Zbutet neni, që fillimisht e konsideronte si të pa regjistruar çdo tatimpagues i cili konstatohet se kryen veprimtari në adresa të padeklaruara, duke rrezikuar sekuestrimin e mallit. Tani merr vetëm gjobë…
Ligji i ri procedurave tatimore që kaloi në Kuvend ka ngjallur debate për penalitetet e larta ndaj biznesit.
Në nenin 5 të projektligjit propozohej fillimisht që për qëllime të ligjit të procedurave tatimore konsiderohet se ushtron veprimtari ekonomiko-tregtare pa u regjistruar çdo tatimpagues i cili konstatohet se kryen veprimtari në adresa të padeklaruara, për të cilat nuk ka kryer përditësimin e të dhënave në përputhje me nenin 43 të ligjit.
Përditësimi i vendndodhjes së biznesit është detyrim ligjor dhe moszbatimi i këtij detyrimi ligjor konsiderohet se tatimpaguesi i shmanget vetëdeklarimit të vendndodhjes së biznesit të tij dhe kryen veprimtari ekonomike-tregtare të paregjistruar.
Neni që trajon si evazorë ata që janë në rregull me tatimet, por nuk kanë përditësuar adresat hasi në kundërshtinë e deputetëve në kuvend.
Masa ndëshkuese për këto raste ishte parashikuar gjoba 500 mijë lekë dhe konfiskimi i mallit. Deputetët opozitarë dhe jo vetëm, iu drejtuan znj Beqiraj, zvministrie e Financave duke thënë se, një biznes që për një arsye të caktuar nuk ka sjellë përditësimin e adresës nuk duhet të trajtohet njësoj me masë ndëshkuese sikurse ai qe kryen kontrabande apo ka parregullsi të mëdha.
Znj Beqiraj u shpreh e bindur se ky nen është i drejtë duke qenë se, përditësimi i të dhënave sjell konfuzion për adresën, kasën etj. Të gjithë deputetet e Komisionit të Ekonomisë kanë kërkuar një riformulim të nenit duke mos e miratuar atë.
Në fakt, neni u riformulua, duke vlerësuar se nevojitet një diferencim midis subjekteve të cilat nuk përditësojnë adresën por që kyejnë aktivitet ekonimik me dokumenta tatimor ndaj atyre të cilët nuk kryejnë aktivitetin ekonomik në këtë mënyrë.
Në riformulimin e nenit është hequr sanskioni për konfiskimin e mallit dhe është lënë vetëm gjoba. “ Ç‘do tatimpagues,i cili konstatohet se kryen veprimtari në adresa të padeklaruara, për të cilat nuk ka kryer përditësimin e të dhënave në përputhje me nenin 43 të këtij ligjit, por mallrat që mban në ruajtje, përdor apo transporton janë të shoqëruara me dokumente tatimore, dënohet me gjobë prej 500.000 (pesëqind mijë lekësh) ”/Monitor/









