Nga Aristotel Mici
* * *
Tok me linjën sociale ne subjektin e romanit “Lumi i Vdekur”, autori ka endur edhe linjën lirike përmes dshurisë së vashës myzeqare me emrin Vita dhe Adilit, një djaloshi kosovar. Tërheqja emocionale e këtyre dy të rinjve ishte shprehja e një dashurie të jashtëzakoshme, që rrit dhe më tepër aksionin brenda subjektit, gjë që e bëri romanin edhe më interesant. Të dy të rinjtë kishin rënë në dashuri që me shikimin e parë. Kjo dashuri e çilter nga dita në ditë u rrit pa u kuptuar si grëmi ndën dhe.
Po që të fitonte kjo dashuri nuk ishte gjë e lehtë. Të dy të dashuruarve do t’ju duhej të kalonin përmes shumë pengasash të karakterit psikologjik dhe zakonor. Kjo dashuri nuk ngjante me fejesat e zakoshme të të rinjve myzeqarë midis tyre, a po e të rinjve kosovarë me kosovare. Pra, kishim të bënim me një dashuri të vështirë, sepse duhej shkelur mbi dallimet, që vinin nga ndasitë krahinore dhe ato fetare, që për vitet tridhjetë të shekullit të kaluar, nuk ish aq e lehtë për t’u kapërcyer.
Pra, lidhja dashurore e Vita Shpirasgut me djaloshin kosovar, Adilin bëhej më dramatike, edhe për arsyen se bukuroshen myzeqare na e lakmonte edhe beu, Suat Verdhoma , i cili e kishte parë, një herë vajzën, tek po shkonte drejt pyllit të Shëne-Premtes. Ai, sakaq, qe tërhequr nga pamja e saj. E kish pyetur si e quanin. Dhe kur ajo i shqiptoi emrin e vetë “Vita”, beu ia kish përkëthyer nga italishtja në shqip “Jeta”. Dhe qysh atë ditë, Suat bej Vërdhomës do t’i mbetej mendja te ajo bukuroshe.
Synimi i beut për ta hedhur në dorë vashën e bukur do ta forconte edhe më tepër intrigën letrare në rrjedhat subjektore të veprës, duke shtuar efektet dramatike dhe duke e bërë ngjarjen më tërheqëse.
Në ato rrethana, e vetmja rrugëzgjidhje për dy të rinjtë e dashuruar do të ishte arratisja në Pyllin Mbret, një aventurë dashurie në një mjedis romantik gjithë gjelbërim, buzë detit. Ashtu të dy, me zjarrin e dashurisë së tyre të pastër, do të kalonin natën e parë ndën pishat e egra me kurorat deri në qiell, ku bënin fole turtujt edhe pëllumbat guhakë. Në vend të këngës së dasmorëve dëgjonin këngët e pandërpreara të guguftuve dhe shpendëve të pyllit tok me nanuritjen e valëve të detit Adriatik. Ishte një gjetje artistke e guximshme dashuria e Vitës me Adilin, po të kemi para sysh kushtet e atëhersme. Pavarsisht nga konceptet frenuese të atyre viteve, Jakovi arriti ta japë dashurinë e dy të rinjve me vërtetësi dhe bukur, përmes situatash psikologjike të motivuara me frymëzim. Pa këtë linjë të fuqishme lirike as nuk mund të merret me mend suksesi i “Lumit te Vdekur”[1]
Duhet të theksojmë me këtë rast se ikja fshehurazi e dy të rinjve në mes të pyllit nuk është një “rrëmbnim”, apo “arratisje” dosido dashurie, nuk është asnjë idil i rëndomtë pastoral.. Largimi i guximshëm i Vita Shpiragut me të dashurin e saj kosovar, Adilin, në Pyllin Mbret është një revoltë e dy të dashuruarëve. Dhe kjo revoltë shpreh triumfin e dashurisë së vërtetë kundër paragjykimeve fisnore, kundër dasive fetare e krahinore. Përveç të tjerash, ky akt dashuror i dy të rinjëve është edhe një goditje kundër ambicies epshore të Suat bej Vërdhomës. Për më tepër kjo aventurë dashurie aq pasionante ka një herit edhe simbolikën e dashurisë mbarëkombetare të vëllazërimit të tërë Shqiperisë me Kosoven, një motiv i herëshëm ky i autorit të romanit
Me fitoren e kësaj dashurie mbi normat zakonore të asaj kohe në subjektin e romanit “Lumi i Vdekur”, Jakov Xoxa del si i pari shkrimtar që trajton lidhjet shpirtërore midis të shpërngulurve nga Kosova dhe vendasve në Shqipëri.
