Edhe kur nuk pritet, në sajë të zhvillimeve në skenën politike shqiptare dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, Greqia nuk “ngurron”. “Lufta greko-shqiptare” për Bashkinë e Himarës në vitin 2000, dhe ajo me të njëjtin refren dhe synim, për Bashkinë e Himarës dhe Belerin në vtin 2023 (për turpin e partive opozitare që e mbështesin atë), u bënë shtysa e këtij shkrimi.
E gjithë makineria shtetërore, politike, joqeveritare, mediatike etj., greke, shfaqi në vitin 2000, po shfaq edhe sot, një angazhim të shpërpjestuar, deri qesharak, kudo, me të gjitha mënyrat, për të ngritur zërin kundër dhe për t’i bërë presion Shqipërisë. Kësaj here presioni është lidhur me bllokimin e ecurisë të Shqipërisë për në BE. Zgjedhjet dhe procesi zgjedhor nuk duket se kishin dhe kanë interes për Greqinë, nëse ishin në përputhje me standartet ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme, Interesi është vetëm rezultati vetëm në një zone, Himarë.
Përse Himara është aq e rëndësishme për Greqinë? A është bindëse zhurma, kërcënimet, presionet në emër të “mbrojtjes të të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri”? Mos ky përbën një rast të vecantë, apo është pjesë e një konstanteje të politikës të brendëshme dhe të jashtme greke? Mos vallë ato ngjarje ishin vërtetë ekskluziviste, vetëm në marrëdhëniet me Shqipërinë, apo ishin dhe janë shfaqe e një fryme të përgjithëshme nacionaliste? Cilat mite, cilat synime politike, të vjetra dhe të reja, gjenerojnë veprime të tillë? A janë këto karakteristika të politikës dhe mentalitetit, apo janë thjesht mbeturina atavike në trup të shëndoshë e të qytetëruar vlerash perëndimore?
Cfarë po thonë historianë dhe arkivistë të nderuar në vendin tonë, si Prof. Xhufi dhe Z. Bido për atë që po bëhet për Himarën dhe Belerin, apo cfarë shkruaj në këtë shkrim, nuk do të shmangë sulme të njohura nga Greqia, si “motive nacionaliste”, “nota shoviniste shqiptare”,”qëndrime ekstremiste anti-greke”, etj.
Për ngjarjet e vitit 2000, ish ambasadori grek pat thënë në Plenare të Këshillit të Përhershëm të OSBE-së se cështja e Himarës flet për “nacionalizëm dhe shovinizëm të shfrenuar shqiptar”. Në vitin 2023, gati cerek shekulli më vonë, është ngritur steka: Ministri i Shtetit, Papastavru, deklaroi se “cështja Beleri është thellësisht evropiane, nuk është dypalëshe. Ajo ka të bëjë me respektimin e shtetit të së drejtës.” Si në rastin e parë, ashtu edhe në të dytin, këndohet i njëjti refren – gënjehet. Në tre intervista publike kam thënë se ka Direktivë të BE që cështjet dypalëshe nuk duhet të bëhen cështje të 27-shes. Edhe raporti i Komisionerit Vareli thotë se kjo është cështje bilaterale. Komisioneri është korrekt. Gjermania, po ashtu, e theksoi hapur këtë të vërtetë para pak ditësh.
Kemi të bëjmë me ndërhyrje të shfrenuar, jashtë cdo norme të njohur dhe të pranuar ndërkombëtarisht, në punët e brëndëshme të një vendi sovran, duke keqpërdorur anëtarësinë e saj në BE. Ka një partizanllëk grek të shfrenuar të përmendjes të të drejtave të personave që i përkasin pakicave kombëtare! Kjo ndodh për vite tashmë, ndërkohë që, vetë Greqia, nuk e ka ratifikuar, nuk e ka futur në fuqi, nuk e njeh Konventën Kuadër të Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare”! Kjo Konventë është ratifikuar nga Shqipëria me Ligjin Nr 8496, datë 03 qershor 1999. Ajo Konventë është dokumenti më i latrë moral në fushën e mbrojtjes të pakicave kombëtare.
