Presidenti ka rivendosur totalisht primatin e PKK-së, të së cilës i është imponuar udhëheqës i padiskutueshëm. Kjo i mundëson që ta përjetësojë binomin kapitalizëm – dirixhizëm. Por në perspektivë tranzicioni politike, me të panjohurat relative, duket i pashmangshëm
“Parti, qeveri, ushtri, shoqëri, shkollë, Lindje, perëndim, Jug, Veri: Partia është udhëheqësja e gjithçkaje». Kjo shprehje e thënë nga Presidenti kinez Xi Jinping i përshtatet gjuhës së përdorur nga «Timonieri i Madh» Mao Ce Dun dhe pasqyron hierarkinë e sotme të pushtetit në Republikën Popullore. Në pikën që në fundin e 2017 është futur në statutin e Partisë Komuniste Kineze (PKK). Qysh nga viti 2012 që ka marrë drejtimin e vendit, Xi në fakt e ka forcuar më tej rolin e PKK-së (që numëron thuajse 89.6 milion anëtarë) si çernierë rreth të cilës vërtiten qeveria, Ushtria Popullore Çlirimtare (UPÇ), inteligjenca, ndërmarrjet publike dhe të fuqishmit lokalë. Xi, që është përcaktuar zyrtarisht për partinë si «bërthama» (hexin), e ka përqëndruar pushtetin vendimmarrës në duart e tij vetëm siç kishte bërë vetëm Mao më parë, ka lançuar një luftë të ashpër kundër korrupsionit për të përjashtuar antagonistët dhe «drunjtë e shtrembër» nga PKK-ja dhe nga forcat e armatosura, ka pozicionuar njerëz të besuar të tij në pozicione drejtuese dhe ka future risi institucionale për të riorganizuar nyjet e pushtetit. «Neoautoritarizmi» (xin quanwei zhuyi), i të cilit Xi është protagonist, është teorizuar tashmë nga Wang Huning, që sot është në Komitetin e Përhershëm të Byrosë Politike, organ kryesor i lartë i PKK-së. Wang ka një detyrë thelbësore: të plazmojë ideologjinë e partisë, të transmetuar shoqërisë nga aparati i propagandës. Këshilltari i Xi ka kontribuar në zhvillimin e koncepteve ideologjike të përpunuara nga Jiang Zemin dhe Hu Jintao, si edhe të «ëndrrës kineze» dhe të «rilindjes së kombit» të shpallura nga Xi. Kjo e fundit parashikon rikthimin e vendit në rangun e fuqisë botërore brenda vitit 2049. Sipas Wang, stabiliteti politik është baza e zhvillimit politik. Faktorë si demokracia dhe liria individuale do të merren në konsideratë vetëm në një moment të dytë, kur kushtet historike, sociale dhe kulturore do e mundësojnë.
Xi është i bindur se kjo është rruga për të zbatuar reformat socioekonomike paraprake për «rilindjen» kombëtare. Një rrugëtim i tillë pengohet nga probleme tashmë të pashmangshme: hendeku i pasurisë midis pjesës bregdetare dhe asaj të brendshme, si dhe midis qytetit e fshatit; ndotja; urbanizimi; plakja e shpejtë demografike; rrezik i shpërthimit të flluskës imobiliare. Elementëve të tillë u shtohen kërcënimet e jashtme: midis këtyre janë përplasja potenciale me Shtetet e Bashkuara në Azi – Paqësor, tensionet me Japoninë dhe pasojat e mundshme negative që burojnë nga ripushtimi i Tajvanit, të cilin Pekini e konsideron conditio sine qua non të «rilindjes» së tij. Sigurisht që përputhja e faktorëve të brendshëm e të jashtëm do të ndikojë mbi raportin midis Xi e Deep State dhe mbi fatet e partisë.