*
* *
Një ditë të qetë pranvere, duke ngjitur kodrën që të shpinte tek ish shtëpia e Leon Rreit, Jakovi e solli fjalën te gjuha e personazheve, pra te individualizimi gjuhesor i tyre.
-Fjala vjen, – tha, – unë dua që Ferhat Tafili të duket se është kosovarë jo vetëm pse mban plis dhe vishet si në Kosovë, po edhe të flasë si kosovar i lindur atje. Nga kjo anë jam përpjekur që edhe e folura e tyre të jetë e natyrshme, mos të duket e sajuar. Prandaj do të dëshiroja të kisha edhe ca takime të ndryshme me kosovarë të lindur në Kosovë.
Në të vërtetë, ndjeja kënaqësi sa herë bisedoja me Jakovin për probleme letrare dhe sidomos për motive të romanit “Lumi i Vekur”. Edhe kësaj radhe, kur pashë se ai po ndante me mua një shqetësim lidhur me të folmen e personazheve kosovarë të veprës, se si m’u kujtuan disa nxënës të shkollës së fermës, po edhe të gjimnazit, që vinin nga familje kosovare, prindërit e të cilëve kishin lindur në Kosovë. Më kujtohet që i përmenda familjen e ish nxënësit Ymer Mavriqi nga Hamili. Po nga ky fshat vinin në gjimnas disa nxënës të tjerë me mbiemër të njëjtë: Halit Stojku, Mustafa Stojku, Muharrem Stojku, Harije Stojku. Ndërsa ngjitur me Pojanin, në Dërmenas, ishte familja kosovare e Selacëve. Prej fisit të tyre kisha pasur nxënës në shkollën e fermës një djalë, Miran Selacin, kurse vëllanë e tij të madh Azemin e kishja shok dhe ish nxënës në shkollën e mbrëmjes.
– Po , me që këta Selacët qenkan afër, mund t’i takojmë edhe sot, – foli Jakovi .
– Duhet t’i lajmërojmë më parë, – i thashë dhe, ashtu, vendosëm të zbrisnim poshtë nga kodra e Apolonisë në shkollën e Pojanit, ku takuam drejtorin, mësuesin me përvojë Koço Xhero. Aty u duk edhe një mësuese bjonde me sy të kaltra, që fliste e qeshur dhe me një theks muzikal. Ajo kishte një stil bisedor të këndshëm dhe me një etikë mirësjelljeje të kulturuar, e cila, kur gjeti rastin, iu drejtua Jakovit dhe i tha se disa nga novelat e tij i kishte përdorur si tekste për biseda “jashtë klase”. “Dhe tani jemi ne pritje të romanit “Lumi i Vdekur”- shtoi ajo, duke qeshur dhe duke tundur kokën me flokët e verdha – mezi ç’ po presim që të vërshojë”, këtej nga këto anë, ku “Buçet Osumi”, duke bërë aluzion për dramën e Jakovit, botuar më parë në revistën “Nëndori”.
– Zakonisht, lumenjtë vërshojnë, kur shkrin bora, në fillim të pranverës, – iu përgjegj Jakovi, – po Lumi i Vdekur është krejt ndryshe, sepse ndërvaret nga huqet e detit, po edhe nga bura dhe shtërngatat.
