Zbardhen amendamentet e plota të Partisë Demokratike për ndryshimet kushtetuese.
Në dokument sqarohen me detaje amendamentet e selisë blu për ndryshime kushtetuese, duke nisur që nga vetingu i politikanëve, apo Reforma Territoriale dhe ajo Zgjedhore.
Gjithashtu, një rëndësi të veçantë marrin edhe personat, që duhet të jenë në listat e kandidatëve për deputetë, ku përjashtohen nga kandidimi, pra mundësia për t’u zgjedhur, të gjithë ata persona që “janë dënuar me burgim, me vendim përfundimtar të formës së prerë, për kryerjen e një krimi, ose shtetasit që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, ose pasuri të pajustifikuar ligjërisht, sipas rregullave të përcaktuara me ligj të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”.
Gjithashtu, PD kërkon edhe rikthimin e koalicioneve politike, teksa thekson se “Kandidatët për deputetë mund të paraqiten vetëm nga partitë politike, nga koalicionet e partive, si dhe nga zgjedhësit”.
PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8417, DATË 21.10.1998 “KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 83 pika 1 dhe 177 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e më shumë se një të pestës së anëtarëve të Kuvendit,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Në ligjin nr.8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
Neni 1
Fjalia e parë, e pikës 3 të nenit 45, ndryshohet si më poshtë vijon:
“3. Përjashtohen nga e drejta për t’u zgjedhur shtetasit që janë dënuar me burgim, me vendim përfundimtar të formës së prerë, për kryerjen e një krimi, ose shtetasit që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, ose pasuri të pajustifikuar ligjërisht, sipas rregullave të përcaktuara me ligj të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.”
Neni 2
Neni 64, ndryshohet si më poshtë:
“Neni 64
1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional me zona zgjedhore shumemërore.
2. Zona zgjedhore shumemërore përputhet me ndarjen administrative të një prej niveleve të organizimit administrativo-territorial.
3. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor proporcional, votën preferenciale për kandidatët, për caktimin e zonave zgjedhore dhe për numrin e mandateve për secilën zonë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.”.
Neni 3
Pika 1, e nenit 68, ndryshohet si më poshtë:
“1. Kandidatët për deputetë mund të paraqiten vetëm nga partitë politike, nga koalicionet e partive, si dhe nga zgjedhësit.”
Neni 4
Pika 1 dhe 3 e nenit 108 ndryshohet si vijon:
“1. Njësitë e qeverisjes vendore janë komunat, bashkitë dhe qarqet. Njësi të tjera të qeverisjes vendore rregullohen me ligj.
3. Komuna dhe bashkia janë njësi bazë të qeverisjes vendore. Komunat përfshijnë vetëm territore rurale, ndërsa bashkitë përfshijnë kryesisht territore urbane dhe vetëm pjesërisht territore rurale. Ato kryejnë të gjitha detyrat vetëqeverisese, me përjashtim të atyre që me ligj u jepen njësive të tjera të qeverisjes vendore.”.
Neni 5
Pas nenit 176 të Kushtetutës, shtohet “Pjesa e Gjashtëmbëdhjetë/1”, me këtë përmbajtje:
“PJESA E GJASHTËMBËDHJETË/1
MEKANIZIMI I GARANTIMIT TË INTEGRITETIT TË FIGURËS SË FUNKSIONARIT PUBLIK
Neni 176/1
Qëllimi i kontrollit të integritetit
1. Kontrolli i integritetit është një proces i posaçëm verifikimi që përfshinë kontrollin e thelluar të pasurisë dhe të pastërtisë së figurës. Ai kryhet me qëllim mbrojtjen dhe garantimin e mirëfunksionimit demokratik të Kuvendit, organeve të qeverisjes vendore, dhe institucioneve kushtetuese, nga ndikimi apo pjesëmarrja në politikëbërje dhe/ose vendimmarrje i funksionarëve që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, ose pasuri të pajustifikuar ligjërisht.
2. Kontrolli i pasurisë nënkupton verifikimin e ҁdo të drejte reale në formën e pronësisë, përdorimit dhe posedimit mbi sendet që përcaktohen në legjislacionin në fuqi për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë, si dhe ҁdo interes privat i subjektit. Pasuria konsiderohet e ligjshme, vetëm nëse përfshinë të ardhura të ligjshme, si dhe ҁdo pasuri tjetër, e fituar me mjete të ligjshme dhe për të cilën ligji në fuqi nuk ka patur ndalesë për funksionarin publik që të fitojë pronësinë, përdorimin apo posedimin.
