ISIS paguan për të rekrutuar njerëz nga Ballkani, që nuk dyshohen, për t’u infiltruar në Itali e në Europë.
Gazeta italiane “Il Secolo XIX” shkruan sot se kërkesat që duhen plotësuar janë dy: të njohin mirë italishten dhe të dinë të përdorin mirë kompjuterin. Paratë që marrin në këmbim janë shumë, së paku për standardet lokale, dy mijë euro në muaj.
Alarmin e ka dhënë shërbimet inteligjente italiane dhe e konfirmojnë hetimet: Shqipëria është një problem i madh për Italinë (rrjedhimisht edhe për Europën), fronti i ri i luftës kundër terrorizmit islamik.
Objektivi është infiltrimi në ambientet islamike italiane përmes shqiptarëve që nuk janë të dyshuar.
Opinioni botëror thuajse nuk e njihte ende ISIS kur Giuliano Delnevo u gjet i vrarë në Siri. I riu xhenovez, i konvertuar në fenë islame, me emrin Ibrahim, u nis të luftonte diktatorin Assad. Ai luftoi në brigadën e Lavdrim Muhaxhirit, që vepronte në emrin e Abu Omar Al Shishani, që u bë një nga liderët e Daesh në Siria. Por kush e ndihmoi atë të luftonte me radikalët? Sipas prokurorisë së Xhenovas, ishte një rrjet rekrutuesish me bazë në Ankona, pika kyce për lidhjet në Ballkan.
Pjesa e dytë e historisë përfshin një sipërmarrës italian, që u bë shënjestër e Guardia Di Finanzia për udhëtimet e tij të shpeshta në Shqipëri.
Ai u zbulua se trafikonte substanca që përdoreshin për ndërtimin artizanal të mjeteve shpërthyese, me destinacion final Sirinë.
Pjesë e rrjeteve të zbuluara në Itali kanë qenë shumë herë edhe shqiptarë të Shqipërisë apo Kosovës. ISIS kërkon të flasin italisht mirë dhe Shqipëria është plot me të tillë. Kjo shpjegon edhe pse alarmi që vjen nga Ballkani nuk ka qenë kurrë kaq i lartë.
Il Secolo XIX