Përpjekjet dhe sulmet greke në këtë drejtim bazohen në një numër bëmash të njohura: imponimi i qindra mijëra shqiptarëve, të ciilët emigruan në Greqi, për të ndryshuar emrin dhe përkatësinë fetare në ortodoke nëse donin të qëndronin atje; dhënia e pensioneve dhe sigurimeve himariotëve; përpjekjet e ethëshme për të rritur artificialisht numrin e njerëzve të etnisë greke ku personat që u përkasin pakicave kombëtare banojnë tradicionalisht ose përbëjnë mbi 20 % të numrit të përgjithshëm të popullsisë në një njësi adminsirtative, për cka përdoren të gjithë mekanizmat e ndërhyrjes politike, të inteligjencës, OJQ-ve, mediave, etj., që të arrihet ai cak dhe për të marrë statusin e minoritetit, të zonës minoritare. Ai prag është standart i pranuar në përgjithësi bazuar në përvojat evropiane, rekomanduar gjithashtu edhe nga ekspertë të Këshillit të Evropës. Në fund janë përpjekjet që synojnë kriijimin e një lloj “hinke” të pandarë, që lidh zonat minoritare në Gjirokastrës dhe Delvinë me bregdetin, duke përfshirë Himarën.
Greqia do përpiqet, sic ka bërë këto dy vitet e fundit, të përdorë edhe mekanizmat e censusit që është duke u përgatitur. Censusi do dhe duhet të ndjekë me vëmëndje dhe profesionalizëm maksimal vetëm standartet e njohura ndërkombëtare! Asnjë raport i ndonjë profesori universitar dhe konsulenti të parapaguar nuk duhet vendosur para tërësisë të neneve të qarta të Konventës Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare.
Opinioni i Komitetit Këshillues të Konventës Kuadër mbi gjëndjen e pakicave në Shqiopëri rekomandon respektimin strikt të parimit të vetë-deklarimit. Por kjo nuk duhet të lerë në hije parimin tjetër të Knvventës për përdorimin e dy kritereve: atë subjektiv dhe atë objektiv. Parimi i vetë-deklarimit nuk mund të jetë faktor vendimtar në mbledhjen e të dhënave. Ai parim strikt duhet bërë duke marrë parasysh strikt, po saktësoj, Nenin 3 të Konventës Kuadër si dhe raportin shpjegues, seksioni 1, neni 3, paragrafi 1, presje 35.
Qëndrimi i Shqipërisë është i mbështetur mbi këtë bazë ligjore të detyrueshme, që gjen zbatim edhe në ligjin e Shqipërisë për minoritetet. Cështja bëhet delikate se Komisioni Evorpian tenton dhe anon të mbështesë pozicionin e anëtarit të saj – Greqisë, duke e keqinterpretuar Nenin 3 të Koncventës Kuadër. Ky nen e thotë qartë, po e shënoj sic është e shkruar anglisht, “every person belonging to a national minority”, dhe jo “every person belonging to Albania…”. Shqipëria ka pasur statistika për minoritetet që nga raportimet e para në Lidhjen e Kombeve në vitin 1923 dhe në vazhdim. Ato egzitojnë edhe sot. Nëse Komisioni Evropian bën sikur heziton, ose nuk kupton, atij i duhet kërkuar që të sqarojë mirë, mbështetur në një bazë ligjore saktësisht të identifikueshme, kërkesën për përdorimin e parimit strikt të vetë-deklarimit, si dhe të përcaktojë qartë cilat janë kriteret objektive që duhet të përdorë vendi ynë për të përcaktuar statusin e minoritarit. Ndryshe uji shkon në mullin e Vorio Epirotëve.
* * *
Zhvillimet duhen vendosur në sfondin e mentalitetit, të psiqikës, të jetës dhe të mitologjisë moderne që mbijeton në Greqi, të orientimit dhe lëvizjeve të saj, ndërtimit të marrëdhënieve ndërkombëtare, të jetës të brendëshme politike të PASOK dhe Demokracisë të Re (me të njëjtët drejtues në breza!)
Formimi i një imazhi realist, ku duhet të spikasë se jemi njëlloj, ose me fare pak ndryshime, sectë tjerët nuk kanë më shumë gjera më të mira nga ne, nevoja për të njohur më mirë vlerat reale, jo artificiale, duhet të jenë baza. Jo vetëm demokracia, por edhe anarkia, janë fjalë greke. Roli dhe raison d’etre i Greqisë të krijojnë përshtypjen se historia dhe realitetet i ngjajnë, pa shtrembërime, atij vetëmashtirmi dhe iluzioni që politikanët grekë i marrin për të vërteta dhe tentojnë me forcë t’i shesin kudo si të tilla.
