Nga Aristotel Mici
(Vijon)
VIII
Në të vërtertë, nga ana ime, e kishja harruar thënien metaforike që Jakovi i tha mikut të tij të vjeter, me mbiemrin Poro, se unë paskesha qënë një lloj “çelësi” për fushën e Myzeqesë për të. Në atë moment atë fjalë unë e kishja quajtur si një komplimet, që ma kish bërë, duke më njohur me mikun e tij të vjetër. Kurse vetë Jakovi, shumë vjet më vonë, pasi qe botuar romani disa herë, në mes të viteve shtatëdhjetë, do ta rikujtonte dhe shtjellonte idenë e asaj shprehjeje në një artikull botuar në revistën “Nëntori” me titull: Po ta kërkosh do ta gjesh (Gjeneza e një romani). Kjo ide e tij qe shkruar qartë në këtë meditim shumë të rëndësishëm. Po e quaj shumë të rëndësishëm artikullin se me anë të këtij shkrimi kuptojmë filosofinë e Jakov Xoxës për artin e të shkruarit. Në mënyrë të veçantë autori në këtë material të publikuar thekson teorikisht, po edhe praktikisht raportin midis materialit jetësor dhe atij të fantazuar. Këtë problem të procesit krijues ai e realizon qartë dhe bukur, duke u mbështetur në përvojën e vetë letrare dhe estetike.
Dhe tani, kur jam duke folur për takimet e para me Jakovin, më vijnë në mendje disa momente, që kanë lidhje direkt ose indirekt me zanafillën e romanit “Lumi i Vdekur”. Kështu që më duket shumë e natyrëshme të përmend në mënyrë të plotë disa nga paragrfet e artikullit të sipërpërmendur të Jakov Xoxës për romanin e tij të parë, me qëllim që kujtimet dhe reflektimet e mia të jenë sa më të besueshme për lexuesin lidhur me zanafillën e romanit dhe pasqyrimin e jetës në këtë vepër epope të letësisë sonë pas Luftës së Dytë Botërore.
Ja se ç’ ka tregon vetë Jakov Xoxa në artikullin “ Po ta kërkosh do ta gjesh (Gjeneza e një romani)”[1]:
Çdo libër, para se të shkruhet, ka historinë e vet. “Tregimi” i kësaj historie vlen shpesh herë për të kuptuar më mirë një libër, për të kuptuar më thellë qëllimet, përpkjekjet, shqetësimet dhe arritjet relative të krijuesit të saj. Unë do të përpiqem në këtë shkrim t’u tregoj lexuesve prehistorinë e romanit tim të parë.
Mendimi për të shkruar një roman mbi jetën e mjerë të fshatarësisë së varfër e të shtypur të Myzeqesë më ka lindur dhe më ka shqetësuar prej kohësh. Po në atë kohë nuk kisha ende as përgatitjen e duhur ideologjike, as përgatitjen profesionale për të përballuar një tip kompleks kompozicional dhe ideor siç është romani. Kuptohet vevetiu që kjo përpjekje e parë për të shkruar një roman dështoi. Nga gjithë ato faqe dorëshkrimi, hynë në romanin e mëvoshëm vetëm nja dy emra, si p.sh. emri i Sanijes, si dhe fakti historik i emigrimit të jashtëm (ndjekja e e familjes së Sulejman Tafilit nga Kosova dhe vendosja e tyre në Myzeqe). Kështu, në orvajtjen e parë romani fillonte me ikjen dhe peripecitë e karvanit kosovar nga Gostivari në Myzeqe. Ishin këta kapituj disa dhjetra faqe romantike, që u përngjanin karvaneve të ciganëve nëpër filma. Ndersa romani i ardhshëm “Lumi i Vdekur” fillon në Myzeqe, në një han, te Hani i Bishtanakës, një vend takimi ku kryqëzohej emigrimi i jashtëm ( arratisja e familjes së Sulejman Tafilit nga Kosova) me emigrimin e brendshëm (arratisja e familjes së Pilo Shpiragut nga Griza). Në këtë han, në mes të dhembjes së arratisjes dhe frikës ndaj të ardhmes, vdes dhe lind jeta, lidhet miqësia dhe dashuria në mes të njerëzve të varfër, të krahinve dhe besimeve te ndryshme, që i ka bashkuar e njëjta fatkeqësi dhe e njëjta shpresë.
Përpjekjen e dytë dhe përfundimtare për krijimin e një romani të tillë e përsërita në vitin 1957- 1958. Në këtë kohë kisha mbaruar studimet e larta dhe kisha botuar dy vëllime me novella, të cilat, një kritik i ka quajtur jo pa të drejtë etyde të romanit të ardhshëm. Kisha pra, tani, një farë përvoje artistke për të ndërmarrë një krijim të tillë dhe, nga ana tjetër kisha një farë përgatitje ideologjike për të interpretuar në mënyrë materialiste materialin e gjërë dhe kompleks shoqëror e jetësor. Të gjitha këto që kisha, ishin një farë mundësie, por që kjo mundësi të kthehej në vepër duhej një punë e madhe, sepse edhe ajo që trashëgova nga përpjekja e parë ishin gjëra shumë të vogla. E kuptova më mirë këtë kur mora një lejë të gjatë krijuese dhe zbrita në Myzeqe për të rifreskuar kujtimet e mia dhe për të grumbulluar “mullarë” të rinj me material jetësor.
Më kujtohet: sapo ishte kthyer manastiri i Shën-Mërisë së Pojanit në Muzeun arkeologjik të Apolonisë dhe mua më kishin dhënë për të banuar dhomën mbi qemerin e portës së madhe, atje ku vinin dhespotin të flinte, me dritaret nga fshati dhe nga këneta e madhe e Hoxharës, teatër i përpjekjeve gjiganteske për bonifikimin dhe zhvillimin e bujqësisë. Por mbaj mend dhe diçka tjetër: për herë të parë në jetën time, atëherë fillova të gjuaj. Këneta ishte shume afër, thuajse në rrëzë të kodrave dhe nga ish manastiri trashëgoi errësirën, që ndriçohej nga drita e llampës. Kështu që, me gjysëm ore ditë unë shkoja bashkë me shokët e mi për gjah dhe kthehesha me gjysmë ore natë, i ngarkuar më shumë me shushunja se sa me shpendë. Sidoqoftë, në fillim, më mbarë shkoi gjahu i shpendit të kënetës se sa gjahu i materialeve për romanin, kështu që në në njerën nga faqet e fletores sime të shenimeve për romanin “Lumi i Vdekur”, kam shkruar: ”Kam frikë se mos në fund të kësaj leje krijuese do t’i dorëzoj Lidhjes së Shkrimtarëve në vend të kapitujve të romanit, një ditar gjahu”.

Po nuk më shkoi dhe aq ters, megjithë frikën time…. Më 1961 i dorëzova redaksisë së revistës “Nëntori” romanin tim për botim.
