Ish-kryetari i Kasacionit: Reforma në drejtësi e rëndësishme, por nëse nuk vë para drejtësisë Saliun e gjithë klanin e tij të korruptuar e zhytur në krim, çdo pushtetar të inkriminuar, nuk do ishte realisht reformë. Duhet të zbardhet akti terrorist shtetëror i 21 janarit dhe Gërdecit. Drejtësia të veprojë mbi Sali përgjuesin.
Në pjesën e dytë të intervistës për “TemA”, ish-kryetari i gjykatës së Kasacionit Zef Brozi shprehet se reforma në drejtësi ka kuptim dhe mund të quhet fuinksionale vetëm atëherë kur Sali Berisha për krimet e tij të vendoset para drejtësisë. Për të, të kishte qënë një prokurori dhe gjyqësor i pavarur, ish-kryeministri do të ishte duke vuajtur dënimin tani jo në Kuvend si deputet. Për të provat egzistojnë pasi i ka pranuar dhe vetë dhe sipas Brozit, për aktin terrorist shtetëror të 21 janarit dhe të Gërdecit, por dhe vjedhjen e parave të ‘Rrugës së Kombit’ drejtësia duhet të veprojë. Duke vlerësuar reformën në drejtësi dhe mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë, Brozi nuk mungon të nënvizojë faktin se kreu i SHISH ka shkelur ligjin, duke u përfshirë në lojën e përgjimeve pa informuar Kryeministrin, por vetëm “Sali përgjuesin”, ndërkohë që Rama për të duhet të zbatojë ligjin. Ish-kreu i Kasacionit vlerëson punën e kryetarit të bashkisë Erion Veliaj, dhe i bën thirrje presidentit Nishani që të mos e turpërojë më këtë vend. Për Brozin Presidenti duhet të zgjidhet vetëm nga populli.
Bazuar në përvojën tuaj, mendoni se ka ngjashmëri situata e tanishme kundër SHBA dhe BE për reformën me kohën e fillimviteve ’90 kur Berisha përplasej me SHBA për demokracinë?
…..Do ta konsideroja jo vetëm naive nëse ndonjë shqiptar apo ndërkombëtar ka besuar se Sali Berisha ka ndryshuar, se nga dhunues i pavarësisë së gjyqësorit, prokurorisë dhe institucioneve të tjera, ai mund të mbështesë një reformë drejtësie që ia heq atij dhe politikanëve pushtetin mbi këto institucione. Edhe në vitin 2005 ndërkombëtarët dhe disa në Shqipëri për fatin e keq të vendit tonë të dashur menduan se Berisha kishte ndryshuar, se ky tiran që gjakosi e dogji Shqipërinë më 1997-ën dhe organizoi grushtin e shtetit më 1998-ën, papritur ishte transformuar në një demokrat të vërtetë ndaj edhe duhej votuar që të rikthehej në pushtet. Tetë vitet e tij si kryeministër, 21 Janari 2011, “Gërdeci”, disa vrasje të tjera me motiv politik dhe korrupsion i qeverisjes së tij që e solli Shqipërinë në prag të humnerës ekonomike, janë disa fakte që përsëri treguan se Berisha as kishte ndryshuar, as do të ndryshojë. Prandaj gjëja më e mirë që mund të bëhet është që ndërkombëtarët dhe shqiptarët as të mos e privilegjojnë, as të mos i përgjërohen më atij, por sa më larg tij, aq më mirë për ata dhe Shqipërinë.
Shpesh herë reforma në drejtësi, nga politikanë të ndryshëm po artikulohet dhe si një mundësi për futjen e Sali Berishës dhe ish-ministrave të tij në burg. A mos vallë po e tremb atë dhe njerëzit e tij një kërcënim i tillë, sa të sjellë dhe reagimin kundër me të gjitha mënyrat dhe mjetet për të bllokuar reformën në drejtësi?
