Ditën e djeshme një 25-vjeçar i quajtur Emanuel Preçi ka mbetur i plagosur me armë zjarri në Laç, ku ka marrë plumb në këmbë. Ai është dërguar në spitalin e Traumës në Tiranë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vijim të punës për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorit, të plagosjes me armë zjarri të 25-vjeçarit, ndodhur ditën e djeshme në qytetin e Laçit, ku falë veprimeve të shpejta hetimore, shërbimet e Policisë Kurbin, bënë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar të kësaj ngjarje shtetasit Kadri Kurtaj (Imeri), shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontrolle të pandërprera në banesa dhe ambiente në të cilat kishin informacion që mund të fshihej autori i plagosjes së Emanuel Preçit.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesën e dajës se autorit të dyshuar shtetasit Agron Koçi, shërbimet e Policisë kanë gjetur armen e zjarrit tip automatik me krehër me 28 fishekë, me të cilën dyshohet së është plagosur Preçi.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesë janë gjetur dhe një armë tjetër zjarri e llojit pushkë, 8 kallëpe me lëndë plasëse tritol, fitil zjarrëpërcjellës, 70 kapsolla detonatore dhe 1.3 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin ka bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit: Agron Koçi, 52 vjeç, banues në Kurbin, për veprat penale ” Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit dhe lëndëve shpërthyese” , “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe ” Përkrahja e autorit të krimit”.
Nga veprimet hetimore rezultoi së shtetasi Kadri Kurtaj( Imeri), pasi ka plagosur 25-vjeçarin, për motive të dobëta është larguar nga vendngjarja për në banesën e shtetasit Agron Koçi, (dajës së tij), i cili e ka ndihmuar për të fshehur armën e zjarrit automatik dhe me pas të largohej.
Shërbimet e Policisë vijojnë punën intensive për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorit të dyshuar shtetasit Kadri Kurtaj.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.











