Në 13 vjetorin e vrasjes së 4 protestuesve nga plumbat e shtetit, familjarët ende kërkojnë drejtësi. Ish-kreu i Gjykatës së Kasaconit, Zef Brozi në një intervistë për Report Tv i bën thirrje Prokurorisë së Posaçme që të fillojë hetimet për 21 janarin dhe drejtësia të vihet në vend. Hapi i parë që duhet të bëjë SPAK, sipas Brozit, është marrja në pyetje e kryeministrit të asaj kohe, Sali Berishës.
“Hetimi i 21 janarit duhet të fillojë nga Sali Berisha. Po nuk filloi që aty kjo do të jetë një turp tjetër i SPAK i gjykatave dhe i drejtësisë shqiptare në përgjithësi”, tha Brozi.
Në intervistën për gazetarin Nertil Agalliu, Brozi thotë se arsyeja përse hetimet duhet të merren nga SPAK është se urdhëruesi i aktit terrorist të 21 janarit dhe zinxhir komandues janë ish-zyrtarë.
Kjo ngjarje nga më të rëndat, Brozi shprehet se nuk u zbardh me urdhër të Berishës, i cili sabotoi hetimin. E prandaj ai thekson se pikërisht nga Berisha që mori peng drejtësinë, SPAK duhet të nisë hetimet dhe të përballë ish-kryeministrin me drejtësinë.
“SPAK duhet ta marrë në hetim 21 janarin. Është i vonuar, dhe jam disi i zhgënjyer për këtë fakt siç mund të jenë shumica e shqiptarëve. Do ta marr sepse urdhëruesi i aktit terrorist të 21 janarit dhe disa të tjerëve të zinxhirit komandues janë ish zyrtarë të lartë. Sot disa janë edhe deputetë”, tha Brozi për Report Tv.
Por, jo vetëm për 21 janarin, ish-kreu i Kasacionit thekson se Berisha duhet të merret në pyetje edhe për masakrën e Gërdecit, ku 26 persona mbetën të vdekur.
Brozi inkurajon institucionet e drejtësisë që të vënë para përgjegjësisë ligjore ish-zyrtarë apo zyrtarë të lartë për krimin e korrupsionin e tyre të çdo kohe, ndërsa uron që aksush të mos ndihet më i paprekshëm në Shqipëri.
Sot shënohen 13 vite nga 21 janari 2011, ku 4 protestues të pafajshëm u vranë nga plumbat e punonjësve të shtetit gjatë protestave të PS. Ende sot e kësaj dite, zemra e familjarëve të Aleks Nikës, Ziver Veizit, Hekuran Dedës dhe Faik Myrtajt, qan për drejtësi.
ZBARDHJA E PLOTË E INTERVISTËS ME ZEF BROZIN
Çdo 21 janar familjarët kërkojnë drejtësi, por dosja e 21 janarit është në Prokurorinë e Tiranës, a duhet që SPAK ta rihapë me themel këtë dosje?
BROZI: Para se të përgjigjem pyetjes, meqenëse jemi në një vit të ri, uroj që të gjithë shqiptarët kudo që janë të kenë një vit sa më të mirë dhe, së pari me shëndet sa më të mirë. Lidhur me pyetjen që bëni, po, SPAK duhet ta marrë në hetim 21 janarin. Është i vonuar, dhe jam disi i zhgënjyer për këtë fakt siç mund të jenë shumica e shqiptarëve. Do ta marr sepse urdhëruesi i aktit terrorist të 21 janarit dhe disa të tjerëve të zinxhirit komandues janë ish zyrtarë të lartë. Sot disa janë edhe deputetë. Sabotuesi i hetimit dhe pengmarrësi i drejtësisë ishte kryeministër në atë kohë, ishte Sali Berisha. Dhe aty duhet që SPAK ta fillojë hetimin, për mendimin tim.