Kjo ndodh se shikohet e njëjta linjë që pat filluar në vitin 1880, duke harruar se sot, me bumin informatik dhe të komunikacionit, njerëzit arrijnë të kuptojnë mirë dhe shpejt fijet e dukshme dhe të padukshme, lëvizjet dhe synimet. Ngjarjet në disa “xhepa” të Ballaknit, që ende vijojnë dhe rëndojnë mbi kurrizin e njerëzve të rajonit, nuk duhen parë si dukuri të shkëputura. Në ato dukuri, rol të ndjeshëm kanë lujtur vecanërisht politikat e disa ballkanasve dhe të disa evropianëve dhe vendeve evropiane.
Greqia me të drejtë krenohet për historinë e lashtë të Athinës Perikleniane dhe për kontributin e madh dhe të pamohueshëm që ajo i dha qytetërimit. Sot duket se harrohet që ajo bukuri magjepsëse kulturore, arti dhe qytetërimi antk grek pat vdekur kohë para lindjes të Krishtit. Dymijë vjetët e mëpasme të historisë greke harrohen në favor të asaj epoke. Midis saj dhe Bizantit duhet kërkuar, në fakt, ku gjendet realisht identiteti dhe rrënjët e qytetërimit modern grek, të Greqisë të sotme. Hendeku është mjaft i madh.
Mitologjia mbi të cilën është themeluar Greqia, duke shkuar thellë në të kaluarën, ka mundur të përvetësojë trashëgiminë shoqërore, morale dhe intelektuale të Athinës, Spartës, Maqedonisë të Lashtë, Romës dhe Bizantit. Njëkohësisht, edhe të pajtojë të papajtueshmet: demokracinë athinase me Aleksandrin e Madh, që grekët duan ta përvetësojnë patjetër, dhe politeizmin pagan me kristianizmin ortodoks. Rezultati qe prodhimi i tiranisë të absolutes: të gjithë ata që nuk janë me ne janë kundër nesh dhe, të gjithë ata që nuk janë tanët nuk egistojnë! Strefani i Bizantit, filozof grek i shek. VI, citohet të ketë thënë: “mitologjia është ajo që kurrë nuk ka qenë, por që gjithëmonë është”.
Në simbiozë me nacionalizmin evropian, ai mit e tjetërsoi veten në një mekanizëm të fuqishëm identitet-prodhures dhe, në fillimet e shek. XIX, hodhi themelet e një shteti ekskluzivist dhe ekspansionist. Iu bë thirrje sofistikimit historik, që shkonte deri te trashëgimtarët e vetëafirmuar të Athinës të Lashtë dhe Bizantit. Historia ka provuar se ata kanë dalur shumë të fituar nga ajo, shpesh në kurriz të të tjerëve.
Kështu, absurditetet njerëzore cuan në relativizëm pasionant. Legjitimitetet filluan të parplasen, identitetet filluan të mohojnë njeri-tjetrin. Rezultati: një partenogjenezë kombëtare, që Stefan Zvajgu e ka quajtur „megallonania e të voglit“. Historia dhe e vërteta na Ballkan, dhe mjaft më gjerë përtej tij, janë konsiderata nacionale. Në Greqi ato prodhohen dhe rikrijohen, sipas një historiani grek, nga mafia arkeologjike dhe një establishment akademik, që ruan marrëdhënie specifike me shtetin. Të hedhësh më të voglin dyshim ndaj versionit zyrtar është t’i bësh të përkëdhelësh rrezikun. Ndjeshmëria greke është shumë ekstreme dhe lehtësisht e lëndueshme. Kryesorja është se ky realitet nuk merr aspak parasysh se edhe popujt të tjerë mund të kene, dhe kanë, të drejtë të barabartë që të jenë po aq të ndjeshëm dhe të lëndueshëm sa dhe ata.
* * *
Pas mbarimit të Luftës të Parë Botërore, që njihet dhe si Lufta e Madhe, Greqia iu vu punës për ngritjen e një shteti kombëtar, i siguruar mbi bazë etnike. Grekët qenë të prirur të besonin se cfarëdo që të bënin, aleatët perendimore, pa diskutim, do të përkrahnin një shtet të krishterë dhë trashëgimtarin e Greqisë të Lashtë përkundrejt turqve myslimanë. Ky besim naiv bëri që ata t’i futen rrugës të Megali Idesë – kthimi te mëmëdheu i cdo pëllëmbe tokë të Greqisë historike. Me bekimin e protektorëve anglo-francezë, Greqia iu bashkua Deklaratës të Balfurit, nisi ekspeditën për në Azinë e Vogël, por i bëri gabim llogaritë.