Nëse reforma në drejtësi nuk vë para drejtësisë Berishën, klanin e tij të korruptuar dhe zhytur në krim dhe çdo pushtetar që kryen krim, atëherë ajo nuk do jetë realisht reformë. Reforma në Drejtësi duhet të arrijë që të gjithë pa dallim, pra politikanë, pushtetarë e ish-pushtetarë, gjyqtarë e prokurorë të përgjigjen njësoj para ligjit e drejtësisë si çdo qytetar tjetër. Pra kjo reformë synon dhe duhet t’i japë fund Pandëshkueshmërisë së pushtetarëve dhe politikanëve, sepse qytetarët e thjeshtë e kanë provuar dhe do ta provojnë mbi vete gjithnjë forcën e ligjit dhe pushtetit, madje jo rrallë edhe egërsisht.
Në të vërtetë, duhet të përgjigjet dikush për shpërthimin e Gërdecit ku mbeten të vrarë 26 njerëz të pafajshëm, vrasjen e katër demonstruesve të opozitës më 21 janar, abuzimin me “Rrugën e Kombit”, vrasjen e deputetit Xhindi etj?
Të gjitha këto krime dhe shumë të tjera duhen hetuar dhe fajtorët edhe të rangjeve të larta të përgjigjen para ligjit. Le të fillohet sa më parë hetimi i Saliut për aktin terrorist shtetëror të 21 Janarit 2011 të urdhëruar prej tij. Edhe sabotimi dhe pengimi i hetimeve të 21 Janarit dhe fshehja e zhdukja e disa provave të krimit janë krim tjetër i Sali Berishës. Për fatin e mirë dhe falë medias dhe disa gazetarëve kurajozë, provat për këtë krim të rëndë shtetëror janë të shumta dhe të qarta. Për më tepër, vetë Saliu ka pranuar publikisht inkriminimin e tij. Pra nëse Shqipëria do të kishte prokurori e gjyqësor të pavarur, Saliu sot nuk do ishte në Parlament por duke vuajtur dënimin. Me zemër e them se si qytetar unë do gëzohesha dhe do preferoja që Saliu dhe të gjithë ish- pushtetarët, politikanët dhe pushtetarët të ishin e të jenë gjithnjë të painkriminuar dhe shërbëtorë me integritet ndaj qytetarëve dhe popullit te tyre.
Ka kohë që ka shpërthyer debati për dekriminalizimin. Dha dorëheqjen kreu i bashkisë Kavajë Elvis Roshi dhe menjëherë fillon hetimi penal nga Prokuroria. Ndërsa zbardhen dokumente për deputetin e PD Flamur Noka se nuk ka përfshirë në formularin e vetëdeklarimit takimin me shërbimin sekret ish-jugosllav dhe më pas ngjitjen e tij të shpejtë në politikë deri në postin e Ministrit të Brendshëm apo për deputetë të tjerë të PD nuk ka asnjë indicie, pavarësisht se ka akuza konkrete, mendoni se prokuroria vepron me dy standarde?
Pa asnjë hezitim zyrtarët dhe pushtetarët që nuk zbatojnë të gjitha detyrimet që u ngarkon atyre ligji i dekriminalizimitn duhet të “kriminalizohen”, pra të ndëshkohen sipas ligjeve.
A është në gjendje drejtësia shqiptare të zbatojë ligjin pa dallime në Shqipëri?
Vetëm gjyqtarë e prokurorë të ndershëm dhe kurajozë, vetëm një gjyqsor e prokurori realisht të pavarur dhe jo të inkriminuar e në kthetrat e politikës, do të mund të bëjnë drejtësi të barabartë për të gjithë sipas ligjit. Eshtë detyrë e politikës, Parlamentit dhe gjithe shoqerisë shqiptare t’i bëjnë këto institucione të tilla sa më parë. Miratimi i Reformës në Drejtësi është një hap i rëndësishëm në këtë drejtim.