Që në fillim të krijimtarisë time jam menduar se, sado e madhe qoftë koka e një shkrimtari, bota, jeta është shumë e shumë herë, pafundësisht më e madhe…Sa më i pasur të jesh në përvojën jetësore, aq më të lirë do ta ndjesh veten gjatë krijimit tend artistik. Kështu biografisë time të ngushtë prej të riu qytetar, përmes jetës aktive në sferën e objektit të krijimit tim, u mundova t’i shtoj botën e madhe dhe historikisht shumë të lashtë të fshatarit tonë të vuajtur e luftëtar.
Është e vërtetë se, ashtu si historianit, i cili nuk mund të bëjë dot pa kabinetin dhe arkivin, shkrimtarit i duhet jeta e gjallë e popullit dhe njëkohësisht edhe një kënd i qetë ku të derdhë frytet dhe përfytyrimet e tija të nxjerra nga ajo jetë. Këto dy elementë të domosdoshëm, pa të cilët është e vështirë të krijosh në art, mua nuk më mungonin në Pojan të Apolonisë: Kisha fshatrat anë e përqark kënetës së madhe të Hoxharës, me një histori të begatë vuajtjesh dhe luftrash, kisha gjithashtu edhe një kënd të qetë, ku mund të mblidheshe, të meditoje e të krijoje pa u trazuar nga askush……….
Megjithëse pas qendrimit relativisht të gjatë nëpër Myzeqe kisha mbledhur një material të pasur dhe interesant, unë nuk e nisa dot menjëherë, ashtu si dëshiroja romanin tim.. Si duket kisha gjetur vetëm bazën, mbi të cilën do të mbaheshin ngjarjet e romanit, por ende nuk kisha ndeshur, ose ende nuk kisha mundur të krijoja me materialin e dhënë, ngjarjen maja, nga e cila do të ziheshin, ngroheshin e vinin (si brumi i bukës) skenat, episodet dhe ngjarjet e romanit. Kisha ndeshur rrënjën e nëndheshme të jetës, po ende nuk kisha endur dot lulen, që ushqehet nga ato dhe përjetëson ato. Procesi artistik i ngjaka një anije misterioze, nga e cila do të duken gjithmonë vetëm majat e direkut, maja që do të mbajë flamurin e kombit dhe tregojnë me rrahjet e atij flamur drejtimin e erës, që i shtyn pëpara.

Por, po të kërkosh, do të gjesh…Do të gjesh edhe lulen, që shpreh më mirë dhe më bukur pemën e vet. Në rrethanat e një kërkimi këmbëngulës në truallin më të përshtatshëm për atë kërkim dhe vetë rasti më i habitshëm kthehet në domosdo. Më kujtohet fare mirë: po dilja nga ndertesa e Institutit të Lartë Pedagogjik. Ishte kohë provimesh. Te shkallët ndesh një djalosh, me disa pika në fytyrën e hequr, të cilat e tregonin edhe më të ri edhe më simpatik. M’u duk si një i njohur, të cilin s’e kisha parë prej disa kohësh dhe qëndrova të takohem. Nuk ishte ai. Ky djalosh ishte një mësues nga Shën-Pjetra e Myzeqesë dhe vinte të jepte provimet me korespondencë. Kur mori vesh se kisha filluar të mbledh material atyre anëve, për të shkruar një roman, më ftoi për vizitë në shtëpinë e tij. Ky qe takimi i parë, fare rastësor, me Micallarët (Shpiragajt në roman) dhe me fshatin Shën-Pjetër (Trokth) ne roman. Nuk e di se ç’ do të kishte ndodhur pa atë tjetër për tjetër dhe pa atë njohje krejt rastësore. Sidoqoftë, unë mendoj se po të kërkosh, do të gjesh dhe që s’e kisha takuar atë familje gjer atëherë, nuk do të thotë se nuk do ta takoja më vonë, gjersa rreth e qark tyre unë isha duke kërkuar dhe po të mos e gjeja, kjo nuk do të thotë se nuk do ta krijoja, gjersa njera nga gjymtyrët e dramës, emigrimi i jashtëm i fshatarit shqiptar, të ndjekur nga tokat e veta nga shovenistët serbo-mëdhenj, kërkonte edhe gjymtyrën tjetër emigrimin e brendshëm të fshatarit shqiptar, të ndjekur dhe poshtëruar nga çifligarët.
Nga familja e Micallarëve, të zbuar nga Giza e vendosur në Shën-Pjetër, mësova historinë dramatike dhe heroike të një familjeje të madhe Myzeqare, që kish
Shkuar majë e briskë me çifligarët, të një familjeje të madhe myzeqare të gjakosur me bejlerët (ishin vrarë dhe kishin vrarë dhe për këtë kishte një këngë), që kishte marrë arratinë dhe qorollisur nga dëshpërimi dhe varfëria kishte rënë në kurthin e tre ortakëve tregëtarë,që ishte duke likuiduar fermën e falimentuar të derrave në Shën-Pjetër, të ndërtuar sipas modelit amerikan në Myzeqenë e atëhershme, ku nuk kishte të hante misër njeriu dhe jo derrat.
Nga ana tjetër në Pojan, ku isha vendosur, ndodhej një “shpatull” e familjes së Micallarëve, e shkëputur nga trungu mëmë. E megjithatë, megjithëse kisha qënë aq pranë saj, unë historinë interesante të jetës së tyre, që do t’u jepte shtytjen fillestare ngjarjeve të romanit, e mësova nga ai takimi rastësor me djaloshin mësues nga Shën-Pjetra, sot edhe shkrimtar (shkrimtari Aristotel Mici) .
Me të ndeshur historinë e kësaj familjeje, që kishte pasur në kurrizin e vet dy lloj shfrytëzimesh, dhe atë të çifligarëve dhe të borgjezisë tregëtare, fillova me një herë të shkruaj romanin, të cilin e përfundova me nje frymë më 1961. Ajo kishte qënë për romanin tim ngjarja – maja që kërkoja.
Unë mendoj se ngjarja maja, është diçka shumë e rëndesishme në veprat artistike me subjekt. Prandaj duhet kërkuar dhe, kur nuk e gjen, duhet krijuar me këmbëngulje. Është ajo që ka për të organizuar dhe dhe gjallëruar rreth vetes materialin jetësor, ashtu si majaja brumët dhe, ana tjetër, është ajo, që ka për të tërhequr lexuesin nga faqja në faqe. Gjetja e ngjarjes maja, e cila do të centronte saktë dhe bukur problemin dhe idenë e një vepre artistike, mund të krahasohet me atë pikëmbështetëse në hapësirë, që kerkonte Arkimedi, për të zhvendosur botën. Veçse me këto ndryshime: ajo ngjarje nuk vlen për të zhvendosur botën, por për të krijuar një botë tjetër, të paqënë gjer atëherë ne konstelacionin e botrave të krijuara nga libri artistik.
