Në dëshminë që mban datën 19 janar 2019, shoku i ngushtë i Shkëlzen Bucit ka rrëfyer me detaje mbi marrëdhëniet që kishin babë e bir me Eglantina Bucin. Kjo e fundit ishte fejuar me një djalë që nuk e donte, dhe më pas pasi kishte marrë një sasi lekësh nga shtëpia e saj kishte ikur me djalin që ajo donte. Ky i fundit, kishte një dyqan ushqimore pranë shtëpisë ku jetonte Eglantina. Ai tregon se Shkëlzeni e kishte “përdorur” atë që të bënte për vete Eglantinën, madje edhe i kishte dhënë unazën që t’i propozonte, por më pas hoqi dorë nga kjo “lojë” pasi po i shkaktonte probleme në familjen e tij.
“Para rreth 5-6 vitesh në afërsi të Qafë Mollës- Dajt, Shkëlzen Buci ka vrarë me armë zjarri pistoletë motrën e tij, Eglantina Buci. Deri tek vendi i vrasjes Shkëlzeni e ka çuar motrën e tij me automjetin tim. U takova me Shkëlzenin dhe Eglantina Bucin tek rrethrrotullimi i autobusëve tek IKV, dhe prej andej vazhduam rrugën në drejtim të malit të Dajtit. Shkëlzeni i jepte makinës, Eglantina ishte pasagjere në sediljen e parë, dhe unë mbrapa. Pas ngjarje, shkuam në një lavazh në rrugën “Xhanfize Keko” për të larë makinën
Shkëlzen Bucin e kisha shok. I dija problemet e tij me motrën, por edhe të babait Faik Bucit. Eglantina ka marrë një sasi lekësh nga banesa dhe ishte larguar, si dhe Eglantinën e kishin fejuar pa dëshirën e saj, i vëllai dhe babai. Në kohën që Eglantina ka qenë e fejuar, nuk e donte këtë djalë dhe pasi ka marrë paratë nga shtëpia, është larguar me djalin që dashuronte, i cili kishte një dyqan ushqimor pranë shtëpisë se Eglantinës.
Pasi është larguar nga banesa, pas disa kohësh, policia zbuloi vendndodhjen e Eglantinës dhe e shoqëruan në komisariatin e Kamzës. E çova Faikun dhe nusen e tij, L.Buci (njerkën e Eglantinës) në Komisariatin e Kamzës. Shkëlzeni erdhi më vonë në komisariat pasi kishte punë. Unë me njerkën e Eglantinës qëndruam në lokal. Pas rreth një ore Faiku me Shkëlzenin dolën nga komisariati ndërsa Eglantinën e shoqëroi policia në një qendër rehabilitimi, me sa më kujtohet, në Linzë. Më tej ata vazhduan gjyqet me djalin që u largua Eglantina, por edhe personat e tjerë që ishin të përfshirë në largimin apo shfrytëzimin e saj. Një herë gjatë zhvillimit të gjyqit, Faiku e ka kërcënuar Eglantinën duke i kërkuar llogari për shumën e lekëve që i kishte marrë nga shtëpia. Isha i pranishëm kur Faiku bëri këtë bisedë me Shkëlzenin. Gjatë kësaj kohe Faiku dhe Shkëlzeni lëviznin me makinën time dhe prandaj kam qenë i pranishëm në çdo bisedë që ata bënin.
Më pas, nga Shkëzeni mësova se Eglantina ishte larguar nga qendra e rehabilitimit dhe qëndronte tek xhaxhai i saj në Babrru. Gjatë kësaj kohe, Shkëlzeni më propozoi që të lidhesha me Eglantinën me qëllim që ajo të afrohej me të shtëpisë së saj.
Shkëlzeni më dha numrin e telefonit të Eglantinës dhe fillova të flisja me të dhe e takova për herë të parë, të vetme. Ndërsa herën e dytë ajo ka marrë në takim edhe xhaxhanë e saj ku u takuam në një lokal tek Fresku.