– Pra, do të presim dimrin e ardhshëm, – shprehu dëshirën e vet mësuesja me buzëqeshjen e saj karakteristike.
– Kështu shpresojmë, – vazhdoi Jakovi, – po për sot kërkojmë një ndihmë nga ju.
– Si është puna ?- pyeti drejtori i shkollës.
-Duam të lajmërojmë tek shtëpia e Selacëve, se kemi dëshirë t’ju bëjmë një vizitë, – u thashë unë, – kemi shkruar edhe një letër, sa për t’i vënë në dijeni. Djalin e madh të shtëpisë së tyre, Azemin, e kam shok, kurse Miranin e kam pasur nxënës. Arsyja e vizitës është se Jakovi do të bisedojë me babanë e tyre, me Bacën Halit.
Drejtori i shkollës mori letrën , që kishim shruar, dhe na siguroi se do ta niste me një herë atë me një nxënës, që e kishte shtëpinë pranë Selacëve.
……………………………………………………………………………
Pa humbur kohë shkuam me Jakovin në mencën e kooperativës në qendër të fshatit. U ulëm në tavolinë, për të ngrënë drekë, dhe bisedonim me traktoristë e njerës të tjerë. Duke ngrënë tok në mencë , mbaj mend se Jakovi pyeste edhe interesohej edhe për të dhëna konkrete për të shkruar një reportazh, që ia kishin kërkuar lidhur me prodhimtarinë bujqësore, për plehrat kimike, për llojet e farërave , për bimët foragjere dhe për fuqizimin e blegëtorisë..Ndërsa ai shkruante në bllokun e shenimeve të dhëna nga bisedat me njerëzit, një nxënës na solli një letër të drejtorit të shkollës, që na thoshte se Selacët na prisnin me kënaqësi në çdo kohë.
Atëherë Jakovi u çua, u nda nga traktoristët dhe të pranishmit e tjerë, duke i falnderuar për bisedat dhe u drejtua përsëri në kuzhinë, ku la një enë karakteristike, me kate, që quhej “supertas”, me të cilën merrte dy tre lloj gjellësh. Dhe, pastaj u nisëm për të bërë vizitën në shtëpinë e Selacëve, në Dermenas, ngjitur me Pojanin. Ecëm ngadal në ajrin e patër që flladitej nga era e detit. Në të djathtë të rrugës kositësit po korrnin jonxhë dhe tërfil. Gjithë udha kundërmonte nga era ushtre e barit të korrur. Pa ndjerë lodhje, si duke shetitur, kishim mbërrijtur tek Selacët.
Azemi, djali i madh i shtëpisë, po na priste tek porta, që dilte në udhën e Semanit. U takuam me të dhe shkuam pas tij në odën e miqëve, ku ndjemë me një herë erën e kafesë, që sa qe pjekur edhe bluar me mulli dore. Atje në odë, na mirëseardhi plaku i Selacëve, baca Halit, i përzemërt dhe i mençur në të folur. Na bëri përshtypje dhoma e shtruar me qilima të bukur. Pranë divanëve qenë vënë edhe sixhade me gjyra dhe figura të ndryshme. Dukej me një herë epërsia e traditës kosovare në tezgjah. Kurse në mur qe vendosur një band e bukur e bërë nga duart e kosovareve, ku shquante fusha e kuqe dhe shqiponja me dy krerë. Në një kënd të odës ishte edhe një tavolinë e mbuluar me trapezamant dhe me disa karrike për rreth.
Dhe ashtu u drejtuam te divanet kundrull oxhakut dhe plakut të shtëpisë.
Sapo u ulëm, Azemi hapi një paketë duhani “Diamanti” edhe na nxori nga nje cigare, dhe, sakaq na i ndezi me shkrepse. Tymosnim duhan tok me bacën e u shtruam në muhabet. Dëgjonim rrëfimet e baca Halitit për jetën e tij në Kosovë, për dhunën që ushtronte krajli i Sërbisë dhe për shpërnguljen e tyre të dhimbëshme nga vendlindja. Dashuninë për Shqypninë e kena pas të madhe. Të gjithë, pa përjashtim. Shqypninë e kishim në mendje dhe në zemër. Shqypninë e kishim andër, i thoshnim Nanë. Kurse shtëpisë, ç’e besa, e mbajshim, ja nji kshu, dhe shenoi me gisht tek banda e bukur prej sixhadeje e vendosur në mur, ku qe endur një shqiponjë me dy krerë.