3. Kontrolli i pastërtisë së figurës për të verifikuar kontaktet e papërshtatshëm me persona të përfshirë në krimin e organizuar nënkupton verifikimin e ҁdo forme kontakti fizik apo jo, me dashje dhe jo rastësore, që përfshin, por pa u kufizuar, takimet ose biseda dhe komunikime elektronike, dhe që nuk përputhen me natyrën e ushtrimit të rregullt të detyrës nga funksionari publik, pavarësisht nëse ka ndikuar apo jo në ushtrimin e saj, me çdo person që është dënuar apo proceduar penalisht, brenda apo jashtë Shqipërisë, për një nga veprat e parashikuara në legjislacionin në fuqi për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë, me përjashtim të rastit kur është deklaruar i pafajshëm me vendim gjyqësor të formës së prerë. Personi konsiderohet i përfshirë në krimin e organizuar edhe kur: a) procedimi penal i filluar ndaj personit pushohet nga organi procedues për shkak të pamjaftueshmërisë së provave, të vdekjes së personit, apo se personi nuk mund të merret si i pandehur dhe nuk mund të dënohet; b) personi deklarohet i pafajshëm penalisht për shkak të pamjaftueshmërisë së provave, apo se vepra penale është kryer nga një person, që nuk mund të akuzohet ose dënohet.
4. Kontrolli i integritetit është i përkohshëm dhe i përhershëm. Kontrolli i përkohshëm kryhet për funksionarët publikë që janë në detyrë në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe duhet të përfundojë brenda 3 vitëve. Kontrolli i përhershëm kryehet brenda një viti nga fillimi i ushtrimit të funksionit për herë të parë, ose në çdo rast kur paraqiten të dhëna shtesë për një funksionar publik që ka kaluar më parë procesin e kontrollit të integritetit. Kontrolli i përhershëm i integritetit zbatohet deri në momentin e antarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
5. Kontrolli i integritetit do të kryhet mbi bazën e parimeve të procesit të rregullt, si dhe duke respektuar të drejtat themelore të individit.
6. Rregullat e hollësishme për kryerjen e kontrollit të integritetit përcaktohen me ligj të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.”
Neni 176/2
Subjektet e kontrollit të integritetit
1. Funksionarët publikë që i nënshtrohen procesit të kontrollit të integritetit janë deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Kryeministri dhe ministrat, Presidenti i Republikës, kryetari i bashkisë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Avokati i Popullit dhe Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit.
2. Kontrollit i nënshtrohen edhe personat e lidhur me funksionarin publik të përmendur në pikën 1, ku përfshihen bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja, fëmijët në moshë madhore, si dhe çdo person tjetër i përbërjes familjare të këtyre funksionarëve. Në rastet e përcaktuara nga ligji, kontrollit i nënshtrohen edhe persona të tjerë të lidhur me funksionarin publik ku përfshihen bashkëshortët e fëmijëve në moshë madhore, vëllezërit dhe motrat dhe bashkëshortët e tyre, personat me miqësi të njohur apo lidhje familjare me funksionarin publik, një zyrtar apo person tjetër me lidhje varësie, qoftë edhe të tërthortë, për shkak të funksionit publik me funksionarin në fjalë, si dhe çdo person fizik apo juridik me të cilin zyrtari ka pasur ose ka marrëdhënie interesi të çfarëdo lloji.
Neni 176/3
Kontrolli i pastërtisë së figurës
1. Funksionari publik dorëzon një deklaratë dhe i nënshtrohen një kontrolli të figures, me qëllim identifikimin e atyre që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar. Kontrolli i figurës për lidhje me personat e përfshirë në krimin e organizuar bazohet në deklaratën për figurën dhe prova të tjera, përfshirë vendimet e gjykatave shqiptare ose të huaja. Deklarata mund të përdoret si provë vetëm në këtë proces dhe në asnjë rast gjatë një procesi penal. Funksionarët publikë plotësojnë dhe i dorëzojnë SPAK një deklaratë të detajuar për figurën e tyre që mbulon një periudhë 10 vjet përpara deri më datën e deklarimit, sipas ligjit. Deklarata mund të përdoret si provë vetëm në këtë proces dhe në asnjë rast gjatë një procesi penal.
2. Nëse funksionari publik ka kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar zbatohet prezumimi në favor të masës së ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra, dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën.
3. Nëse funksionari publik nuk e dorëzon në kohë deklaratën për figurën, apo bën deklarime të pasaktë, ose fsheh kontaktet me persona të përfshirë në krimin e organizuar, zbatohet prezumimi në favor të masës së ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra, dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën.
Neni 176/4
Kontrolli i pasurisë
1. Funksionari publik i nënshtrohen deklarimit dhe kontrollit të pasurive të tyre, me qëllim që të identifikohen ata që kanë në pronësi ose në përdorim pasuri më të mëdha nga sa mund të justifikohen ligjërisht, ose ata që nuk i kanë deklaruar saktësisht dhe plotësisht pasuritë e tyre dhe të personave të lidhur.