Përqëndrim vendimmarrës
Një prej ndryshimeve më të rëndësishme të mbujtur nga udhëheqësi i PKK-së në logjikat e pushtetit kinez është heqja e limitit të dy mandative presidenciale, e ndodhur gjatë Kongresit të XIII-të Kombëtar të Popullit (organ suprem legislativ) i mbajtur në majin e 2018. Kjo do t’i mundësojë Xi që ta ruajë rolin e kreut të shtetit edhe pas vitit 2022, paralelisht me atë të Sekretarit të Parë dhe të kreut të Komisionit Qendror Ushtarak (CMC), organ drejtues i UPÇ. Formalisht, partia ka qenë gjithmonë vatra e ekzistencës së republikës Popullore. Megjithatë, kur Ten Hsiao Pini drejtonte vendin, pushteti qendronte tek UPÇ-ja dhe ndahej me PKK-në dhe shtetin. Në fakt, «Timonieri i Vogël» ishte President i Komisionit Qendror Ushtarak, por nuk ishte në krye të Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të PKK-së. Nuk ishte as midis anëtarëve të saj. Organi udhëhiqej në fakt nga Zhao Ziyang, që nga ana e tij ishte Zëvendëspresident Komisionit Qendror Ushtarak. Presidenti i Republikës Yang Shangkun mbulonte të njëjtin post. Ky mekanizëm kaq i komplikuar dhe i brishtë i detyronte të tri qendrat e pushtetit në një dialektikë konstante. Në mënyrë të veçantë pengonte që të verifikohej një përqëndrim i ri vendimmarrës i ngjashëm me atë të realizuar më parë nga Mao Ce Duni. Në përfundim të mandatit të tij të parë, Xi ka arritur që t’i përmbysë këto ekuilibra pushteti. Udhëheqësi kinez mund t’i mbante frenat edhe pa qenë president, post respektivisht të cilit dy të tjerët i atribuojnë pushtete më të mëdha. Megjithatë, reforma do t’i mundësojë «bërthamës» që ta institucionalizojë ndjekjen e lidershipit të tij, ta ruajë më shumë nga sulmet e antagonistëve të tij potencialë dhe ta forcojë më tej kontrollin e PKK-së ndaj aparatit shtetëror.
Institucionalizimi i luftës kundër korrupsionit
Xi ka kërkuar që të ndalet shtimi i qendrave të pushtetit midis enteve shtetërore të niveleve të ndryshme të formyara gjatë presidencave të mëparshme. Politika e reformës dhe e hapjes e promovuar nga Ten Hsiao Pini parashikonte që funksionarët lokalë të kishin përgjegjësinë e stimulimit të rritjes e vendeve në varësi, të stimuluar nga fakti që nga ana e tyre do të pasuroheshin. Kjo strategji krijoi premisat e bumit ekonomik kinez, por favorizoi edhe përhapjen e madhe të korrupsionit. Një situatë e tillë u ashpërsua me presidentët Jiang Zemin dhe Hu Jintao, kur u shfaq më forcë të madhe formimi i rrjeteve midis partisë, aparateve të sigurisë, botës së biznesit dhe forcave të armatosura. Lufta kundër korrupsionit e promovuar nga Xi ka shërbyer pikërisht për ta çmontuar këtë botë, që në fakt kërcënonte stabilitetin e PKK-së. Në vitin 2012, Xi ka ngarkuar aleatin e tij Wang Qishan (tani Zëvendëspresident) që të drejtojë Komisionin Qendror për Inspektimin Disiplinor (CCID) të PKK-së në luftën kundër «tigrave» dhe «mizave» (të korruptuarit e rangut të lartë dhe të ulët) dhe këtë vit ka krijuar një komision të ri për mbikëqyrjen kombëtare. Në ndryshim nga i pari, ky i dyti monitoron jo vetëm sjelljen e anëtarëve të partisë, port ë të gjithë funksionarëve dhe të enteve shtetërore. Përfshi kompanitë publike, spitalet, shkollat dhe qendrat kërkimore. Numri i subjekteve që i nënshtrohen monitorimit do të rritet me 200%. Organi i ri drejtohet nga Yang Xiaodu, ish Zëvendëssekretar i CCID-së. kjo tregon se lufta kundër të korruptuarve mbetet në kontrollin e PKK-së.