Kur erdhi fjala për martesat, motiv që i interesonte Jakovit aq shumë për linjën lirike të romanit, baca Halit tha se “ne si kosovarë pranojmë që djelmt tanë të marrin vajza të fushës, po nuk dum që çikat tona të venë në shtëpi jo kosovare”
Ndërkohë, Azemi na solli me tabaka filxhanët e kafesë. Atëherë Jakovi iu drejtua Bacës po edhe Azemit, për t’u siguruar lidhur me shqiptimin e disa fjalëve të të folmes së Kosovës, prej të cilave më kujtohen :
“tjerat që m’i dha begu kapar, qe tek i ki”
“Po na hala s’jena da”
“Ani, mirë, po shkoj vetun”
Për këto fjalë edhe shprehje të tjera të ngjajshme, që përdornin personazhet kosovarë midis tyre, shkrimtari qe më se i interesuar të sigurohej lidhur me përdorimet e tyre natyrshëm, sepse deshte që gjuhësisht edhe në rrafshin dialektal, të ishte sa më në rregull. Ky përkushtim i shrimtarit Xoxa për t’i parë dhe pëshkruar kosovarët, e ardhur në Shqipëri, nga të gjitha anët, jo vetëm nga hallet, po edhe nga gjuha, dialekti dhe shqiptimi i fjalëve në bisedime , e ka bërë kritikun Ahmet Qeriqi, që në në studimin e tij
“Lumi i Vdekur, roman i pa përsritshëm në letërsinë shqipe”, të shkruaj se Xoxe del të jetë pa asnjë dyshim njohësi më realist i karakterit dhe i temperamentit të shqiptarit nga Kosova; kujdesi që ai ka treguar në skaslitjen e personazheve nga Kosova është i veçantë dhe është kryekrejt realist, pa fshehur një dozë të simpatisë, që ka shprehur dhe që është për çdo nder e lavd, sepse dhembja e tij për gjysmën e atdheut të mbetur nën robëri, ishte ndjenja e pastër njerëzore e kombëtare e kolosit të letrave shqipe. Në këtë kontekst, asnjë krijues tjetër në letërsinë para dhe pas Xoxës nuk e ka trajtuar me aq realizëm kosovarin e kohës .
*
* *
Kështu, pasi Jakovi foli me miqtë kosovarë dhe shkoqiti shumë fraza dhe fjalë të të folmes së tyre, ne i dhamë fund asaj vizite në atë ditë pranvere në shtëpinë e Selacëve, duke i falnderuar për mikpritjen dhe shkëmbnimin e mendimeve, po edhe për ftesën që t’u shkonim për vizitë dhe herë të tjera.
Ndërsa ecnim në xhadenë e shtruar me gurë dhe zhavor, Jakovi më përmendi se sa rëndësi kanë takimet me njerëzit:
– Sidomos, kur është puna për të krijuar tipin përkatës,- më thoshte ai,- tipin, të cilin e arrin vërtetësisht mirë vetëm me njohjen direkte. Ashtu e përcepton karakerin konkretisht, nga veshja, nga të folurit, nga botëkuptimi dhe psikologjia. E vure re ti se si u shpreh baca Halit per martesat: pranojnë të marrin vajza nga Myzeqeja, po jo të japin çikat kosovare tek shtëpitë e myzeqarëve. Dhe, mendo, kur sot është kjo psikologji dhe ky zakon, po në vitet tridhjetë , kohë, kur unë kam vendosur subjektin e romanit………..
-Sidoqotë, nga ai deklarim i bacës, a del e motivuar dashuria dhe lidhja e Adilit me Vitën në roman?- i pyeta në vazhdim të idesë.