2. Funksionari publik dorëzon një deklaratë të re dhe të detajuar të pasurisë në përputhje me ligjin për efekt të kontrollit të integritetit. Funksionari publik duhet të shpjegojë burimin e ligjshëm të pasurive dhe të të ardhurave. Nëse funksionari publik ka një pasuri më të madhe se dyfishi i pasurisë së ligjshme, ai konsiderohet se disponon pasuri të pajustifikuar ligjërisht dhe ndaj tij zbatohet prezumimi në favor të masës së ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra, dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën.
3. Nëse funksionari publik nuk e dorëzon deklaratën e pasurisë në kohë sipas ligjit, apo fsheh ose paraqet në mënyrë të pasaktë pasuritë në pronësi, posedim ose në përdorim të tij, ai konsiderohet sikur disponon pasuri të pajustifikuar ligjërisht dhe ndaj tij zbatohet prezumimi në favor të masës së ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra, dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën.
Neni 176/5
Organet përgjegjëse për kryerjen e procesit të kontrollit të integritetit
1. Pranë SPAK ngrihet Sektori i luftës ndaj korrupsionit dhe garantimit të integritetit në rradhët e funksionarëve të lartë shtetërore, që përbëhet nga 6 prokurorë të SPAK, të zgjedhur me short çdo 3 vjet. Shqyrtimi i çështjes së një funksionari publik për kontrollin e integritetit shqyrtohet nga një Kolegj Vlerësimi i përbërë nga 3 prokurorë nga Sektori i i Luftës ndaj Korrupsionit dhe garantimit të integritetit në rradhët e funksionarëve të lartë shtetërore, të caktuar rast pas rasti me short.
2. Vendimi i konfirmimit në funksion apo moskonfirmimit në funksion merret nga Kolegji i Vlerësimit pranë SPAK. Në rast se vendoset moskonfirmimi në detyrë, funksionari publik pezullohet nga detyra, derisa vendimi të jetë përfundimtar. Për të siguruar funksionimin normal të institucioneve kushtetuese, vendimmarrja në procesin e kontrollit të integritetit bëhet sipas një rradhe dhe afateve të përcaktuar me ligj, që garantojnë vijimin pa ndërprerje të punës së institucioneve kushtetuese. Të parët që i nënshtrohen procesit të kontrollit të integritetit janë anëtarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar të garantimit të integritetit të funksionarëve të lartë shtetërore.
3. Procesi individual për një funksionar publik për kontrollin e integritetit nuk mund të zgjasë më shumë se 1 vit nga momenti që Kolegji i Vlerësimit fillon shqyrtimin e thelluar të çështjes.
4. Vendimi i konfirmimit në funksion i dërgohet për vendimmarrje përfunidmtare Gjykatës së Posacme të Shkallës së Parë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shqyrtimi i çështjes në Gjykatën e Posacme të Shkallës së Parë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar shqyrtohet nga një trupë gjyqësore e përbërë nga një gjyqtar, i caktuar rast pas rasti me short. Nëse tre anëtarë të Komisionit të Posacëm Parlamentar janë kundër vendimit të konfirmimit në detyrë ato paraqesin argumentet e tyre, me shkrim ose në senacë publike, pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mund të vendos lënien në fuqi të vendimit të SPAK për konfirmimin në funksion, ose prishjen e vendimit të SPAK dhe moskonfirmimin në funksion të funksionarit publik. Vendimi i kësaj gjykate për konfirmimin në funksion është përfundimtar.
5. Vendimi i SPAK për moskonfirmimin në detyrë, apo vendimi i Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar për prishjen e vendimit të SPAK për konfirmimin në detyrë dhe moskonfirmimin në funksion të funksionarit publik, mund të ankimohet nga funksionari publik brenda 30 ditëve nga vendimi pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shqyrtimi i çështjes në Gjykatën e Posacme të Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar shqyrtohet nga një trupë gjyqësore e përbërë nga tre gjyqtarë, të caktuar rast pas rasti me short. Nëse vendimi i moskonfirmimit lihet në fuqi, cështja i dërgohet për shqyrtim përfundimtar Gjykatës Kushtetuese
6. Gjykata Kushtetutese vendos përfundimisht që mandati i funksionarëve të zgjedhur ose të emëruar në organet kushtetuese, mbaron ose është i pavlefshëm kur konstatohet se i zgjedhuri ose i emëruari përfshihet në rrethin e subjekteve që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, ose kanë pasuri të pajustifikuar ligjërisht. Në këtë rast, Gjykata Kushtetuese urdhëron ndalimin për tu zgjedhur apo emëruar në një funksion publik për një periudhë 15 vjet. Gjykata Kushtetuese shqyrton çështjen në seancë plenare.
