Policia e Shkodrës ka zbardhur ngjarjen e një ditë më parë, ku iu bë atentat shefit të policisë bashkiake, Mentor Hasanajt, i cili po udhëtonte me familjen e tij me makinë. Në njoftimin zyrtar të policisë thuhet se në kërkim është shpallur një i ri, 19 vjeç me iniciale I.H.
Po ashtu policia thote se në vendin e quajtur Livadhe, ka gjetur motomjetin pa targa, një skafandër dhe sende të tjera që ishin përdorur nga autori i ngjarjes.
Njoftimi i policisë
Zbardhet brenda pak orësh ngjarja e ndodhur mesditën e djeshme në aksin rrugor Shkodër-Koplik.
Identifikohet me prova shkencore e biologjike autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur dje më datë 11.10.2020, ku mbetën të plagosur rëndë shtetasit M. H. dhe Xh. H.
Shpallet në kërkim 19-vjeçari I. H.
Sekuestrohet motomjeti i përdorur gjatë kryerjes së krimit dhe prova të tjera materiale.
Strukturat e DVP Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, falë reagimit të shpejtë e profesional, në vijim të hetimeve kanë bënë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar, shtetasit I. H. 19 vjeç, banues në lagjen “Tepe”, Shkodër.
Ky shtetas, më datë 11.10.2020, në orën 12:30, në aksin rrugor Shkodër-Malësi e Madhe, te rrethrrotullimi i “5 Heronjve”, ka qëlluar me armë zjarri dhe ka plagosur rëndë shtetasit M. H. 39 vjeç banues në Grudë Fushë, Malësi e Madhe, me detyre përgjegjës i Policisë Bashkiake Malësi e Madhe dhe shtetasin Xh. H., 74 vjeç, banues në Grudë Fushë, Malësi e Madhe, të cilët po udhëtonin nga Shkodra drejt Malësisë së Madhe, me automjetin tip “Skoda”, në pronësi të Bashkisë Malësi e Madhe.
Gjithashtu, falë reagimit në kohë, rrethimit të zonës dhe kontrollit të imtësishëm të territorit, shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur Livadhe, kanë gjetur motomjetin pa targa, një skafandër dhe sende të tjera që ishin përdorur nga autori i ngjarjes.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me ata të Malësisë së Madhe, vijojnë intensivisht punën për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Nën drejtimin e Prokurorisë, strukturat hetimore të DVP Shkodër po vijojnë punën për zbardhjen e shkakut të kësaj ngjarjeje.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Vrasja e më shumë se një personi” mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.
g.kosovari