E vetëdeklaruar trashëgimtare e Bizantit dhe depozituese e trashëgimisë të Athinës, Greqia është, në të njejtën kohe, një vend i ri. Ajo nuk ngurrroi t’i mohonte shtetit të vogël fqinj në veri të drejtën për të gëzuar kohezionin e tij kombëtar pa probleme, dhe për të ecur drejt një të ardhme evropiane.
* * *
Disa fjalë, sa lejon një shkrim gazetaresk, për të ashtuquajturin Vorio Epir. Ka rreth 140 vjet që Greqia ka filluar, cka vazhdon edhe sot, të propagandojë nocionin e Epirit të Veriiut (Vorio Epir) dhe të pretendimeve për të. Propaganda intensive, nuk hezitoj të them edhe e paskrupullt, duke përfshirë masivisht sferat politike, akademike, OJQ dhe mediat, ka arritur që nocioni Vorio Epir disi të përvetësohet dhe të përdoret sot edhe nga ndonjë kancelari evropiane. Por, ai nocion përdoret JO NË KUPTIMIN e tij të VERTETË. Ai trajtohet si dukuri që egziston, që përbën shqetësim dhe që kërkon trajtim dhe zgjidhje, pa u thelluar në vërtetësinë historike.
Deri në vitet 1912-1913, me ndarjen e Ballkanit sipas linjave që vendosi Kongresi i Berlinit i vitit 1878, termat apo nocioni i Epirit të Veriut dhe vorioepirotëve, sic e quajnë grekët popullsinë që jeton sot atje, nuk janë përmendur në asnjë dokument. Kjo flet vetë për një realitet – se termi Vorio Epir nuk përfaqëson ndonjë nocion gjeografik të Epirit si territor.
Ndarja adminstrative e Perandorisë Bizantine para pushtimit Osman në shek. XV e më tej, dhe hulumtimi i dokumentave përkatës të asaj periudhe, u japin vend të vecantë Epirit, për të cilin mund të thuhen disa gjëra.
Epiri përbën një krahinë dhe njerin nga shtetet e Ilirisë të Jugut. Ai shtrihej nga Malet e Vetëtimës (Akrokeraunet antike) dhe në rrjedhën e mesme të Vjoses, deri në Gjirin e Ambrakisë në Jug, dhe nga malet e Pindit në Lindje deri në brigjet e Detit Jon në Perëndim. Si emër i përvetshëm gjeografik ai filloi të njihet nga fundi i shek. VI p.e.r.; në fund të Shek. IV p.e.r. mori kuptim të përcaktuar politik. Fiset që banonin këtë trevë ishtin Tesprotët, Kaonet dhe Molosët, Ato dolen si forma politike më vete në luftën e Peloponezit. Sundimtari i Molosëve, Terypa, krijoi edhe shtetin Lidhja e Molosëve. Pas mesit të Shek. IV p.e.r., ata arritën te Aleanca Epirote, që ishte një shtet federalist në kohën e Aleksandrit Molos (342-31 p.e.r.). Etapa e Tretë është sundimi i Pirros (307-272 p.e.r.), i cili shtiu nën sundim edhe pjesë të Maqedonisë, Thesalisë dhe disa krahina greke të Ambrakisë, Amfilokisë dhe Akarnanisë.
Shteti monarkik epirot e humbi rëndësinë në vitet 30-të të Shek. III p.e.r. dhe u kthye në shtet republikan, i njohur me emrin Lidhja Epirote. Më pas ai ra nën sundimin romak dhe, pas vitit 148 p.e.r., u bë pjesë e provincës maqedone. Me reformën e Deoklicianit, emërtimi Epir shtrihet deri në brigjet e Vjosës. Ai u quajt Epir i Ri (Epir Nova), për t’u dalluar nga pjesa tradicionale, që u quajt Epir i Vjetër (Epirus Vetus). Në trevën e Epirit të Vjetër, në fillim të Shek. XIII, u krijua i ashtuquajturi Despotati i Epirit. Nga Shek. XV e këtej nuk bëhej më dallim midis Epirit të Ri dhe Epirit të Vjetër.
