Ministria e Arsimit dhe Sportit ka miratuar udhëzimin për pranimet në ciklin e parë të studimeve për vitin e ri akademik 2016-2017. Në këtë udhëzim, MAS-i përcakton hapat se si maturantët do të vijojnë procedurat për aplikimin në institucionet e arsimit të lartë. Për herë të parë në udhëzim përcaktohet se të njëjtat procedura aplikimi do të ndjekin edhe maturantët që do të aplikojnë në universitetet private. Për të hedhur të dhënat në sistem, maturantët duhet të paguajnë faturën prej 2 mijë lekësh, dhe më pas, nga data 1 deri në 11 gusht 2016 ata do të kenë kohë të plotësojnë formularin e aplikimit online në portalin ‘Matura Shtetërore’, ku kanë të drejtën të zgjedhin 10 degë studimi. Sipas udhëzimit të MAS-it, fituesit do të shpallen nga universitetet, në bazë të kritereve që ata kanë përcaktuar dhe kuotave të pranimit.
Agjencia Kombëtare e Provimeve ngarkohet që brenda datës 16 gusht t’u dërgojë universiteteve listat e aplikuesve për çdo program studimi, dhe më pas ato të bëjnë shpalljen e studentëve fitues në datën 5 shtator 2016. Pranimet në universitet edhe këtë vit do të jenë me dy raunde, duke u dhënë një shans të dytë edhe maturantëve të cilët do të kalojnë me sukses provimet në vjeshtë që të aplikojnë në universitet. Pasi, raundi i dytë i aplikimeve do të bëhet në fund të muajit shtator, pikërisht në datat 23 shtator-1 tetor 2016. Në udhëzimin e MAS-it përcaktohen datat se kur do shpallen fituesit si dhe datat e regjistrimit, të cilat këtë vit për shkak të procedurave të reja do të zgjasin deri në mesin e muajit tetor. “Gazeta Shqiptare” zbardh të plotë udhëzimin e MAS-it, ku të interesuarit mund të gjejnë hapat dhe procedurat e aplikimit. Në këtë udhëzim përcaktohet edhe periudha se kur do zhvillohet konkursi i pranimit në ato universitete që i kanë si kusht, siç janë Universiteti i Arteve dhe ai i Sporteve. Konkurset do zhvillohen në periudhën 20-30 gusht.
HEDHJA E TË DHËNAVE NË PORTAL
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla që prej datës 22 korrik 2016 ka firmosur udhëzimin për procedurat e aplikimit dhe regjistrimit në programet e ciklit të parë të studimeve me karakter profesional dhe programet e integruara të studimit të ciklit të parë për vitin akademik 2016-2017. Në pikën e parë të këtij udhëzimi, MAS-i përcakton hapat e hedhjes së të dhënave në portalin ‘Maturanti’, dhe më pas përzgjedhjen e programeve të studimit në portalin ‘Matura Shtetërore’ online. Portali ‘Maturanti’ është një sistem elektronik baze të dhënash, i cili administron të dhënat e rezultateve të të gjitha viteve të arsimit të mesëm. “Përzgjedhja e programeve të studimit dhe regjistrimi i fituesve të shpallur nga IAL-të, sipas kritereve të përcaktuara me vendim senati prej tyre, do të bëhet nëpërmjet portalit të ‘Maturës Shtetërore’ online.
Ky portal është sistem elektronik baze të dhënash i cili administron; procedurat e aplikimit nga maturantët me Formularët A1 dhe AZ; rezultatet e Maturës Shtetërore; procesin e përzgjedhjes së preferencave në programet e studimit të IAL-ve (publike dhe jo publike); regjistrimin e studentëve të shpallur fitues nga IAL-të. Në udhëzim përcaktohet se përzgjedhja e programeve të studimit nga kandidatët për programet e ciklit të parë të studimeve, programet e studimeve me karakter profesional dhe për programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, me kohë të plotë, në institucionet e arsimit të lartë (IAL), në vitin akademik 2016-2017 fillon pas përfundimit të procesit të hedhjes nga drejtoritë e shkollave në portalin ‘Maturanti’, të të dhënave lidhur me rezultatet e të gjitha viteve të arsimit të mesëm. Për të gjithë maturantët e vitit shkollor 2015-2016, të cilët kanë aplikuar me Formularin A1, nga drejtoritë e shkollave hidhen në portalin online ‘Maturanti’, të gjitha të dhënat e lidhura me rezultatet e shkollimit të të gjitha viteve të arsimit të mesëm. Për kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm para 2016-ës, dhe që kanë aplikuar me Formularin A1Z, nga drejtoritë e shkollave ku ata kanë kryer aplikimin, hidhen të dhënat e viteve të gjimnazit në portalin online ‘Maturanti’. Po ashtu, në udhëzim përcaktohen edhe procedurat që do të ndiqen për ata që kanë studiuar jashtë vendit. “Kandidatët që kanë përfunduar gjimnazin jashtë vendit dhe kanë aplikuar me Formularin A1Z, nga drejtoritë e shkollave ku kanë kryer aplikimin do t’u hidhen të dhënat e arsimit të mesëm në portalin ‘Maturanti’”.