Sigurisht., ngjarja maja në vetvete nuk është kryesore, sepse kryesore janë problemi dhe ideja që shtrohet dhe del andej. Por me që problemi dhe ideja në krijimet artistike nuk jepen të gatshme, por dalin përmes ngjarjeve, të cilat shprehin marrëdhënie të caktuara shoqërore, ajo ka rëndësi të madhe. Ajo vetë nuk është qëllimi, po me anë të saj realizohet qëllimi i veprës.. Sigurisht një ngjarje e dëgjuar, siç është ajo që përmenda më sipër, duhet vendosur në klimën dhe mjedisin, që e ka lindur dhe duhet shkulur dhe marrë bashkë me dheun, dhe bashkë me dheun mbartet në punishte, se për ndryshe nuk zë dot dhe, si pasojë, nuk jep pemën e kerkuar. Nuk do të zgjatem rreth këtij problemi të rëndësishëm krijimi. …..
Pra, në qoftë se romani im i parë “Lumi i Vdekur” pati ndonjë sukses, atë ua kushtoj edhe përpjekjeve këmbengulëse për të gjetur një ngjarje të rëndësishme- maja, e cila do të mund të centronte mirë problemin ideor”, se fshatarët mund të shpëtonin nga sundimi i bejletrëve, duke qënë të bashkuar dhe jot ë veçuar.
Lidhur me zanafillën e romanit “Lumi i Vdekur” është për t’u shenuar gjithashtu edhe një pohim tjetër i autorit, që ai e thoshte në takimet me lexuesit, po edhe me miqtë e shokët, i pyetur “në se a ka të ngjarë që Shpiragajt në roman të jenë Micallarët”, vetë shkrimtari qe përgjegjur:
“Mund të jetë edhe kështu, po jo një riprodhim i plotë i asaj familjeje. Subjekti
është si burimi i një lumi që duke ecur merr edhe gjëra të tjera gjersa merr formën e vet. Dihet që Micallarët kanë jetuar në fillim në Grizë dhe, pas konflikteve që patën me bejlerët, ikën dhe u vendosën në Shën-Pjetër. Por s’ kanë qënë vetëm Micallarët në konflikt me bejlerët, kanë qënë edhe familje të tjera si Çukallarët, Baret e tj. Rasti i këtij fisi shërbeu si shtysë dhe më dha frymëzim. Mblodha shumë fakte nga dramat e fshatarëve të varfër, por trima dhe të ndershëm”.[2]
IX
Më kuijtohet se në fillim të viteve gjashtëdhjetë, kur ne klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, zhvillohej një aktivitet, Jakovi, sa më pa, më takoi duke më thënë: “Sot je i ftuar për drekë nga shtëpia. Dhurata prêt vizita ngushëllimi se i ka vdekur i ati, po ndërkohë, kemi edhe një gëzim, që duam ta ndajmë bashkë.”
Unë e falnderova, po nuk qe as vendi as koha për t’u zgjatur e për të mësuar më shumë lidhur me ngjarjen e gëzueshme të tyre.. Pas aktivitetit në Lidhje, pasi shpura çantën në hotel, u çlodha pak dhe mora rrugën për te shtëpia e Jakovit, që ndodhej në Pallatet “Agimi”. Me t’u hapur dera, ndjeva me një herë erën e mirë e gatimeve, që bënte Dhurata, si një nikoqire nga një derë e nderuar përmetare me tradita.
E veshur me rroba zije, sipas zakonit , ajo më nxori kafenë. Pasi unë shpreha ngushëllimin, ata, të dy më thanë se atë ditë më kishin ftuar për drekë, për të festuar së bashku gëzimin e një ngjarjeje. Më treguan se romani “Lumi i Vdekur” para pak kohe qe dorëzuar në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” dhe se atë ditë kineastet e Kino Studios “Shqipëria e Re” e kishin xhiruar Jakovin në një film të shkurtër dokumentar. “Dokumentari jepet sonte para filmit artistik – u dëgjua Jakovi- dhe ne kemi kënaqësinë që të shkojmë e ta shohim tok ”.
– Kurse unë, – tha Dhurata,- me këtë gjendje shpirtërere që jam nuk më bën zemra për kinema, po është i vetmi rast që mund ta shosh burrin në një film, prandaj do të shoh vetëm atë pjese të dokumentarit që tregon për Jakovin dhe do të largohem.
Si për pak variacion, po edhe për të mësuar ndonjë gjë të re lidhur me planet e tij krijuese, unë gjeta rast, tek po hanim drekë dhe e pyeta Jakovin në se kishte piketuar ndonje subjekt të ri letrar ndërsa kishte përfunduar romanin e parë.
- Nuk do t’i ndahem kurrë Myzeqesë, – më tha, – kam grumbulluar aq shenime e materiale nga Myzeqeja dhe zonat perqark, sa nuk i nxë një libër i vetëm. Dhe, kështu kam një përzjerje personazhesh e ngjarjesh në kokë , që më shtyjnë të mendoj për atë që quhet “roman-lumë”(roman- fleuve), ku personazhet, a po pasardhësit e tyre vazhdojnë të shkojnë nga një roman në tjetrin.
Kështu, fjala vjen, në librat e mi, vajza e vogël e Pilo Shpiragut, Shpresa, nesër, në një “roman lumë” do të jetë heroina e një vepre të re. Që të jem më konkret mua më vlon në mendje ideja e një pentalogjije[3], pra e pesë romaneve, të cilët sot për sot me fantazinë time i imagjinoj si një ngrehinë letrare në formën e një “iks-i”. – “ X. “ …dy romane nga e kaluara e Myzeqesë; i treti do të trajtoj temën e Luftës Nacional- Çlirimtare, dhe dy të tjerët do t’i përkasin temës aktuale”.
Ky kompzicion i shtrirë në kohë i veprës së Xoxës do të quhej nga komentuesit dhe studjuesit e tij “iksi pentalogjik i Jakovit.”, ose “Iksi romanesk i Jakov Xoxës”[4]
*
* *
Në vitin 1964”Jakovi e paraqiti romanin edhe në konkursin kombëtar të 20 vjetorit të Çlirimit dhe mori çmimin e parë të Republikës.”[5] Qysh atëherë e deri më sot, “Lumi i Vdekur” ka pasur trembmbëdhjetë botime.
Siç thuhet dhe në Fjalorin Akademik të Shqipërisë “I vlerësuar si roman social-psikologjik dhe etik, “Lumi i Vdekur” nëpërmjet subjektit që shtillet në vitet 1938-39 rreth kalvarit jetësor të familjeve myzeqare e kosovare të shpërngulura, ndriçon me një realizem tronditës dramën e fshatarësisë shqiptare të asaj kohe….Jakov Xoxa synoi të japë artistikisht të tërën e shoqërisë shqiptare nëpërmjet përqendrimit në vendoren”.[6] Dhe ky realitet jetësor është dhënë përmes një forme artistike interesante.