Ndërkohë zoti Brozi është dërguar për ekspertizë në Itali predha që i mori jetën Aleks Nikës, a është kjo një indicie që tashmë e dërguara, e çuara për ekspertizë e kësaj predhe në Itali që SPAK duhet medoemos të nisë hetimet?
BROZI: Dërgimi i predhës që vrau Aleks Nikën për riekspertizë apo për ekspertizë është vetëm një detaj i krimit shtetërorë të 21 janarit, pra që mund ta shtyjë SPAK, por nuk është e vetmja provë.
Cilat janë provat e tjera?
BROZI: Më të plota kanë qenë që me 21 janar e në vazhdim. Dhe falenderojmë median dhe shtypin, gazetarët që e filmuan, që e dëshmuan për çfarë ndodhi me 21 janar. E mbajë mend nga Amerika unë duke parë lajmet e atij akti të tmerrshëm shtetërorë dhe analizat me prova që filluan të na shpalosin gazetarët, ju media dhe shtypi mbrojtët të vërtetën, ju lumtë! Ishim kurajozë, të gjithë ata që i rezistuan diktaturës së asaj periudhë dhe folën të vërtetën, pa shtypin dhe median që shpalosi me zë dhe figurë çfarë realisht ndodhi, mbase e vërteta do të ishte fundos përgjithmonë.
Për 21 Janarin nuk janë marrë, apo nuk kanë dhënë dëshmitë e tyre eksponentë të kohës që nga Ish-kryeministri e deri tek Ministri i Brendshëm apo edhe drejtues të tjerë. A duhet që të merren dëshmitë e tyre?
BROZI: Mosthirrja e Sali Berishës për të dhënë shpjegime për 21 janarin është edhe një fakt tjetër që dëshmon se organet e drejtësisë nuk bënë hetime të plota e gjithëanëshme për atë krim shtetërorë që komandohej nga Kryeministria. SPAK mendoj unë duhet ta fillojë hetimin nga pyetja e Ish-kryeministrit, Ish-ministrit të Brendshëm dhe shumë ish-zyrtarëve të tjerë përfshirë këtu mbase edhe Ish-presidentin. Mesa mbaj mend një mjek në spitalin ushtarak dha një version që dëshmon tjetër, sesi thelbi ishte parapërgaditur për ta manipuluar të vërtetën. Janë shumë që duhet të dëshmojnë. Mesa mbaj mend u ngrit edhe një komision hetimor për grupin puçist, përfshinte presidentin, Ish-Prokurorin e Përgjithshëm, gazetarë. Pra ka kaq shumë dëshmi për 21 janarin sa mendoj unë është krimi më i lehtë për t’u hetuar.
Pikërisht këtë doja të thoja, ju keni thënë për shembull edhe në një reagimin tuaj më parë që ky është krimi më i lehtë. Pse është krimi më i lehtë?
BROZI: Është krimi më i lehtë sepse çuditërisht arkitekti i këtij krimi shtetëror, i këtij akti terroristë shtetërorë e ka pohuar vetë me zë, me figurë në media, në televizion në takime të ndryshme se ai ishte i gatshëm të vriste jo tre a katër por, edhe dhjetë e tridhjetë, apo treqind e më shumë të tjerë. Madje mbaj mend në një nga ato paraqitjet e tij u shpreh se vetë do i jepte edhe plumbin ballit ish-drejtuesit të opozitës asaj kohe. Është e tmerrshme. Pra nëse SPAK dhe Gjykata e Posaçme kanë vullnetin dhe kurajon për ta hetuar 21 janarin seriozisht, deri tani 21 janari nuk është hetuar. Janë marrë çuditërisht vetëm me lojën e predhave. Jo, hetimi i 21 janarit duhet të fillojë nga Sali Berisha. Po nuk filloi që aty kjo do të jetë një turp tjetër i SPAK i gjykatave dhe i drejtësisë shqiptare në përgjithësi.
Gjykata Evropiane e të drejtave të njeriut disa ditë më parë e quajti një krim shtetëror 21 janarin?