RAUNDI I, APLIKIMI & KUSHTET
Të gjithë kandidatët, për ndjekjen e studimeve në universitetet publike dhe private, në ciklin e parë të studimeve Bachelor, duhet të kryejnë procesin e aplikimit online në portalin e Maturës Shtetërore. Të drejtën të aplikojnë e kanë kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë, janë pajisur me dokumentacionin ligjor të këtij niveli arsimor, nuk rezultojnë të regjistruar në asnjë program studimi, në universitetet publike apo private, plotësojnë kushtin e notës mesatare 6 të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, si dhe kriteret e vendosura nga universitetet publike dhe private për programet e studimit për të cilat aplikojnë. Në udhëzimin e MAS-it, përcaktohet se maturantët përpara se të bëjnë aplikimin në portalin e maturës, duhet të kryejnë pagesën e tarifës së aplikimit në vlerën 2.000 lekë, në zyrat e postës apo në bankat e nivelit të dytë në llogari të AKP-së. Maturantët mandatin e pagesës së tarifës së aplikimit e dorëzojnë në shkollat ku kanë kryer plotësimin e Formularit A1/A1Z. Vetëm pas dorëzimit të këtij mandati pagese, sekretaritë e shkollave hedhin në sistem notën mesatare për pranimin e maturantëve në ciklin e parë të studimeve. Afati i fundit është data 10 gusht 2016. Kriteri i notës mesatare 6, nuk është kusht vetëm për ata kandidatë që do të aplikojnë në programet dyvjeçare me karakter profesional.
“Të gjithë kandidatët që duan të ndjekin studimet në institucionet e arsimit të lartë, përfshirë edhe kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm jashtë vendit, pas pagesës së tarifës së aplikimit dhe hedhjes në sistem të notës mesatare, do të aplikojnë në Portalin e Maturës Shtetërore, nëpërmjet formularit të aplikimit, për çdo DAR/ZA sipas kalendarit të mëposhtëm, në datat 0l-11 gusht 2016”, përcaktohet në udhëzim. Aplikimi nëpërmjet formularit të aplikimit në Portalin e Maturës Shtetërore, kryhet në cilindo mjedis që ka akses interneti. Kandidatët hyjnë në portal me kredencialet e tyre: ID-ja e kandidatit; emri, atësia, mbiemri; karta e identitetit; e-maili i kandidatit etj., duke zgjedhur deri në 10 programe studimi nga lista e programeve të studimit që ofrohen nga 34 universitetet publike dhe jopublike, për vitin 2016-2017. Sistemi i Portalit të Maturës Shtetërore nuk do të pranojë aplikime nga kandidatë të cilët nuk plotësojnë kriterin e notës mesatare, të përcaktuar me vendim nga Këshilli i Ministrave, si dhe kriteret specifike të përcaktuara nga universitetet. P.sh., nëse një kandidat e ka notën mesatare të gjimnazit më të vogël se 8.5, sistemi nuk i lejon atij aplikimin në programet e studimit si Mjekësi e Përgjithshme, Stomatologjia apo Farmaci në Universitetin e Mjekësisë.
SHPALLJA E FITUESVE NGA UNIVERSITETET
Sipas afateve që MAS-i ka përcaktuar në udhëzim, AKPja brenda datës 16 gusht 2016 duhet që listën e aplikantëve që konkurrojnë në programet përkatëse të studimit t’ua përcjellë universiteteve. Ndërkohë që, brenda datës 30 gusht 2016, AKP-ja ngarkohet që universiteteve t’u përcjellë listën e aplikuesve për çdo program studimi, së bashku me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme, rezultatet e provimeve të Maturës Shtetërore, si dhe tregues vlerësimi të tjerë të nevojshëm për renditjen dhe shpalljen e fituesve nga ana e IAL-ve.