Sa herë diskutohet për një vepër letrare, krahas problemeve të përmbajtjes, flitet edhe për formën e saj , që e shpreh atë realitet, ku në radhë të parë merren dy nocione, gjuha e autorit dhe stili. Sado që janë dy koncepte të përafërta, nuk janë e njëjta gjë. Për këtë çështje të teorisë të letërsisë, studiesja Sh. Islamaj, tek analizon gjuhën e Xoxës, thekson se termi “gjuhë” nënkupton tërësinë e mjeteve shprehëse, që i kemi në dispozicion, kur formësojmë një shprehje, ndërsa termi “stil” aspektin dhe cilësinë e kësaj shprehjeje.”[7] Dhe në këte vështrim, të harmonizimit të gjuhës letrare dhe të stilit, Xoxa është mjeshtër në krijimet e tij artistike. Me stilin e vetë original ai pasuroi dhe më shumë traditën e narracionit shqiptar, gjë që u pa aq dukshëm me romanin “Lumi i Vdekur”.
X
Hapësira e paanë e fushës së Myzeqesë, psikologjia e qetë e njerzëve myzeqarë, ligjërimi popullor, humori i lehtë i kësaj treve, si dhe shpirt i butë dhe zemra e gjërë e Jakov Xoxës janë tretur përmes frymëzimit të tij në një stil original dhe tërheqës. Për stilin e këtij shkrimtari gjen shprehjen e vetë thënia e lashtë e filozofit romak, Seneka, se “Stili nuk është gjë tjetër veçse fytyra e shpirtit të autorit.”
Duke analizuar gjuhën dhe stilin e romanit “Lumi i Vdekur” studiuesi Ahmet Qeriqi, në studimin e tij të sipër pëmendur, na thotë se Xoxa në roman përshkruan një botë të tërë në lëvizje dhe me fuqinë e gjuhës, që rrëfenë, të futë në botën e tij të imagjinatës, ku me fuqinë magnetike të rrëfimit, me gjuhë shumë të pasur në shpjegimin dhe qartësimin deri në imtësi, të ka futur si me magji në atë botë, nga e cila nuk të leshon të shqitesh pa t’i rrefyer të gjitha…Duke qenë njohës fenomenal i gjuhes së gjallë të popullit, i frazeologjisë, filozofisë dhe mençurisë popullore, Xoxa, jo vetëm e ka begatuar veprën e tij, po edhe e ka treguar me shembuj konkretë se sa e gjerë, sa e thellë, sa e pasur është gjuha shqipe, e vetmja digë historike, që e ruajti kombin e traziuar buzë shpërbërjes fatale nga mujsharët e botës.
Xoxa i ndjek ngjarjet e romanit natyrëshëm, duke ruajtur gjithnjë unitetin e stilit, të kompozicionit,dhe të mënyrës së të folurit midis personazheve. Sjellim në mendje me këtë rast bisedën midis Kozma Ndrekës, një djali qytetar të pispillosur, dhe Vita Shpiragut:
Ajo u ndal në mes të dhënëve të trembura, dhe i tha:
- Çdo që më ndjek?
- Ja, dua të të bëj manare.
- Sa për manaren që kërkon, shiko se mos e gjen në ndonjë kope tjetër.
Duke ia paguar hakun me të njëjtën monedhë tingëlluese, ajo e ndjeu veten më të larë ndaj tij dhe i erdhi të mbahej paskëtaj edhe më të madh.
Pra, kuptohet se në këtë rast kemi një gjetje të bukur stilistike dhe të vetishme nga ana e autorit.
Natyra është tjetër tipar dallues i stilit të Xoxës në gërshetimin e ngjarjeve në roman. Qoftë në situata tragjike, a po në episode lirike, peisazhi natyror jepet i ngjallë dhe si pjesë përberëse e ralitetit konkret. Për këtë le të kujtojmë kohën e frikëshme, kur u ngjall Lumi i Vdekur, që shkaktoi përmbytjen e madhe të Trokthit dhe gjithë fushave përqark. Për atëherë, në roman shkruhet :
“Njerëzit me sytë përedhe, prisnin të shihej toka, po toka ishte kthyer në një kupë të dytë qiellore, nemitur si gjithë bota për rreth dhe pikuar me yje si qielli që pasqyrohej në të.
Siç shihet edhe natyra e ka ndjerë mjerimin njerëzor. Edhe qielli me yje sikur merr pjesë në këtë fatkeqësi të njerzëve të varfër të Trokthit, ku sintetizohen tërë vuajtjet e fshatarësisë shqiptare të kohës së sundimit të Ahmet Zogut.
Kurse në skenat lirike dhe të gëzuara të të dy të dashuruarëve të romanit, Vita Shpiragut dhe Adilit të Sulejman Tafilit, natyra jepet si reflektim i pasionit dashuror. Duket qartë në roman paralelizmi midis natyrës dhe idilit rinor. Me një realizëm të hollë psikologjik autori përshkruan gjendjen shpirtërore të çiftit të ri, që ka marrë arratinë dhe kërkon ta gjejë lumturinë në mes të natyrës magjepsëse të Pyllit të Madh, me pisha dhe vererinj, me emrin Pylli Mbret. Dhe në mes të këtij pylli me një atmosferë romantike, që të tundon, Xoxa realizon një skenë erotike të denjë për çdo film të ekranit të madh, a po të vogël:
Me shtimin e vesës në ajrin e natës, u shtua edhe kundermimi i leshrave të vajzës, të cilat sapo kishin pirë djersët e udhës. Ato sikur të paskeshin qënë tufa trëndeline….Djaloshi mbështeti faqen mbi kokën e Vitës dhe nisi t’i merrte erë i dehur fijeve të buta të qullura të flokëve. As tërfili i përvesuar i fushës së Kosovës nuk kundermon ashtu.
Mbytur në këtë botë erëmirë e sikur kjo t’i kishte gudulisur pejëzat e muskujve, siç kishte ngacmuar rrëshira e pishës mishrat e dhëmbëve, ai ndjeu nevojën e shtrirjes. Bota nuk po e nxinte më.
Vajza lëvizi një fije, aq sa për ta kundërshtuar….
Adili, i nxitur më keq, i hodhi krahun në qafë dhe e shtrëngoi pas vetes, duke i thënë:
- Vitë, pylli na e ka ba gati shtratin ma mirë se terziu.
Bie në sy me një herë se kjo atmosferë erotike e dy të rinjve, që kanë guxuar ta ndjejnë lumturinë e tyre në mes të pyllit, është e rrethuar me një natyrë të gëzuar. Një tis romantike vesh si me magji aventurën dashurore të çiftit të arratisur,… të arratisur si nga shtëpia dhe nga shoqëria. Në mes të kësaj bote romantike, ndën pishat e larta, ku ngrenë foletë turtujt dhe guguftute, Adili dhe Vita po ngrenë folenë e tyre të parë, që ua kishte përgatitur nëna natyrë.
Dhe ashtu, me ngritjen e mugëtirës, me shpërndarjen e avujve të frymemarrjes së rëndë të botës pyjore, me arratinë zhurmëmadhe të guekëve, me depërtimin e rrezeve të diellit nëpër shtigjet e kurorave, me gjallërimin e erës së detit që nisi të të rrihte e të zgjonte majat e pishave dhe gjithë botën per rreth, Vita zu të bluante nëpër mend e të endte në zemër ndjenjat më të ndryshme.