– Natyrisht, këtë psikologji dhe këtë mentalitet, në mjediset e familjeve kosovare të ardhura këtu kam pasur para sysh, kur ndërtova linjën lirikie të romanit “Lumi i Vdekur” , kur ideova lidhjen dashurore midis vajzës myzeqare, Vitës me Adilin, djalë nga familje kosovare.. Do të kisha bërë një zgjidhje skematike, në qoftëse këtë lidhje dashurie do ta kisha ndërtuar, fjala vjen, midis Sanijes, motrës së Adilit dhe Llazit, vëllait të Vitës, që në fakt nuk do të ish e realizueshme, …. kur ke parasysh një mungesë tolerance nga burra si fjala vjen Baca Halit, a po burra të tjerë, që kanë po atë mendësi.. Gjithësesi jam përpjekur per një motivim psikologjik dhe social sa më të besueshëm.
Kjo veçori e stilit të Xoxës për të individualizuar personazhet në përputhje me psikologjinë dhe gjuhën e tyre, i tërheq vemendjen sot studiueses Sh. Islamaj, kur vë re
se “shkrimtari i drejtohet shqipes në të gjithë shtratin e saj. Në detin e madh të gjuhës standarde dallohen qartë ngjyrat krahinore myzeqare dhe kosovare me tingëllim të veçantë, të cilat vlejnë të studiohen sidomos në aspektin e leksikut”[2]
VII
Ndërkaq, dita qe thyer, dielli kish marrë nga perëndimi, dhe ne, duke biseduar, kishim mbrrijtur te kthesa e Pojanit. Po atje, para se të ndaheshim, si papritur, Jakovi më tha:
-Tani dua të falnderoj dhe një herë që më je gjendur në kaq raste takimesh të natyrshme me njerëz të ambjenteve dhe zakoneve të ndryshme.
– Po është edhe kënaqësia ime, në qoftë se arrij të jap ose të sugjeroj ndonjë episode, a po detaj nga jeta në Myzeqe, aq më tepër kur shikoj përkushtimin dhe angazhimin e një mjeshtri si ju, që synon të pasurojë letërsinë shqiptare me një vepër për Myzeqenë.
– Mirëpo oreksi vjen duke ngrënë,- u dëgjua Jakovi,- kështu që mbase nuk e teproj , po të shprehja dëshirën që të vizitonim për pak kohë të dielën e ardhshme edhe Grizën, fshatin, ku fillon subjekti i romanit.
Edhe unë e kam këtë dëshirë, që të shkoj në Grizë, – i thashë,- se kam nostalgji për vendlindjen e tim eti dhe të të gjithë të parëve të mi. Nuk e di se si, po malli për Grizën, më kujton gjithnjë mallin e arbërshëve për Arbërinë. Kur isha i vogël, shkoja shpesh në Grizë……. Atje kisha edhe një kushuri vërsnik, Rrapi Micin, djalin e xha Lamit, po tani ai është me studime në Tiranë. Po do të takojmë njerëz të tjerë të fisit të mbetur në atë truall. Mbi të gjitha do të bisedojmë me baba gjyshin, me më plakun e fisit, xha Nasin.
Jakovi u gëzua nga fjalët e mia, më dha dorën, u përqafuam edhe u ndamë. Ramë dakord dhe u morëm vesh që të takoheshim të dielën para dite, tek lulishtja qendrore e qytetit, që nga do të niseshim për në Grizë.