Ngritja dhe rënia e aparateve të sigurisë së brendshme
Falë punës së CCID-së, Xi ka marrë kontrollin e aparateve të sigurisë së brendshme. Përpara vitit 2012, Komisioni Qendror i PKK-së, që mbikëqyrte çështjet e sigurisë kombëtare (përfshi aktivitetet e inteligjencës së brendshme) ishte një prej organeve më të fuqishme të PKK-së. Zhou Yongkang, që ishte kreu i tij, konsiderohej si «Cari» i inteligjencës kineze. Zhou e kishte përdorur komisionin për të zhvilluar një rrjet midis shtyllave të pushtetit kinez dhe buxheti i caktuar për organin e kryesuar prej tij ishte më i lartë se ai i UPÇ-së. Për këtë, në vitin 2014 politikani ka qenë «tigri» i parë që është goditur nga fushata antikorrupsion. Vitin e kaluar, Liu Shiyu ka qenë funksionari i parë i nivelit të lartë që ka pranuar publikisht se Zhou bashkë me Bo Xilai (dikur kreu i partisë në Chongqing), Sun Zhengcai (pasuesi i tij) dhe gjeneralët Ling Jihua, Xu Caihou dhe Guo Boxiong kishin organizuar një komplot për përmbysjen e Presidentit. Të gjithë ishin pjesë e të ashtuquajturit «fraksion i Jiang Zemin», formulë me të cilën tregohen politikanët që ia detyrojnë ngritjen e tyre mbështetjes së ish Presidentit. Çmontimi i rrjetit të interesave të Zhou ka shkaktuar një ricaktim të shpejtë të posteve kyçe në aparatin e sigurisë së brendshme dhe në UPÇ të politikanëve që kanë bërë karrierë me Xi. Veç kësaj, Presidenti ka ndaluar që anëtarët e Komisionit për Çështjet Politike dhe Ligjore të mbanin pozicione të tjera drejtuese. Në fakt, sekretari i tij është pjesë e Byrosë Politike të PKK-së, por jo i Komitetit të Përhershëm të saj. Domethënë është në një nivel hierarkisht më të ulët se në të kaluarën.
Kontrolli i të fuqishmëve lokalë
Rasti i Zhou Yongkang ka lënë të kuptohet se të fuqishmit lokalë janë goditur drejtpërsëdrejti nga procesi i përqëndrimit vendimmarrës dhe se proverbi sipas të cilit «nivelet më të larta kanë politikat, ato më të ulëta kundërmasat» (shang you zhengce, xia you duice) duhet të hidhet poshtë. Chongqing, ku më parë Bo Xilai e më pas Sun Zhengcai kanë qenë sekretarë të parë të partisë, është në fakt sot aglomerati urban gjeopolitkisht më interesant i Republikës Popullore pasi sintetizon sfidat gjeoekonomike të vendit të vitet e ardhshme. Njësia në fjalë ndodhet në Kinën Qendro – jugore, në një zonë malore në afërsi të Lumit Yangtze (ose Lumit të Kaltër). Ky buron në rrafshnaltën e Tibetit dhe derdhet në Detin e Kinës Jugore dhe lidh pjesën e brendshme të vendit me brigjet. Në të njëjtën kohë, ndaj pjesën veriore nga ajo jugore. Edhe në dritën e pozicionit gjeografik të tij, Pekini synon tek Chongqing për të mbushur hendekun ekonomik midis qendrës dhe periferisë. Në të njëjtën kohë, aglomerati urban është një nyje nevralgjike e iniciativave infrastrukturore të nisra në kuadrin e rrugëve të reja të mëndafshit. E gjitha kjo shpjegon se pse Chongqing ka qenë gjatë viteve të fundit teatër i luftërave të brendshme të PKK-së dhe pse Chen Min’er, që ka punuar me Xi në njësinë administrative të Zhejiang, është sot Sekretar i Parë i PKK-së në megalopol.
