Policia e Tiranës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur pesë ditë më parë në rrugën “Vasil Ndoçka”, ku një sasi lënde plasëse shpërtheu në makinën e një qytetari.
Operacioni i koduar “Porosia” ka çuar në pranga 7 persona, ndërsa një tjetër që ndodhet në burg është identifikuar si porositësi i këtij sulmi.
Nga hetimet doli se i burgosuri S. N. kishte urdhëruar vendosjen e eksplozivit në mjetin e shtetasit O. K., ndërsa autori kryesor që vendosi lëndën plasëse është 32-vjeçari J. G.
Ky i fundit u ndihmua nga disa shokë të tij, të cilët i treguan vendndodhjen e makinës, i dhanë biçikletën me të cilën lëvizi natën e ngjarjes dhe e strehuan pas shpërthimit.
Tre persona të tjerë u arrestuan pasi ndihmuan autorin të largohej me makinë menjëherë pas krimit. Gjatë aksionit, policia sekuestroi si prova veshjet që autori mbante veshur atë natë, biçikletën, makinat e përdorura nga grupi dhe telefonat e tyre celularë.
Të gjithë të arrestuarit, të cilët njihen si persona me precedentë penalë, tashmë do të përballen me drejtësinë për shkatërrim prone dhe përkrahje të autorit të krimit.