Herën e tretë u takuam në rrugën e Dibrës përballë “Shkollës së Bashkuar” ku i dhashë Eglantinës një unazë, që më parë ma kishte dhënë Faik Buci, që gjoja të fejohesha me të.
Pas disa kohësh duke qenë se Eglantina më shqetësonte në telefon në orët e vona të natës si dhe kanë filluar që të kërkonin banesën time duke qenë se nuk doja që të rrezikoja familjen pasi jam i martuar, iu shkëputa marrëdhëniet me Eglantinën. Shkëlzeni dhe Faiku debatuan me xhaxhanë sepse pse e mbante Eglantinën në shtëpinë e tij.
Te kafe “Europa” janë takuar Eglantina, Faiku dhe Shkëlzeni. Djali me të cilin ishte larguar Eglantina pasi ajo kishte marrë lekët nga shtëpia si dhe një djalë tjetër me emrin “Visi” i cili ishte shoku i të dashurit të Eglantinës. Nga Shkëlzeni kam mësuar se takimi ishte bërë me qëllimin që personi të pranonte fejesën me vajzën dhe familja ta pranonte këtë fejesë”, mësohet të ketë thënë ai.
“Njëri nga zagarët po nuhaste një vend ku kishte një kafkë njeriu”, zbardhet dëshmia e gjuetarit që gjeti eshtrat e Eglantina Bucit
Report TV ka zbardhur dëshminë e plotë të gjuetarit i cili ka gjetur eshtrat e Eglantina Bucit në 12 shator 2021.
“D.Ç: Më 13 shtator 2012 isha për gjueti në malin e fshatit Fag, pata me vete dy zagarë. Njëri prej tyre po nuhaste në një vend ku kishte një kafkë njeriu. Aty kishte dhe disa eshtra. Njoftova menjëherë policinë”, mësohet të ketë thënë gjuetari.
“Bluze bezhë e grisur, e djegur në trup”, çfarë u gjet nga Eglantina Buci në 14 shtator 2012 në Malin me gropa
Në dosjen e plotë që ka zbardhur shqiptarja.com, zbulohet ekzatësisht se çfarë u gjet në Malin me Gropa nga policia, teksa theksohet se eshtrat e saj janë gjendur 2 vjet pasi është masakruar. Ajo që nuk dihej është se në trupin e saj janë gjetur shenja djegieje, për të cilat ekspertiza thotë se mund të jenë shkaktuar para ose pas vdekjes.
“14 shtator 2012 njoftim në polici se në malin me gropa në Shëngjergj Tiranë, janë gjetur kocka. Eshtrat gjenden në Malin Fag, fshati Fag, Shëngjergj: Një kafkë (pa nofullën e poshtme) kocka të njërës shpatull, tre kocka të njërit prej ekstremiteteve të sipërme të cilat janë të lidhura mes tyre me pak mbeturina indesh të buta, të thara, një gjysmë e nofullës së poshtme me 5 dhëmbë, dy dhëmbë që u dërguan në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim. Më 21 shtator në pyllin me Pisha pranë Malit Fag u bë kontroll me qen të stërvitur, u gjetën: Një bluzë ngjyrë bezhë e grisur, e djegur pjesërisht, një kockë e njerës anë të bacilit, një klavikul, një pjesë kocke diafazë e gjatë, një tufë flokësh. Eglantina mund të jetë masakruar para vdekjes, u vra 2 vjet para se t’i gjendeshin eshtrat. Më 5 tetor 2012 ekspertët ligjorë konkludojnë: Eshtrat i përkasin një njeriu të vetëm, seksi femër rreth 30 vjeç. “Në eshtra u konstatuan kryesisht thyerje dhe ngrënie të shkaktuara kryesisht nga veprimi pas vdekjes i faktorëve të ndryshëm shkatërrues, pa u përjashtuar shkaktimi i tyre eventualisht para vdekjes me mjete të forta mbetëse, po kështu u vunë disa shenja djegieje, që mund të jenë shkaktuar para ose pas vdekjes”, thuhet në dosje.
Vdekja e kufomës ka ndodhur 1-2 vjet më parë (koha e vdekjes e vështirë të përcaktohet e saktë)
/a.r