Një 35-vjeçar u arrestua nga Policia e Shkodrës, e cila parandaloi një ngjarje të rëndë kriminale
Gjatë ditës së djeshme, Anton Preçi i ka zënë pritë në rrugën Shkodër-Velipojë, në fshatin Bërdicë, automjetit ku udhëtonte 54-vjeçari N.D me të cilin kishte konflikte të vazhdueshme për motive që policia i përcakton “të dobëta”.
35-vjeçari i ndërpreu rrugën qëllimisht me automjetin e tij. Por më pas është larguar, dhe ka shkuar përpara banesës së 54-vjeçarit ku ka qëlluar në ajër me armë zjarri kallashnikov dhe është larguar.
Për parandalimin e përshkallëzimit të këtij konflikti, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe pasi janë vënë në ndjekje të autorit bënë të mundur arrestimin në flagrancë të tij.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 gëzhoja, model 56, kalibër 7.62 mm.
Ai do të hetohet nga Prokuroria e Shkodrës për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Prishja e qetësisë publike”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”