Shpirti pasionant i Xoxës ndaj natyrës endet si eter në roman përmes stilit të tij me anë detajesh aq të shumtë, që i gjen vetiu nga jeta e përditshme e njerzëve, a po nga fauna dhe bota bimore. Kështu mund të përmendim së pari marinat, që janë shkurre të zonave bregdetare, bimë me gjethe të holla, të tulta e për herë të gjelbërta, të cilat ai i kishte aq për zemër dhe do t’i quaj në këtë roman jargavanët e Myzeqesë.
Midis shumë bimëve, një kaçube tjetër që i ka tërhequr vemendjen shkrimtarit është jamruku, të cilin ai e përshkruan me një animizim mbresëlënës: ”fletët kërxyell të jamrukut, të ngjallur e të rrumbullakosur si gishtrinj të fryrë nga morthi, të djersitur nga vesa e njelmët e detit, kërcisnin nën nofullat mokër të qeve”
Në çdo kapitull të veprës gjen detaje të ndryshme që tregojnë praninë e natyrës përzjerë me jetën e përditshme të personazheve në dimër dhe në verë, anës lumit, anës detit, në ara a po në kullotë.
Humori i hollë ka qënë armë në llogjikën e myzeqarit kundër të keqes sociale, kundër padrejtësive dhe veseve njerëzore. Duke qënë se humori i lehtë është cilësi e dukshme në ligjërimin myzeqar, ai natyrshëm vërehet edhe në stilin letrar të Jakov Xoxës. Po këtë humor e shikojmë edhe në çështje të jetës intime të personazheve. Siç kemi rastin ta gjejmë në konfliktin midis Llaz Shpiragut dhe Kozma Ndrekës për shkak se ky i fundit i vinte anës Vitës. Dhe, kur Kozmai iu shmang pyetjes së Llazit lidhur me të motrën, së cilës, nga gojët e liga, i kishin dalë fjalë për lidhje me të, ai iu drejtua atij me fshikullim humori:
Ti mos u hidh e u përdridh si plesht nëpër lesht…po përgjigju këtu, do ta kërkosh motrën time si ta do e si na do nderja, a po ç’ thua?
Po Kozmai i kundërvihet më hapur: “Pse flet kështu, o Llazi?… Pse bën sikur s’e di se me kë e ka pleksur jot motër.?
-Unë s’ dua të di se me cilë e ka pleksur, unë di me kë i kanë dalë fjalë e kush i vjen rrotull. Fjalët i kanë dalë me ty dhe ti duhet t’ia mbulosh..
Kur dëgjoi këtë kërkesë të Llazit, Kozma Ndreka e gjeti të udhës t’ia kthente edhe ai me humor:
-Ti thua që tjetri të hajë kumbullat e mua të më pihen dhëmbët. !
Gjuha, si tipari më dallues i stilit shprehës të Jakov Xoxës, ka qartësi logjike dhe thellësi emocionale, që të prek në mendime dhe në zemër. Gjithë struktura e njesive frazeologjike për shprehjen e idesë në romanin “Lumi i Vdekur”, merr nga ngjyrimi krahinor i psikologjisë dhe filozofisë myzeqare.
Po ndërkohe duhet theksuar se, krahas përfitimit që pati shkrimtari nga ligjërimi i të folmes popullore, edhe ligjërimi krahinor përfitoi nga pena e tij. Pra edhe e folmja myzeqare u bë më shprehëse. Për këtë rast poeti dhe studiuesi , Nuri Plaku, do të shprehej këto vite, tani afër: “Jakov Xoxa i dha bukurinë e përveçme kësaj të folme, duke e gjallëruar atë edhe nëpërmjet fuguracionit artistik. Një nga perlat e këtij sistemi është padyshim metafora, me të cilën ai e quan Myzeqenë “Magje e Perëndisë” .
I mbrujtur në magjen e ligjërimit dhe psikologjisë myzeqare Xoxa do të end në kapitujt e romanit “Lumi i Vdekur” shumë tablo romantike dhe skena realiste, nëpër të cilat ndrijnë fjali dhe fraza brilante me nëntekste lirike dhe filozofike, siç janë edhe shprehjet:
Edhe në fjetsha, zemrën s’ ma ve dot njeri në gjumë.
Gurin e rëndë të varrit të vdekurit ia vënë, po i gjalli e mban.
U ngjall lumi i Vdekur, mjerë të gjallët.
Dhembja qënka si retë e shiut. Sa më shumë zbrazen, aq më fort lehtësohen
Dashuria është si grëmi, lidhet e shtohet më shumë nën dhe.
Mos ngjit atje tek s’ të përket, se do ta gjesh nga nuk e prêt.
…S’ mund t’i përgjegjej atë hop veçse me ata sy e ata lot vashërie të humbur si dhe nusërie të fituar.
Po kështu dallohen për vetëvetishmëri ligjërimi edhe shprehjet e llojit mallkues si frazeologji të ngurosura:
Bëfshin gjumin e madh !
T’u thaftë gjuha !
Pika e preftë!
Iu bëftë në grykë!
Vlerat gjuhësore të veprave të Jakov Xoxës kanë tërhequr vemendjen e mjaft linguistëve. Me këtë rast më kujtohet se në një vizitë familjare në shtëpinë e akademikut Jani Thomai, kur ra fjala për shkrimtarin Jakov Xoxa, ai në bisedë e sipër më theksoi : “Vepra e Jakov Xoxës është një minierë në fushën e kërkimeve të mia për leksikologjinë”.