Universitetet publike dhe jopublike që në kriteret e tyre kanë përcaktuar konkurs/testime etj., do t’i afishojnë listat e kandidatëve pjesëmarrës në konkurset e pranimit më datë 16 gusht 2016, në mjediset e tyre, dhe do t’i realizojnë këto konkurse në periudhën 20-30 gusht 2016. Brenda datës 4 shtator, këto universitete duhet të hedhin në sistemin informatik pikët e secilit kandidat në konkurrim. “Institucionet e arsimit të lartë e kryejnë procesin e përzgjedhjes së kandidatëve fitues në bazë të kritereve që kanë përcaktuat nga ana e tyre. Për çdo program studimi që ofrojnë, universitetet publikojnë listat e renditjes së kandidatëve fitues dhe formulën/ mënyrën e përzgjedhjes. Në listën e publikuar, fituesi i fundit përcaktohet me vijë të kuqe, në varësi të kuotave të ofruara për programin përkatës të studimit. Kandidatët kanë të drejtën e ankimimit brenda tri ditëve kalendarike nga dita e shpalljes së fituesve. IAL-të detyrohen të shprehen me vendim të argumentuar lidhur me ankimimin, brenda dy ditëve punë nga dita e paraqitjes së ankesave. Vendimi i universitetit ankimohet në gjykatën kompetente. Universitetet shpallin listat jopërfundimtare të kandidatëve fitues me ID-në e kandidatit, në faqen elektronike brenda datës 5 shtator. Në datën 6 shtator ia dërgon në formë elektronike AKP-së”, përcaktohet në udhëzimin e MAS-it. Pas procesit të ankimimit, në datën 11 shtator universitetet shpallin listën përfundimtare të fituesve.
REGJISTRIMI NË SEKRETARI
Të gjithë kandidatët që kanë kryer procesin e aplikimit në raundin e parë dhe janë shpallur fitues nga IALtë, duhet të kryejnë procesin e regjistrimit online dhe me dokumentacion në sekretaritë mësimore të universiteteve në programin e studimit ku dëshirojnë të vazhdojnë studimet në datat 13-20 shtator 2016. Kandidati që është shpallur fitues në më shumë se një program studimi, lejohet të regjistrohet vetëm në një program studimi ku është fitues. Sekretaritë mësimore do pranojnë dokumentacionin për të gjithë kandidatët fitues. Dokumentacionin që duhet të dorëzohet e gjeni në tabelën bashkangjitur shkrimit.
RAUNDI II & KUOTAT BOSH & AFATET
Pranimet në universitetet publike dhe private do të jenë me dy raunde, duke u dhënë shans për të aplikuar edhe atyre maturantëve që kanë ngelur. Pasi raundi i dytë i aplikimit u jep mundësinë që të aplikojnë edhe maturantëve kalues në provimet e sezonit të vjeshtës së maturës, i cili zhvillohet në fillim të muajit shtator. Sipas këtij udhëzimi, drejtoritë e shkollave hedhin në portalin online ‘Maturanti’, të gjitha të dhënat e lidhura me rezultatet e shkollimit sapo dalin rezultatet e provimeve të maturës në vjeshtë. Të gjitha IAL-të brenda datës 22 shtator, i dorëzojnë AKP-së kuotat e paplotësuara për çdo program studimi. Në këtë raund të dytë, kanë të drejtën të aplikojnë të gjithë ata maturantë që kanë kaluar me sukses provimet e maturës në vjeshtë, ata maturantë që kanë plotësuar Formularin A1/A1Z por nuk kanë arritur të aplikojnë në raundin e parë, kandidatët që kanë aplikuar, por nuk janë shpallur fitues në raundin e parë apo nuk kanë arritur të regjistrohen.
Këta kandidatë kanë të drejtë të plotësojnë formularin e aplikimit në portalin “Matura Shtetërore” në datat 23 shtator- 1 tetor 2016, sipas datave për DAR/ZA që i keni në tabelën e mëposhtme. Kandidatët që nuk kanë aplikuar në raundin e parë, duhet të bëjnë pagesën prej 2 mijë lekësh në mënyrë që të dhënat e tyre të hidhen në sistem. Në këtë raund të dytë, AKP-ja u dorëzon universiteteve listën e aplikantëve brenda datës 4 tetor 2016, së bashku me notat e tri viteve të shkollës së mesme dhe rezultatet e provimeve të maturës. Udhëzimi i MAS-it përcakton se universitetet shpallin listën paraprake brenda datës 6 tetor 2016, dhe pas periudhës së ankimimit ata shpallin listën fituese të studentëve të raundit të dytë, në datën 12 tetor 2016. Regjistrimet e fituesve bëhen online dhe në sekretaritë mësimore me dokumentacionin përkatës nga data 16 tetor deri në datën 20 tetor 2016. Sipas udhëzimit të MAS-it, regjistrimi i studentëve fitues do të vijojë deri në plotësimin e kuotave për çdo program studimi, duke respektuar renditjen në listë.
BW