Riorganizimi i UPÇ-së
Siç thoshte Mao Ce Duni, «pushteti buron nga gryka e pushkës». Për këtë arësye, Xi ka kryer disa reforma për të mbajtur fuqimisht në duar frenat e UPÇ-së (besnikëria e të cilës i shkon partisë, jo shtetit) dhe në të njëjtën kohë t’i favorizojë modernizimin. Objektivi: të trasformojë Kinën në një fuqi detare dhe kibernetike në vitet e ardhshme. Për mbikëqyrjen në mënyrë të drejtpërdrejtë riorganizimin e forcave të armatosura, Xi ka marrë rolin e kreut të Qendrës së Komandës të betejës së Përbashkët të Komisionit Qendror Ushtarak, të grupit Drejtues Qendror për Reformat Ushtarake për Reformat Ushtarake, të Komisionit Qendror për Sigurinë Kombëtare, të Komisionit për Zhvillimin e Integruar Ushtarako – Civil. Ushtria tokësore është e pajisur me një shtab të përgjithshëm të sajën. Përpara kësaj reforme, ku funksion realizohej nga Komisioni Qendror Ushtarak, gjë që e vinte ushtrinë në pozicion të mbiurdhëruar krahasuar me degët e tjera të UPÇ-së. duke vepruar kështu, Xi ka thjeshtuar strukturën komanduese dhe ka marrë fqusimisht kontrollin e Komisionit Qendror Ushtarak.
Policia e Armatosur e Popullit (PAP) është vënë nën kontrollin ekzkluziv të Komisionit, duke iu hequr Këshillit të Shtetit (Ekzekutivit të Republikës Popullore të Kinës), ndërsa Roja Bregdetare varet tani nga PAP-i. Të dyja i përgjigjen vetëm partisë, jo qeverisë: askush nëpërmjet hierarkisë shtetërore mund ta mobilizojë PAP-in kundër partisë. Pekini ka ngarkuar edhe një Ministri për Çështjen e Veteranëve të sapokrijuar që të merret me çështjet lidhur me ushtarakët në pension, që më shumë se një herë kanë shprehur pakënaqësi për trajtimin ekonomik të marrë. Objektivi është të shmanget që pakënaqësia e tyre të nxisë jostabilitet të brendshëm.
Reforma e kompanive shtetërore dhe kontrolli i kompanive private
Tani që lufta kundër korrupsionit ka nxjerrë jashtë loje kundërshtarë të ndryshëm të Presidentit, Xi mund ta përshpejtojë procesin e reformave të prirur që të përmirësojë cilësinë e ekonomisë kineze. Në mënyrë domethënëse, Komisioni Qendror për Zhvillimin dhe Reformat i Këshillit të Shtetit është privuar nga pushtete të ndryshme, të shpërndara në ministri të tjera. Në fakt, Komisioni merrej shumë me miratimin e projekteve dhe shumë pak me futjen e ndryshimeve të rëndësishme në modelin ekonomik kinez; veç kësaj, anëtarë të ndryshëm të tij janë përfshirë në skandale korrupsioni.
Sistemi kinez parashikon që tregu menaxhon resurset, ndërsa «dora e dukshme» e Pekinit mbledh rezultatet më të mira. Për këtë arësye, PKK-ja ushtron kontrollin si ndaj kompanive publike, ashtu edhe të atyre private: thuajse totaliteti i të parave dhe 70% e të dytave (përfshi ato të huaja që operojnë në Kinë) kanë brenda tyre zyra të partisë që mbikëqyrin operacionet e përditshme dhe luajnë një rol kyç në procesin vendimmarrës.
Partia e ushtron influencën e saj mbi kompanitë publike edhe nëpërmjet Komisionit për Mbikëqyrjen dhe Administrimin e Resurseve Shtetërore të Këshillit të Shtetit (me akronimin SASAC). Pohimet e Drejtorit të tij Xiao Yaqing, të përcjella nga e përditshmja e Shkollës Qendrore të PKK-së, nuk lënë vend për keqkuptime: 10 milion anëtarët e partisë të punësuar në kompanitë shtetërore «janë shtylla kurrizore e klasës punëtore kineze». Xiao thekson se Pekini do t’i rezistojë privatizimit, domethënë që kompanitë shtetërore do të vazhdojnë të udhëheqin ekonominë kineze dhe do të mbeten nën kontrollin e PKK-së. midis reformave tashmë të individualizuara figurojnë «pjesëmarrja e përzier», që u mundëson kompanive private të fitojnë pjesë tek ato publike në vështirësi për t’u shëndoshur borxhet; shkrirja midis kompanive shtetërore të mëdha e të vogla; mbylljen e atyre joprodhuese, të quajtura «zombie» pasi mbahen në jetë nga qeveria. Ky opsion i fundit është më i mprehtë, pasi implikon pushimin nga puna e miliona njerëzve dhe rrezikon të ushqejë pakënaqësinë sociale.