Epirit i Ri u krijua si provincë e Prefekturës të Ilirikumit – Ilirisë – nga reformat e Deoklicianit. Ai përshinte krahinat e Shqipërisë të sotme, qëndrore dhe jugore, nga Lumi Mat deri në Lumin Vjosa, dhe qeverisej nga një Konsullar. Ai kishte si qendër Dyrrahiumin. Edhe Epiri i Vjetër përfshihej në Prefekturën e Ilirikumit, dhe shtrihej nga Lumi Vjosë deri në Gjirin e Ambrakisë. Ai qeverisej nga një Hegjemon dhe kishte si qendër Nikopolin (Preveza e sotme).
Një numër autorësh të lashtë, si Herodoti, Tukididi, Straboni, të cilët mbahen si baballarët e historisë greke, kanë arritur në perfundim për përcaktimin e Epirit si territor dhe si popull, duke dëshmuar se kjo hapsirë (Epiri) nuk përshinte pjesë të Greqisë. Sipas Strabonit, Greqia kufizohej me Akarnian (sot Malet e Pindit) dhe me gjiun e Ambrakisë në Veri, si dhe me territorin e quajur Epir, të banuar nga barbarë, sic i quanin grekët e lashtë të gjithë ata që nuk flisnin greqisht. Pra, që i takon një race tjetër, barbarëve. Ka jo pak autorë dhe shkencëtarë seriozë evropianë që kanë dëshmuar se Epiri nuk ka qenë ndonjëherë grek. Egzistojnë edhe disa harta zyrtare të botuara në Angli, Gjermani dhe Austro-Hungari në shekujt e kaluar, ku përmendet emri Shqiperi e Jugut, dhe jo percaktimi Epir.
Koncepti gjeografik dhe politik i Epirit është Epir i Vjetër dhe Epir i Ri. Ndarja e Epirit në Epir të Veriut dhe në Epir të Jugut nuk ka asnjë vërtetësi historike! Emri Vorio Epir është një koncept, një nocion politik, një falsifikim i të vërtetës historike për Epirin, për trashëgiminë dhe gjeografinë e tij. Ai është krijim i atyre qarqeve që, si platformë politike shtetërore, në Asamblenë Kombëtare të Greqisë (1848), përmes Kryeministrit Jan Koteli, shpallën Megalo-Idenë (Idea e Madhe) si themel i egzistencës të Greqisë.
Synimi: krjimi i shtetit të madh etnik grek në kufijtë e Perandorisë Bizantine, ku do përfshiheshin edhe popullsi të tjera ballkanike, si shqiptarë, bullgarë, maqedonas, etj. Objekt i këssaj platforme ishte përfshrija në shtetin grek të një pjese të tokave shqiptare, më specifikish, dhe krahinat e Korcës dhe Gjirokastrës, mundësisht edhe më shumë, që fuqitë e mëdha i patën njohur si pjesë të shtetit shqiptar, pasi i dhuruan Greqisë rajonet më jugore shqiptare në Epir, si Camërinë dhe krahina të tjera, si Janinën dhe Kosturin.
Për arritjen e këtij synimi u krijua, u përdor dhe vazhdon të përdoret dhe sot, në formë të paskrupullt, koncepti i ashtuqaujtur Vorio Epir. Kjo ka qenë baza e politikës greke gjatë shekujve 19-20 në politikën kombëtare dhe ndërkombëtare. Fatkeqësisht edhe sot duket se predominon orientimin e politikës greke ndaj Shqiperisë, pavarësisht me cfarë velloje dhe etiketimesh bëhen përpjekje për ta mbuluar. Këshilli Evropian, Komisioni Evropian, bëjnë sehir, ose sapo kanë filluar të thonë ndonjë fjali.
Nje analize brilante!
Faleminderit, coja per botim ndonje gazete greke te shohim si do pataksen me te verteta.
Bravo Ambasador, respekte!
nje mrekulli e vertete ky shkrim
Komment
Greket jane mesu te fitojne ndeshjen me goditje nen brez.Mashtrojne arbitrin dhe i mbushin mendjen vetes se jane me te zgjuarit e me te fortit.Kesaj rradhe,me forcen e argumentit ligjor dhe historik,ambasadori yne,me nje te majte nen mjeker,i uli ne bithe(sic do te thoshte gjyshja ime delvinjote).Per mendimin tim,me shume se greket “nacional shoviniste”,kete shkrim duhet ta asimilojne politik beresit europiane,te cilet kane dhe forcen qe ti thone Greqise Mjaft me te tilla qendrime.