BROZI: Po, kjo gjykatë tha një të vërtetë që shqiptarët e kanë parë vetë që me 21 janar, brenda dhe jashtë Shqipërisë. E pamë se kush i vrau dhe sesi u veprua pas vrasjes së këtyre qytetarëve të pafajshëm që sot janë edhe dëshmorë të demokracisë. E pamë sesi u organizua, dhe sesi ndodhi ai krim shtetërorë. Atë që nuk bëri dot Prokuroria dhe Gjykatat shqiptare e bëri Gjykata Evropiane. Dhe ky vendim i kësaj gjykate mendoj se është edhe detyrim që SPAK dhe Gjykata e Posaçme të hetojnë e gjykojnë gjithë zinxhiri komandues të 21 janarit duke filluar nga kryeministri i asaj kohe, Ministri i Brendshëm i asaj kohe dhe në vazhdim. Të gjithë zyrtarët e tjerë të implikuar në sabotimin e hetimeve, në pengimin e hetimeve, në tentativat për të zhdukur provat dhe në zhdukjen e tyre. Të mos harrojmë se kryeministri i asaj kohe i mori peng gardën, i mbajti për disa kohë mesa mbaj mend që nuk i lejoi të dilnin nga rrethimi i kryeministrisë, pikërisht për të sabotuar dhe penguar hetimet. Shqiptarët mesa duket kanë një memorie shumë të shkurtër, disa shqiptarë jo të gjithë. Sidomos ata që i shkojnë pas Saliut, non-gratës. Kanë një memorie dhe harrojnë sa krime të tmerrshme janë bërë në diktaturën berishiane.
SPAK po heton edhe dosjen Gerdeci dhe ish Ministrin Fatmir Mediu, ndërkohë është thirrur për të dëshmuar dy herë djali i Ish-kryeministrit Berisha, Shkelzen Berisha. Cili është komenti juaj?
BROZI: Mendoj se edhe Gërdeci si çdo krim tjetër ku zyrtarë të lartë ishin implikuar nuk është hetuar plotësisht, është fokusuar vetëm në një aspekt në anën teknike të aksidentit. Por shkaku i vërtetë është korrupsioni i pushtetarëve të asaj kohe. Edhe nëse gjykatat, SPAK dhe prokuroria duan ta hetojnë e gjykojnë korrupsionin që shkaktoi dhe tragjedinë e Gërdecit ata duhet patjetër të marrin në pyetje edhe Ish-kryeministrin e atij akti tjetër kriminal të shtetit.
Pra duhet që edhe Ish-kryeministri Berisha të merret në pyetje e të dëshmojë për tragjedinë e Gërdecit?
BROZI: Edhe qytetari që nuk ka asnjë klasë shkollë, aty do ta fillonte hetimin. Ndërsa Prokuroria dhe Gjykatat shqiptare vetëm nëse s’kanë vullnet apo dëshirë, apo duan disa prokurorë e gjyqtarë të vazhdojnë të jenë gardianë të Sali Berishës, të paprekshmërisë së tij atëherë ato mbase nuk do ta marrin në pyetje.
Sali Berisha është shpallur non-grata, dhe tashmë është nën hetim për privatizimin e ish klubit Partizani së bashku me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi. Është në arrest shtëpie, pas vendimit të fundit të GJKKO-së, ndërkohë vijon e mban fjalime përpara militantëve nga ballkoni i apartamentit të tij?