Pekini ka kufizuar edhe investimet e jashtmë e kompanive private për të penguar ato që kanë akumuluar tashmë borxhe të mëdha për kryerjen e operacioneve «iracionale» që ua rëndojnë situatën. Për shembull, konglomeratit “Dalian Wanda” të drejtuar nga Wang Jianlin i është dashur «që të përshtatet me tendencën e zhvillimit ekonomik kombëtar» dhe të përqëndrohet me dhënien vlerë të tregut të brendshëm. Wu Xiaohui dhe Ye Jianming, respektivisht krerë të grupit sigurues Anbang dhe të CEFC China Energy, janë akuzuar në fakt për «krime ekonomike» dhe janë arrestuar. PKK-ja do që të përdorë gjigandët teknologjikë Baidu (motor kërkimi i ngjashëm me Google), Tencent (që posedon systemin e mesazhistikës WeChat) dhe Alibaba (uebsajt shitjesh online) për të mbushur hendekun në fushën e inteligjencës artificiale me Shtetet e Bashkuara. Prandaj ia ka caktuar zyrtarisht atyre detyrën e përshpejtimit të zhvillimit respektivisht të drejtimit automatik, të sistemit të transportit urban dhe të përdorimit të kompjuterëve për diagnozat mjekësore.
Një detyrë e tillë kërkon që këto kompani private të mos operojnë sipas qejfit. Ajo që po ndodh me zhvillimin e sistemit të kreditimit social (mekanizmi me të cilin nga viti 2020 qeveria do të vlerësojë, do të çmojë dhe do të ndëshkojë sjelljen e individëve, enteve publike dhe private) është shembullore. Banka Qendrore e ka penguar kompaninë Tencent që të nis versionin e saj provë të këtij mekanizmi të nesërmen e lançimit të tij, ndërsa krediti Zhima (Sesamo) e Alibaba është akuzuar se shkel privatësinë e përdoruesve. Xi nuk do që këta kolosë të shfrytëzojnë sasinë e madhe e të dhënave të vëna në dispozicion nga 751 milion përdoruesit e Internetit kinez vetëm për interesat e tyre; në fakt, do t’ua përdorë potencialitetet teknologjike për ta kontrolluar më mirë vendin.
Çfarë do të mbesë nga Xi?
Është vështirë të imagjinohet që një riorganizim i ngjashëm i ekuilibrave të pushtetit të mos gjenerojë pakënaqësinë tek ata që më parë përfitonin nga stauskuoja. Prandaj ka të ngjarë që në vitet e ardhshme do të krijohen fërkime të reja në gjirin e PKK-së. Sipas të gjitha gjasave, Xi do të qeverisë përtej vitit 2022, por në perspektivë tranzicioni politik është i pashmangshëm. Megjithatë, nëqoftëse bërthama aktuale e lidershipit kinez do t’ia transferojë të gjithë pushtetin e saj një individi të vetëm apo do ta rishpërndajë, në funksion të teorive të Wang Huning, sot nuk është e parashikueshme. Mbi një proces të tillë do të ndikojnë nfakt rezultati i reformave socioekonomike, dinamikat e brendshme në parti dhe entiteti i kërcënimeve të jashtme ndaj stabilitetit të vendit. Kompleksiteti i këtyre faktorëve e bën një decentralizim të ri vendimmarrës aspak të mirëqenë.
(nga Limes)
Përgatiti: ARMIN TIRANA / bota.al