Xoxa si stilist i hollë në veprën e tij u dha jetë shumë fjalëve të rralla e gati të harruara. Vetëm me faqet e romanit “Lumi i Vdekur” mund të bëjmë një listë të gjatë fjalësh karakteristike, të cilat janë futur e po futen vetvetiu në fondin e gjallë të gjuhës së përditëshme, sidomos në pasqyrimin e motiveve të ndryshme të fshatit, siç janë edhe këto fjalë:[8]
ushtre (me theks fundor) era ushtre(f.612)
trrë (f. 397)
ngëqez (f.397)
gjoçinar (f.423)
ovrat ( f.481)
mehu (kënga mehu ) – f.592
kapëz (f. 482)
trendja (f.626)
shqekëza e buzës (627)
kihet (më kihet aq fort)- f.635
majokja (psh. e pishës) (f.659)
rurëz a po plleh(f.191)
gllomkë (f.257)
halimuca (544)
pethiti ( f. 634)
gjetkëz (f.252)
truska (f.69)
topit – për topitur ( f. 148)
çartesh nga mendtë (f.614)
upje të ëmbla (f.619)
ëmbëlti (f.609)
shalamandukur (f.519)
kopermaçe (f.504)
tërvit (f.282)
jamruku (f.98)
vringthi(f. 642)
bësat ( ose bëset) e detit (f.289)
thellomë (f.337)
Majoke (f.609)
Për këto lloj fjalësh dhe shumë të tjera si bigëzim, dorak, burishte, gropçele, të vendosura mjeshtërisht në veprën e Xoxës, Prof. R.Qosja do të shruante se “tek Jakovi gjen një fond të pasur leksikor, po lexuesit nuk do t’i duhet fjalori që të kuptojë edhe ato fjalë që s’i ka dëgjuar, meqë shkrimtari i sqaron në lidhjet e tyre figurative. Ai nuk kërkonte fjalë që ta komplikojnë gjuhën , ta thaëj atë e ta lëri pa lëng.”[9]
I gjendur për ditë midis një leksiku të pasur të gjuhës së gjallë të popullit, J. Xoxa , jo vetëm vjelë atë që është më shprehëse dhe e vetvetishme e ligjërimit myzeqar, po ai përpiqet natyrëshëm edhe për pasurimin e kuptimeve leksikore, pra për poliseminë e fjalëve, ose shumëkuptishmërinë e tyre: f.v. “shpotitë i kishte të kripura”; në këtë frazë mbiemri “të kripura” del nga kuptimi i “njelmësisë”, duke marrë një tjetër nuancë kuptimore me ngarkesë figuative, pra kemi të bëjmë me “shpoti seirioze, që të venë në sedër e të bëjnë të mendohesh”. J a edhe një fjali tjeter, ku fjala merr tjetër kuptim figurative dhe leksikor: “Pilos i u err të parët”; në këtë frazë folja “u err”, nuk do të tregoj se u ngrys moti për Pilon, po që atij i humbi aftësia për të menduar .
Po kështu edhe tek shprehja mallkuese si “pika e preftë!” …. Dhe në këtë rast fjala “preftë” nuk do të thotë që do të pritet ndonje gjë me thikë, po dikujt t’i pritet filli i jetës nga sëmundja e “pikës”.
Në stilin gjuhësor të Xoxës vihet re synim i tij për të mbajtur gjallë përdorimin e disa formave të herëshme ligjërmi siç mund të përmendim rastet e mbiemrave të substantivuar në vend të emrave abstarkt:
“Me të parë të syve”.
“Pilos iu err të parët”.
Këtu në këto shprehje mbiemri i substantivuar “të parët” ka kuptimin e emrit abstakt “shikimi-n ”. Siç dihet kjo dukuri gjuhësore, pra dalja e emrave abstrakt, që zëvendëson mbiemrin e subtantivuar nga ana kohore është më e vonëshëme si fenomen, dhe që nga ana emocionale nuk e zëvendëson plotësisht gjithnjë të parin, mbiemrin e substantivuar. Kjo është arsyeja që në veprën e Xoxës i gjejmë të dyja këto lloj variantesh të shprehuri gramatikisht natyrshëm.
Një veçanti tjetër në stilin gjuhësor të Xoxes ësht të shprehurit e superlativit me fjali mungesore:
“Gjithë Myzeqeja është e dëgjuar për kallamat e saj, po hiq Grizën” (f. 12)
Pra fjalët e fjalisë mungesore ”…., po hiq Grizën” kanë kuptimin se Griza është mbi të gjitha.
Kështu duket gjithandej në roman intuita gjuhësore e shkrimtarit për të thithur nga ligjërimi popullor thënie karakteristike dhe mënyra të shprehuri të veçanta, që pasurojne natyrshëm stilin e autorit.
Po kështu përmendim përdorimin e pjesores mbiemrore për mbiemrin:
“Lumi Vjosa ushqyer nga ujërat e maleve.”
“Pilua pa bijën veshur nuse”.
Kur është puna për individualizimin gjuhësor të personazheve Xoxa përpiqet të gjejë jo vetëm fjalët më të përshtatshme, po edhe modalitetin foljor përkatës në të shprehur. Me këtë rast kujtojmë mënyrën e vjetër Lidhoro-habitore të foljeve të gjuhës shqipe, siç e hasim tek e folmja e Pilo Shpiragut:
“T’ i paskësha vënë gishtin kokës që aheraj kur më that dhe ju……”
Nga ky modalitet foljor, pra nga kjo lidhoro-habitore: “T’i paskësha vënë, ose “Të paskësha vënë”, që del nga e folmja e Pilo Shpiragut, kuptojmë së pari synimin e autorit për të dhënë një karakter konkret dhe të besueshëm në roman; po nga ana tjetër kuptojmë edhe dëshirën e tij për ruajtjen e disa formave të herëshme të ligjërimit popullor, që kanë qënë një pasuri me vlerë e gjuhës sonë. Këtë dukuri gramatikore të modalitetit të gjuhës shqipe e shikojme edhe në kohën e Rilindjes Kombëtare, sidomos ne poezine e Naim Frashërit:
“Të paskësha vrapn’ e veriout, të kisha krahë pëllumbi,…….”
(Varg i marrë nga poema”Bagëti’ e Bujqësija”)
Po kështu e hasim këtë lidhoro-habitore edhe tek poema “Histori e Skënderbeut” të Naim Frshërit:
“A më sheh ti mua plakn’
Të qënkësha si ti djalë”.
Pra, për arsye studimi, duke kaluar nga gjuha e N.Frashërit, tek ajo e J. Xoxës, marrim vesh se mënyra lidhoro-habitore ka qënë e gjallë si në të folmen e përditëshme, ashtu edhe në shkrimet letrare. Ajo ka pasur veçorinë e saj kuptimore nga ana gramatikore, që ka qënë një mundësi më tepër në shprehjen e ligjërimit popullor shqiptar. Mënyra lidhoro-habitore e zgjedhimit të foljes, për arsye të ndryshme nuk vihet më në librat e gramtikës shkollore, po kjo nuk do të thotë se ajo ka “shteruar” në gjuhën e përditshme. Prandaj nëpër seminare të veçanta të katedrave të gjuhës shqipe, do të ishte gjë me interes gramatikor, po të merrej si objekt studimi edhe mëyra lidhoro-habitore, të cilën e gjejmë të gjallë, si e shikojmë, edhe në romanin “Lumi i Vdekur” të J. Xoxës.
Edhe në fushën e kuptimeve sintaksore stili gjuhësor i Xoxës ka origjinalitetin e tij, sidomos në ndërtimin e fjalive kohore të pashtjelluara. Ky origjinalitet në lëmin e sintaksës tek “Lumi i Vdekur” si dhe në të gjithë veprën e tij, theksohet edhe më tepër kur hasim perdorimin e dy plotësve te ligjërimit popullor, që Prof. Cipo i quante emërore predikative dhe kallëzore predikative:
“Qielli atë mëngjes kishte marrë të kulluar qelq”,
“…….zjarri i ndezur hamull”,
“…..ua ka prerë pajën mëndafsh gjallë”,
“……buronin puse me ujin brisk të ftohtë”
“…..dyndjë reshë të kripura shëllirë”.
“….në mes të errësirës pus të zezë”
Një veçori tjetër që e thekson origjinalitetin e stilit të Xoxës është përdorimi i idiomave në gojën e personazheve, gjë që shton freskinë e të kallëzuarit, duke e bërë naracionin e romanit edhe më tërheqës :
Të gjitha shtigjet m’i zunë me drizë…..