*
* *
Në mëngjesin e të dielës, në orën e caktuar, Jakovi po më priste ulur në stolin mdis pishave të buta, tek “Bar Rinia”. Morëm nga një kafe dhe u nisëm drejt Grizës. Në ecje e sipër më tha se Grizën e përfytyronte, duke e parë nga dritarja e autobusit, kur merrte drejtimin për në Patos, po ajo njohje nuk i mjaftonte. “Po përveç të tjerave jam kurioz të njoh kashtën fryjtje,- më tha duke ecur,- që rritet në kënetën e Grizës, po që nuk bëhet në kenetën e Hoxharës dhe të Povelçës.Ta shoh si bimë të gjallë. Sot kjo lloj kashte e ka humbur rëndësinë ekonomike, po nuk duhet harruar se për kohën kur zhvillohet subjekti i romanit “Lumi i Vdekur”, ajo ish lëndë e parë për mbulimin e çative, për rrogozat e terinat në fshat.
- Të parën gjë që do të shohim, para se të futemi në Grizë do të jetë këneta me kashtë fryjtje, që do të na shfaqet si “plantacion”.
– E thua me gjysëm shakaje, – foli Jakovi, – po në të vërtetë dikur plantacion ka qënë. Mjafton të kujtojmë konfliktin e herëshëm të Micallarëve me beun, kur kashta fryjtje u përdor si shkak i hasmërisë së parë. Me jallan shahit vërtetë, po gjithësesi, në bazën e konfliktit qe sajuar kashta, kashta fryjtje.
Pas një gjysëm ore mbrrijtëm te rrëzë e kodrës së Mbyetit, në çukën e së cilës dukej kisha e Shën-Kollit. Kurse në të manjtën e xhadesë ishte një fushtirë, ku një bari mesoburrë po ruante dhëntë që po kullosnin bar të njomë. Iu afruam, e përshëndetëm, i dhamë të njohur edhe e pyetëm për emrin, të cilin tani nuk ia kujtoj, po mbiemrin e kishte “Mile”. Meqë Jakovi qe kurioz të dinte se sa jehonë kishte pasur dëbimi i Micallarëve nga Griza, e pyeti bariun, që po ruante delet, se mos kish dëgjuar rreth asaj ndodhie.
– Unë nuk jam nga Griza, – foli ai, – jam nga Verbasi, po kam dëgjuar për dëbimin e tyre. Ata i ndoqi beu. Madje, para se t’i përzinte, nisi t’i trembte; njerin nga ai fis e vrau fare. Atëherë nxorën për atë që u vra dhe një këngë.
-Dhe, a e di ti se ku do të jetë bërë ajo vrasje,?
– Ja, aty matanë, tek kthesa e Shën-Kollit,- u përgjegj bariu
-Po, ndërkohë, a futi beu atëherë bujk tjetër në truallin e tyre?- i tha Jakovi atij përsëri.
-Jo, jo, – dëgjua ai,- e lanë shkretë gjithë tokën e atij fisi, po të vini në Grizë , do ta shikoni truallin e Micallarëve djerrë dhe sot e kësaj dite. Ua shëmbën shtëpinë që nga themelet,dhe, truallin dhe ugaret e tyre i kthyen në kullotë
E falnderuam bariun për rrëfimin e tij të çilter dhe morëm rrugën me kalldrëm drejtë Grizës. Pas pak, në të manjtë u shfaq këneta, që bleronte nga kashta e re. Ishte pranverë dhe kashta e re frytje donte edhe dy muaj që të bëhej për t’u korrur, aq kohë sa të merrte ngjyren bezh në kafe të çelur dhe të bëhej me formë të tultë..
Jakovit nuk iu ndenjtë, doli nga udha, kaloi mezhdën e ulët dhe gjithnje kurioz u fut në kënetë. Shkuli një rrënjë kashte të gjelbërt me gjithë kërcell dhe gjethe, dhe ashtu vazhduam rrugën drejt Grizës, duke komentuar rreth kashtës fryjtje dhe zhukave.