7. Gjatë periudhës së shqyrtimit të ankimit funksionari publik i pezulluar nga funksioni paguhet në masën 75 për qind të pagës. Nëse pranohet ankimi duke shfuqizuar vendimin e moskonfirmimit në detyrë, pjesa prej 25 për qind e pagës i paguhet funksionarit publik për të gjithë periudhën e ndërprerjes. Vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese që urdhëron ndërprerjen e mandatit apo pavlefshmërinë e tij, hyn në fuqi menjëherë.
8. Nëse gjatë procesit të kontrollit të integritetit konstatohen të dhëna që krijojnë dyshimin për kryerjen e një vepre penale nga funksionari publik, SPAK ka detyrimin të nis procedimin penal menjëherë pas marrjes së vendimit përfundimtar për procesin e kontrollit të integritetit.
Neni 176/6
Transparenca dhe monitorimi i procesit
1. Për të garantuar transparencën e procesit si dhe interesin e publikut gjatë procesit të kontrollit të integritetit, pranë Kuvendit të Shqipërisë ngrihet dhe funksionon Komisioni i Posaçëm Parlamentar i garantimit të integritetit të funksionarëve të lartë shtetërorë, i përbërë nga 6 deputetë, 3 nga shumica parlamentare dhe 3 nga pakica parlamentare.
2. Komisioni i Posaçëm Parlamentar i garantimit të integritetit të funksionarëve të lartë shtetërorë do të mbështesë procesin e rivlerësimit nëpërmjet monitorimit dhe mbikëqyrjes së gjithë procesit. Ky Komision i ushtron detyrat e veta sipas rregullores së miratuar nga Këshilli i Legjislacionit. Komisioni i Posaçëm Parlamentar emëron vëzhguesit e tij, nga radhët e juristëve me jo më pak se 10 vjet eksperiencë. Mandati i vëzhguesit ndërpritet nga Komisioni për shkelje të rënda.
3. Anëtarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar ushtrojnë këto detyra:
a) paraqesin gjetje dhe mendime mbi çështje që shqyrtohen nga Kolegji i Vlerësimit pranë SPAK apo Gjykata e Posaçme. Lidhur me këto gjetje, jo më pak se 3 anëtarë të Komisionit të Posaçëm mund të kërkojnë që Kolegji i Vlerësimit pranë SPAK apo Gjykata e Posaçme të marrë në shqyrtim prova ose të paraqesë prova të marra nga organet shtetërore, entitetet e huaja ose personat privatë, sipas ligjit;
c) jo më pak se 3 anëtarë të Komisionit të Posaçëm Parlamentar mund të paraqesin argumente për të kundërshtuar vendimin e konfirmimit në detyrë të një funksionari publik.
ç) kanë të drejtën të marrin të gjithë informacionet menjëherë, të dhënat për persona dhe dokumentet e nevojshme, me qëllim monitorimin e procesit të kontrollit të integritetit në të gjitha nivelet dhe fazat.
Neni 6
Pas nenit 179/b, shtohet neni 179/c me këtë përmbajtje:
“Neni 179/c
1. Mandati i funksionarëve të zgjedhur ose të emëruar në organet kushtetuese, që është fituar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, mbaron ose është i pavlefshëm kur konstatohet se i zgjedhuri ose i emëruari përfshihet në rrethin e subjekteve që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, apo pasuri të pajustifikuar ligjërisht. Nëse funksionari publik që është në detyrë jep dorëheqjen nga funksioni, brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, procesi i kontrollit të integritetit ndërpritet. Në këtë rast atij i ndalohet e drejta për tu zgjedhur apo emëruar në një funksion public për një periudhë 15 vjet.
2. Brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Kuvendi, në përputhje me procedurën e nenit 81, pika 2, të Kushtetutës, miraton ligjin që përcakton kushtet dhe rregullat për garantimin e integritetit të funksionarit publik. Funksionarët e zgjedhur ose të emëruar, përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, detyrohen të dorëzojnë deklaratat përkatëse brenda 45 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit që miratohet sipas kësaj pike.”.
3. Brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Kuvendi, në përputhje me procedurën e nenit 81, pika 2, të Kushtetutës, miraton ndryshimet në ligjin për zgjedhjet.
Neni 7
Ligji nr. 115/2020, datë 30.07.2020 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, ligji nr. 118/2020, datë 05.10.2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe cdo akt nënligjor që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.
Neni 8
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYETARE
LINDITA NIKOLLA