Mos e zgjat dorën tek s’të arrin krahu….
“…………i zuri dhëmbi bukë…
“Fshati ju paska marrë kaq për cep…..
“……..do ulim kokën nën naxhake (sopatë)….”
“Nënë Konxhja kyçi gojën.”
“……..ia krisi të qeshurit”
“………duke pritur me veshët big”
“……….ishin me një vështrim majë e brisk”
“………vazhdoi të shihte pil.”
“……..iu pre fjala në buzë e iu këput koka”.
“…………rrëfeu ngjarjen fill e për pe.”
“…….urtë e butë, tigani plot….”
“……ferra e vogël e ka lepurin e madh….”.
Pra, siç shihet konkretisht, stili i romanit “Lumi i Vdekur” dallon gjithnjë për larminë figurative të njesive frazeologjike të llojit metonimik:
“I… heq litarin.”
“ I ra mendjes…”
“bëj stan me lepuj…”
“si veza në mes të kulaçit…”
” I pjell mendja…”
“varur buzën….”
“ zbardh dhembët…”
“ul bishtin”
“ ngre kokën …”
“Luaj derën…”
“bëj veshin shurdhër”
“….. s’këmbeu fjalë”
“…korr fjalë në erë”
“…s’ dua të më marrë njeri për sy lesh…”
Kështu, gjithë shembujt që sollëm konfirmojnë të vërtetën se romani “Lumi i Vdekur”, me idetë e tij ideo- artistike, dhënë me një stil origjinal, qe një arritje e ligjërimit tregimtar në letërsinë tonë. Pasuria e jashtëzakonshme leksikore me disa nuanca kuptimore, mendimet dhe sentencat filozofike, që përcjellin jehonën e mënçurisë popullore, tablot e gjëra epike dhënë nëpërmjet ndërhyrjes së shumë linjave narrative, të ndërprera nga përshkrime të një lirizmi të ndjenjave dhe pamjeve të natyrës e të skenave të dashurisë, i japin stilit të Jakov Xoxës një ngjyrimi të theksuar individual.
Kohë më vonë, krahas kritikëve e studjuesve, edhe shkrimtari Naum Prifti do të bënte një vlerësim të lartë për romanin “Lumi i Vdekur”. Gjykimi i tij niset nga vlerat e veprës, kur shkruan se “Tek romani “Lumi i Vdekur” shkrihet harmonishëm raporti ndërmjet anës cerebrale dhe intuitive të krijuesit. Xoxa ka portretizuar në mënyrë të shkëlqyer Myzeqenë e viteve tridhjetë, me bukuri e vërtetësi që nuk e gjen te asnjë autor tjetër. Romani ka diapason të gjërë, duke përfshirë shtresat shoqërore më të rëndësishme të kohës, ka personazhe të skalitur me psikologji shqiptare. Përshkrimet e natyrës kanë freski, poezi, njomështi e bukuri mahnitëse. Karakteret janë plazmuar aq mirë, sa lexuesit i krijohet mbresa se edhe ai diku i ka njohur ata tipa….Në asnjë vepër tjetër nuk jepet aq pikëllueshëm drama e fshatarit pa tokë, vuajtjet e emigrantëve kosovarë, mashtrimet e tregëtarëve, arroganca e bejlerëve sa te kryevepra e Jakov Xoxës “Lumi i Vdekur”[10].
Vite më vonë, profesoresha e Universitetit të Prishtinës, Shefkie Islamaj, do të shkruajë në një libër të saj studimor se “Lumi i Vdekur pati jehonë të madhe si rrallë ndonjë vepër tjetër letrare. Romani me një hërë u shpall si më i sukseshmi i letërsisë shqiptare deri atëherë. Ai hapi shtigje për zhvillimin e romanit të ri shqiptar, bëri thyerje në traditën e deriatëherëshme romansore shqiptare.”[11]
Kurse studiuesi Robert Elsie do të pohonte vlerësimin e tij se “Jakov Xoxa nga Fieri në fushën dikur me këneta e mushkonja të Myzeqesë, dënoi shfrytëzimin e fshatarësisë së varfër nga bejlerët mizorë në veprën “Lumi i Vdekur”.Ky roman është një nga veprat e rralla të kohës me merita artistike”.[12]Këte ide ka edhe shkrimtari e studiuesi N.Jorgaqi se “Jakovi i ka dhënë letërsisë shqiptare të parin roman-epope, me nivele,që deri atëherë nuk i kish arrirë romani shqiptar” [13]
Dhe tani, duke përmendur disa nga konsideratat e personaliteteve të letrave, që kanë dhënë mendimet e tyre për “Lumin e Vdekur”, më kujtohet nje episode i datës 20 shkurt të vitit 1984, në ditën e pesëvjetorit e vdekjes së Jakovit, kur Dhurata më ftoi në drekën përkujtimore, tok me zonjën Rozeta Uçi, redaktore e veprës letrare të Jakovit, ku ishte i ftuar gjithashtu dhe i vëllai i Jakovit, profesori i biokimisë, Aleko Xoxa. Duke biseduar për linjën e jetës së kosovarëve ne romanin “Lumi i Vdekur”, ra fjala edhe për ruajtjen e simboleve kombëtre nga ana e tyre, siç ishte rasti që kishim parë tok me Jakovin tek familja e Selacëve, ku vumë re se në bandën e thurur me tezgjah, qe vizatuar figura e shqiponjës dykrenare. Atëherë, Alekua, tek dëgjoi këtë detaj, duke dashur të theksonte këtë prirje patriotike të shpirtit kosovar, shtoi nga ana e tij:
– Dëgjo se ç’ më ndodhi mua para ca kohe, kur isha në Universitetine e Prishtinës për të mbajtur një cikël leksionesh të lëndës time. Duke shpjeguar mësimin, shkrova në dërrasën e zezë fjalën “azot”. Do ti që fare pa pritur, një vajzë studente, më lutet e më thotë: “Profesor, a mundesh me ia hjek atë bishtin cirilik shkronjës “z”, se si na vjen kur e shikojmë me atë bisht. Ke të drejtë, i thashë, dhe, duke e rregulluar, i tregova se atë e kisha bërë, që të mos ngatërrohej me shkronjën “r” të dorës. Dhe ashtu, miqësisht u muarëm vesh.
Atë çast Dhurata, sikur të merrte shkas nga rrëfimi i Alekos, ngrihet dhe shkon te rafti i bibliotekës dhe na solli një libër gjyrë gri . Ishte “Lumi i Vdekur” botuar në Prishtinë.
– Kujdesi i vllezërve kosovarë për Lumi i Vdekur, që trajton dhe motive kombëtare, duket edhe në botimin e romanit,- na tha ajo.- Ja ç’ botim serioz i kanë bërë ata veprës së Jakovit….