Me degën e kashtës frytje në dorë nisi të më thoshte: ”Çudi është se si i ka mësuar nevoja për të jetuar njerëzit. Fjala vjen kashtën pirrë e përdorin për mbulesë çatije, kashtën fryjtje, si këtë, e përdorin edhe për të mbular çati, po edhe për rrogoza, ndërsa zhukën, edhe pse zhulatet[3] si kashta, e përdorin për litar edhe për shporta. Kurse italianët bëjnë edhe më shumë gjëra me to, i përdorin për karrike, edhe për të bërë shporta dhe kapele”. Me një fjalë ai donte të ishte sa më i sigurt e më i qartë për çdo detaj, objekt ose veprim. Jakovi i jepte shumë rëndësi njohjes direkte të faktit dhe përjetimit të veprimeve. Duke udhëtuar drejt Grizës, mbaj mend të theksonte nevojën e të vetëjetuarit të detajeve të ndryshme: ”Tjetër gjendje shpirtërore ke kur përshkruan një gjahtar, që e ke parë në ushez , dhe, të tjera emocione ke, kur e ke jetuar vetë realitetin i strukur në ushez si gjahtar, ditën a po natën, në erë ose në acar. Po kështu edhe një peshkatar, e përshkruan emocionalisht më bindshëm, kur edhe vetë e ke përdorur fushnjerën, apo çërrnikun”.[4]
Me t’u future në fshat, shkuam tek kodra e butë, ku kish qënë trualli dhe shtëpia e të parëve të mi. Vumë re se vërtetë asnjë shenjë prej themelve te shtëpisë së tyre nuk dukej, përveç grykës së pusit me gurë. Që aty zbritëm prap në rrugë, ku ndanë saj nga e majta ishin shtëpitë e fisit të Micallarëve të mbetur. Tok me Jakovin u futëm në oborrin e gjysh Nasit. Atje, sa na pa, na priti çupa e shtëpisë, mbesa e Baba-Nasit, vajza e xha Lamit, Liria, një vajzë e e sjellur, gojë-ëmbël, me tipare të derdhura, vajza më e pashme e fisit. Atëherë ajo sapo ishte fejuar me mësuesin Kristul Tase dhe po përgatitej të dilte nuse në Fier. Liria na shpuri tek divitja, në odën e madhe të miqëve, ku zakonisht rrinte Baba Gjyshi, Nas Mici, që i kish kaluar të nëtëdhjetat, po mbahej mirë, kuvendonte nga dalë dhe me kujtesë të qartë. Duke pirë kafenë, ai i tregoi Jakovit gjithë historinë e fisit, pak a shumë, ato ngjarje, që i kishin rrëfyer më parë Nëna e Madhe dhe xha Koli.
- Po si mendon zotrote se pse e e bëri beu vrasjen e Petos?- e pyeti shkrimtari Baba Gjyshin.
- Beu bëri vrasje që të trembeshin të tjerët, prandaj e bëri dhe në ditën e pazarit, që ta merrnin vesh sa më shumë njerëz.
- Ndërkohë, Jakovi i bërë kurioz nga rrëfimi Gjysh Nasit, e pyeti se cilat ngjarje i kishin lënduar më sëhumë zemrën.
- Kush rron gjatë ka gëzime për të rrëfyr, po ka edhe pikëllime. Nuk më hiqet nga mendja Gripi Spanjol në fund të Luftës së Madhe në kohën e Austrisë dhe të Italisë së Parë. Na vdisnin njerëzit e fisit nga dy tre në ditë dhe nuk kishim kohë as t’i shpinim në kishën e në Shën-Koll për t’i varrosur me prift, po i varrosnim këtu në Shën-Mark, pa prift e pa litani. Ishte si kolere, gjëmë e madhe nga perëndia. Po do ti, pa na u shëruar plagët e vdekjeve, na plasi një e keqe tjetër..Po kësaj radhe nuk e patëm nga perëndia, po nga qeveria. Na dëbuan dhe na degëdisën më të shumtën e fisit. Sikur na prenë krahët. Qe ngjarje e rëndë, që u shkaktua nga zullumi i beut, ngjarje kjo që ju e paskeni marrë vesh edhe nga të tjerë.
Ndërsa ne bisedonim me xha Nasin, Liria tok me nënën e saj, teta Marien, kishin bërë gati një drekë të shpejtë me mish pule kotoletë, djathë të bardhë dele dhe kos të freskët.