BROZI: Unë mendoj se SPAK dhe Gjykata e Posaçme vazhdojnë ta përkëdhelin dhe priviligjojnë Sali Berishën. Mendoni çfarë do t’i ndodhte një qytetari të zakonshëm që në mënyrë të vazhdueshme do të shkelte dhe moszbatonte vendimet e Gjykatës së Posaçme apo të çdo gjykate tjetër? Pra kjo tregon se sa punë duhet në Shqipëri, që të vendoset shteti i së drejtës, ku të gjithë qytetarë e pushtetarë të jenë njësoj të përgjegjshëm para ligjit para drejtësisë. Kjo edhe pse unë e përgëzoj SPAK edhe Gjykatën e Posaçme për disa hapa pozitivë që po bëjnë. Unë u bëj thirrje të gjithë qytetarëve, medias, shtypit t’a mbështesim SPAK, Gjykatën e Posaçme dhe drejtësinë në përgjithësi për çdo hap që marrin për të vënë para përgjegjësisë ligjore ish-zyrtarë apo zyrtarë të lartë për krimin e korrupsionin e tyre të çdo kohe.
Përveç dosjes Gërdeci dhe 21 Janari, kush janë dosjet e vjetra që sipas jush drejtësia shqiptare duhet t’i rihapë ?
BROZI: Fatkeqësisht e them me dhimbje që mali i krimeve, korrupsionit të këtyre 30 e sa viteve është i jashtëzakonshëm dhe për fat të keq janë përfshirë shumë ish pushtetarë, pushtetarë apo politikanë. Mbase nuk është vendi të listojë të gjitha ato krime, por mos të harrojmë edhe 97, 98-ën. 98 ishte grusht shteti. Këtë vit kam mësuar që i ishte hequr imuniteti Sali Berishës nga Parlamenti, por prokuroria nuk e mori as në pyetje as të pandehur. Kjo tregon se edhe gjatë qeverisjes së Nanos prokuroria komandohej nga kryeministri i asaj kohe. E tmerrshme, e papranueshme!
Duhej të ishte marrë në pyetje, në hetim për grushtin e shtetit të vitit 98 Ish-kryeministri Berisha?
BROZI: Unë kam pyetjen pse i’u hoq imuniteti? A ju hoq thjeshtë për të bërë një shaka? Kjo tregon mos seriozitetin apo frikën e prokurorisë që ka bërë atë kërkesën. Unë nuk jam në dijeni të plotë se çfarë ka ndodhur, e kam mësuar pikërisht nga një intervistë më duket e këtyre muajve të fundit. Ju bëjë thirrje të gjithë prokurorëve, gjyqtarëve qëndrojini larg politikës. Politikanët mund t’ju përdorin, mund t’ju shtrydhin dhe t’ju hedhin si leckë në atë momente që nuk do të bëni atë që ato dëshirojnë. Zbatoni ligjin me korrektësi, me prova. Kini kurajon për të vërtetën, Shqipëria pret shumë nga drejtësia shqiptare. Institucionet ndërkombëtare presin shumë nga drejtësia shqiptare. Sot me të drejtë ne shohim që reputacioni i SPAK ka filluar të rritet, por SPAK është akoma larg pritshmërisë së qytetarëve shqiptarë për sa kohë krimet e 21 janarit apo të 97, 98, edhe korrupsionet e gjithë periudhave të zyrtarëve të lartë nuk do hetohen dhe gjykohen në mënyrë objektive dhe me vendosmëri. Pra unë uroj që më në fund askush mos të ndihet i paprekshëm në Shqipëri. Askush, qoftë ky president, kryeministër, ministër, deputetë, apo çdo pozitë shtetërore-politike që të ketë. Mendoj se drejtësia shqiptare i ka një borxh shumë të madh Shqipërisë dhe çdo qytetari shqiptarë. Unë ju bëjë apel edhe ju, e të gjithë medias që t’a ndihmoni SPAK-un, meqë po afron 21 janari t’a ndihmoni duke ripërsëritur, duke i’a paraqitur publikut me figurë dhe zë atë që ndodhi. Ndihmojeni SPAK-un duke i’a dërguar këto materiale, që dosja të jetë sa më e plotë. Kjo do të ishte edhe një kontribut tjetër që media, kushdo që ka prova mund të kontribuojë për të vërtetën dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së zyrtarëve më të lartë në Shqipëri.
/a.d