Në mes të radhëve që prisnin për të kaluar në Kakavijë, është zbuluar një rast i tentativës së trafikimit të lëndëve narkotike.
Pas informacioneve të marra në rrugë operative, Policia e Gjirokastrës zhvilloi operacionin antidrogë të koduar “Fluksi”, në kuadër të të cilit u arrestuan K. M., 22 vjeç, banues në fshatin Karjan, Gjirokastër dhe Dh. K., 48 vjeç, banues në Kotë, Vlorë.
Arrestimi i tyre u bë pasi gjatë mbasdites së djeshme, 22-vjeçari K.M., është kapur në flagrancë duke transportuar me automjetin e tij drejt kufirit grek, dy çanta brenda të cilave kishte 21 kg lëndë narkotike kanabis sativa si dhe lëndë narkotike e presuar në trajtën e çokollatës, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Nga veprimet e kryera hetimore rezultoi se lëndën narkotike do ta transportonte për në Greqi shtetasi Dh. K.
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi J. K., si organizator i kësaj veprimtarie kriminale.
Po kështu gjatë kontrollit të banesës së shtetasit K.M., u konstatuan të kultivuara disa bimë narkotike.
Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe “Kultivim i bimëve narkotike”.
/a.r