Dhe, pasi hëmgrëm drekën, u duk të vinte gjyshe Patra, teta Maria, e ëma e Lirisë si edhe vetë Liria me filxhanët e kafesë mbi tabaka.
Atëhere, kur u bëmë bashkë të gjithë, pranë Baba Gjyshit, duke pirë kafenë, unë i falnderova për mikpritjen dhe u tregova qëllimin e vizitës me Jakovin. Ua prezantova atë, si mikun tim. U thashë se është shkrimtar dhe po shkruan një libër, që mbështetet në dëbimin e Micallarëvë nga Griza dhe vendosjen e tyre në Shën-Pjetër, pranë Lumit të Vjetër.
- Me një fjalë, – u dëgjua Liria,- beu dikur na ndau, kurse shkrimtari tani në librin e tij po na afron..
- Ashtu është, – shtova unë,- po duke u nisur nga ngjarjet e trazuara të fisit, libri do të rrëfejë jetën jo vetëm për ne, po për të gjithë Myzeqenë; pra nuk do të jetë histori, po një libër letrar, një roman, ku emrat dhe mbiemrat do te jenë ndryshe.
Mbas dreke u larguam nga shtëpia e Micallarëve të Grizës , duke shprehur mirënjohjen për nderin që na bënë, dhe u nisëm për në Fier. Pas disa minutash, te kthesa e Patosit, pamë të vinte një kamion. I bëmë shenjë të ndalonte dhe shoferi na mori e na shpuiri në qytet brenda pak minutash.
Është me vend të shenoj se kjo vizitë e Jakovit në Grizë do t’i jepte dorë atij për të konceptuar realitetin artistik rreth kapitullit të parë të romanit. Është kapitulli, që tregon Pilo Shpiragun e dëbuar nga shtëpia e vetë, të ngarkojë qerren dhe të marrë rrugën me laçkë e plaçkë drejt qytetit të Fierit, në hanin e Bishtanakës, para se të nguliteshin në Trokth. Po në këtë kapitull Teto Konxhja do të bënte mallkimin e saj profetik kunder Veli Beut..
Kur po kalonim urën me shkallë të lumit Gjanica, që gjarpëron përmes Fierit, Jakovi ndali dhe u takua me nje të njohurin e tij, që e kish mik te vjeter nga familja e dëgjuar e Porove të Fierit dhe ma prezantoi. Me sa mbaj mend e quanin Arqile Poro, ose Stavri Poro. Dhe, duke i folur për mua, i tha atij:”Ky ka qënë çelësi im drejt Myzeqesë”
Tek dëgjova ato fjalë, e ndjeva veten të mbivlerësuar, dhe reagova, duke i thënë Jakovit:
- Po të ishit nga Gjirokastra, ose nga Shkodra, dhe mund të pranohej ky lavdërim, po kur ju jeni rritur në Fier… them se ka pak tepërim për mua. Përkundrazi,- shtova unë,- ju jeni çelësi im drejt horizonteve letrare.
- Po unë nuk e kam fjalën për qytetin, – tha Jakovi,- po për fushat e Myzeqesë
Atë çast, pa u zgjatur shumë me mikun me mbiemrin Poro, u ndamë. Të dy ndoqëm udhën e Semanit. Unë për në shtëpinë time në Fermë dhe Jakovi drejt Apolonisë, ku kishte kohë, që qe rregulluar në dhomën e “dhespotit” në Manastirin e Shën –Mërisë. (Vijon)
[1] N.Jorgaqi, Koha e kujtimeve,f.369, Tiranë, 2011.
[2] Sh. Islamaj, “Gjuha e Jakov Xoxës”, Prishtinë, 2000.
[3] “Zhulatet” do të thotë që përthyhet duke u përdredhur për t’u bërë elastike, sidomos zhukat, po të mos zhulaten, thyhen
[4] Çërrnik quhet vegla që peshkatari përdor për ta marrë peshkun nga rrjeta e ta vendos në kosh ose në trastë