Si e vlerësoni debatin mes mazhorancës dhe opozitës për çështjen e përgjigjimeve, përzierjen e Presidentit Nishani, mosraportimin e kreut të SHISH tek kryeministri dhe veprimet e kryeprokurorit? Mendoni se institucionet e sigurisë po shfrytëzohen politikisht nga një forcë politike dhe sa e dëmton imazhin e vendit?
Edhe nga përvoja ime në vitet 1994-1995 ku nga telefoni i zyrës, i shtëpisë dhe kudo që shkoja isha nën përgjimin dhe survejimin e SHIKU-t (pra të Berishës), si edhe nga faktet e përgjimeve të politikanëve, pushtetarëve, diplomatëve, apo edhe disa qytetarëve të tjerë gjatë këtyre 25 viteve në Shqipëri, dihet se ka një person që as e zë gjumi dhe as jeton dot pa përgjuar apo marrë e sajuar informacion nga përgjimet dhe pa e keqpërdorur këtë farë informacioni për interesat e pushtetit të tij personal. E ka bërë këtë edhe me miqtë e bashkëpunëtorët e tij, e ka bërë edhe me kundërshtarët e tij politikë. Ai quhet Sali përgjuesi. Dhe ky qëllimisht bën lëmsh edhe Presidentin, edhe SHISH, edhe Prokurorinë sepse i ka nën urdhërat e tij. Ndërsa Kryeministri Rama nuk ka pse ta tolerojë edhe më tej sjelljen dhe aktet e paligjshme e flagrante të SHISH ndaj kryeministrit të Shqipërisë . Por unë mendoj se nuk duhet humbur kohë dhe energji me përgjimet, dhe as duhet shpresuar se në kohën e sotme të perfeksionimit të teknologjise gjërat, bëmat, bisedat etj., mund të mbeten sekrete.
Edhe një pyetje të fundit: Presidenti Nishani ka kthyer pothuajse të gjitha ligjet e mazhorancës, përfshirë dhe atë pronave etj duke e bërë të hapur përballjen me Ramën dhe qeverinë. Mendoni se dhe përfshirja në debatin për këndin e lojrave për të cilin kërkoi hetim ndërkombëtar është një përpjekje e Nishanit për të qënë në syrin e Berishës që të pretendojë për t’u rikthyer në politikë?
Për sa kohë Presidenti në Shqipëri nuk zgjidhet nga populli por emërohet nga një kryetar partie dhe votohet nga Parlamenti kështu ka ndodhur edhe më parë, do ndodhë mbase edhe në të ardhmen. Prandaj duhet t’i jepet popullit e drejta për ta zgjedhur presidentin i cili duhet të jetë përfaqësuesi i unitetit të popullit dhe jo ushtar i bindur i kryetarit a ish kryetarit të partisë.
Lidhur me kërkesën për hetim ndërkombëtar për parkun e lodrave të fëmijëve më duket se po bëni shaka jo të këndëshme dhe nuk dua ta besoj. Por nëse kjo është e vërtetë, miqësisht i them Presidentit të mos na e turpërojë Shqipërinë me marrëzira të tilla, por të shkojë e të gëzojë me fëmijët në parkun aq të bukur tek Liqeni. Me këtë rast i uroj të gjithë fëmijët dhe prindërit e të afërmit e tyre që do të shkojnë tek ai park fë mijësh: Ta gezoni parkun tuaj dhe kërkojuni pushtetarëve të ndërtojnë edhe sa më shumë parqe e kënde të tjera lojrash për fëmijë. Asgje nuk është më e shtrenjtë dhe e çmuar se ju fëmijët e Shqipërisë, prandaj nuk duhet të lejojmë askënd t’ju neglizhojë apo të abuzojë me ju. Dhe mos u frikësoni sepse parkun tuaj të ri tek Liqeni nuk do të guxojë kush t’ua prishë. Unë bashkoj falenderimin tim me ju femijë dhe të gjithë ata që e kanë uruar dhe do ta urojnë Erionin, kryetarin energjik të Bashkisë së Tiranës: Bravo dhe faleminderit Erion!