Nga gjithë sa kemi shkruar dhe paraqitur në këtë trajtesë, si edhe nga vlerësimet e mjaftë studjues të veprës së Jakov Xoxës, pare edhe nga ana estetike, merret vesh se “Lumi i Vdekur” është një pasuri vlerash letrare- artistike, që lartësoi më tej nivelin e romanit shqiptar. Kompozicioni i romanit “Lumi i Vdekur” flet për një vepër unikale, që qendron denjësisht midis krijimeve më të arrira të letërsisë shqiptare.
*
* *
Pa dashur të bëj analistin e veprës së Jakov Xoxës, personalisht do të preferoja të vija në krye të listës romanin “Lumi i Vdekur”, kjo jo vetëm sepse studjuesit thonë se ky roman është kryevepra e tij, se ky roman radhitet midis veprave më të mëdha të letërsisë shqiptare, po dhe për arsyen se mua kjo vepër më zgjon direkt ose indirekt fëmijërinë. Sa herë që lexoj kapituj të ndryshëm nga ky roman, më kap nostalgjia për vendet ku endesha tok me kushurinj dhe shokë të vegjëlisë.
“Lumi i Vdekur” më sjell në mendje sheshin e kishës së Shën-Pjetrit të rrethuar me qiparisa të lartë, me lisa dhe vidha të mëdhenj e të stërlashtë, ku çdo vit më 29 qershor, ditën përkujtimore të vrasjes së Apostullit Pjetër nga romakët, bëhej panairi më i bukur i gjithë krahinës, që ne fëmijët e përjetonim me aq gëzim. Romani më kujton kurorat e Lumit të Vjetër, ku zija peshq me fushnjerë dhe me çërrnik , atëherë kur shterte ujët e lumit në pranverë. Ky roman më shpie përgjat leximit edhe në tokën Troka-s, ku luaja cingël, dokërr e bidakthi me moshatarët e mi, luanim ato lodra fusharake, që sot thuaj se po harrohen. Rileximi i romanit më kujton Vijën e Ngjalës dhe Shëne-Premten, ku, tok me çuna të tjerë, u hipnim kuajve, shaluar lisho, duke i drejtuar me kapistra dhe frena prej zhuke si të na donte qejfi; të zbathur e të grisur nga ferrat, po të lumtur e krenarë tek mbaheshim me jelet e kuajve, dhe kalëronim në ujin e kënetës që pasqyronte qiellin, dhe atëherë na dukej vetja si kreshnikë përrallash. Pas Vijës së Ngjalës, romani më shpie te gërmadhat e Apolonise, te muret e rerëzuara të Odeonit, ku luanim “milingoçi-troçi”, pa e ditur se atje tek themelet e asaj godinë të rrënuar, dikur, dy mijë vjet më parë, të bijët e patricëve romakë mesonin oratori dhe bënin ushtrime retorike e ku, midis tyre, do të kish qënë edhe Oktavian Augusti. Aty ai mbase do të ketë marrë dhe lajmin e kobshëm për vrasjen e të ungjit, Jul Cezarit, nga komplotistët.
Janë gjithë këto episode, të fëmijërisë dhe shumë të tjera, që ndjekin njëri tjetrin dhe, që në rrëfime dhe në bashkëbisedime me Jakovin, në kohë të ndryshme, janë përmendur e komentuar në një mënyrë ose në një tjetër, dhe që kanë lidhje direkt ose indirekt edhe me zanafillën dhe motivet e romanit “Lumi i Vdekur”.
Kështu po i mbyll kujtimet dhe meditimet e mia rreth kësaj vepre të jakov Xoxës me shpresën se kam thënë diçka lidhur me shtegëtimin e autorit dhe të imagjinatës së tij nëpër trevat e Apoloisë, të Shën-Pjetrës dhe të Lumi të Vjetër, për të thurur subjektin e këtij romani me titull metaforik Lumi i Vdekur.
Massachusetts- Boston 15 Mars – 2023
Bibliografi
Cipo, K. “Gramtika e Gjuhës Shqipe”, Tiran, 1949.
Fjalori Enciklopedik Shqiptar- FESH., viti 2008- 2009.
Islamaj, Sh.“Gjuha e Jakov Xoxës”, Prishtinë, 2000.
Jorgaqi, N. “Koha e Kujtimeve”-Tiranë, 2011.
Mici,A. “Mbi veçoritë ideoa-artistike të romanit “Lumi i Vdekur”, “Nëntori” 2-,1968.
Mici, A.: Jakov Xoxa si mjeshtër i stilit letrar, “Diell”, Prill,2015.
Qerici,A. “Lumi i Vdekur” i Jakov Xoxës, roman i papërsëritshëm në letërsinë shqipe.- (uraebashkuar), 09/ 06/ 2020.
Prifti ,N. “Meditim rreth veprës së J. Xoxës”, Gazeta “Illyria”,11 janar 2005.
Qosja, R. “Parathënie e “Lumit të Vdekur”, Rilindja, Prishtinë, 1971.
Shtëmbari, K. “Vite që shkuan”, Tiranë, 2006.
Vinca, A. “Iksi romanesk i J. Xoxës”, Bota e Re”, 7, 1974- Prishtinë.
Xoxa, J. Novela, Tiranë, 1948 .
Xoxa , J. Novela-2, Tiranë, 1959.
Xoxa ,J. Po ta kërkosh do ta gjesh (Gjeneza e një romani) Nëntori,11, 1974.
Xoxa ,J. “Vepra letrare”, Tiranë, 1983.
Shenime
[1] J. Xoxa “Po të kërkosh do ta gjesh (Gjeneza e një romani) , revista “Nëtori”- n.11-1974
[2] K.Shtembari, Vite që shkuan, f.178
[3] Për të qartësuar më mirë idenë lidhur me tipologjinë e këtij lloj romani “lumë” le të kujtojmë ciklin e romaneve të Emil Zolajt “Rugon – Makart”(Rugon- Macquart), ose serinë “Zhan Kristof” të R. Roland.
[4] Vinca Agim, “Iksi romanesk i J..Xoxës”.
[5] Dh. Xoxa, artikulli “Im shoq Jakovi”.
[6] Fjalori Enciklopedik Shqiptar, f.2938
[7] Sh. Islamaj: “Gjuha e J. Xoxës”, Prishtinë, 2000.
[8] – I kujtojmë lexuesit se citimet, fjalët dhe shembujt jane nxjerrë nga romani “Lumi i Vdekur”, tek botim i Veprës Letrare në seri të J.Xoxës, vëllimi i dytë, Tiranë, 1983
[9] R.Qosja, “Gjuha dhe stili i “Lumit të Vdekur”, Letërsi e sotme, Prishtinë, 1971
[10] N. Prifti, “Meditim për romanin Lumi i Vdekur”, gazeta Illyria, dt. 11 janar- 2005
[11] Sh. Islamaj, “Gjuha e Jakov Xoxës”, Prishtinë, 2000.
[12] K.Shtëmbari , Vite që shkuan .
[13] N.Jorgaqi, Koha e Kujtimeve, f.369











