësi”, thekson Vuçiç.
/a.r