Një lajm i mirë për kinemanë shqiptare. Turner Classical Movies, kanali televiziv amerikan i cili në programacionin e tij përfshin vetëm filmat më të mirë klasikë të krijuar deri në fillim vitet 80-të, për herë të parë do të transmetojë sonte më 20 tetor në orën 21.15 një film shqiptar, një nga më të njohurit dhe më shikuarit e regjisores Xhanfise Keko dhe kinemasë shqiptare, “Tomka dhe shokët e tij”.
Programimi i këtij filmi në TCM e vë autoren Xhanfise Keko mes më të mirëve të historisë së kinemasë duke krijuar shtratin e sjelljes pranë audiencës botërore edhe të titujve të tjerë nga krijimtaria e saj. Përzgjedhja që ky kanal televiziv i ka bërë filmit “Tomka dhe shokët e tij” është rrjedhë llogjike e udhëtimit që ka bërë filmi përgjatë gjashtë viteve të fundit që prej momentit të restaurimit të tij nga Libraria e Kongresit Amerikan në Washington në bashkëpunim me ACP, fillimisht duke u shfaqur premierë në British Film Institute dhe Lincoln Center, duke vazhduar me turin e gjatë të shfaqes në 11 qytete në Britaninë e Madhe si pjesë e programit “Kinemaja e fëmijërisë”, dhe më pas tributet e veçanta dedikuar regjisores Xhanfise Keko nga Danish Film Institute në 2018 dhe Vienna Film Museum në 2019, duke e bërë atë autoren më të vlerësuar në historinë e kinemasë shqiptare. Kritiku i njohur i kinemasë Mark Cousins i cili me dokumentarin e tij “History of Film” u bë një nga zërat më të rëndësishëm në kinemanë botërore, mes 70 autorëve më të shquar të botës nga lindja e kinemasë, përfshiu dhe regjisoren shqiptare në dokumentarin e tij të gjatë “Historia e fëmijëve në film” prezantuar në vitin 2014 në Festivalin e Filmit në Kanë, duke e vlerësuar si një prej autoreve që hulumtuan me sukses këtë zhanër. Në vijim, po ky autor, në dokumentarin “Gratë bëjnë film” prezantuar në vitin 2018 në Festivalin e Filmit në Venecia, në tre segmente të dokumentarit prej 14 orësh, analizon dhe filmat e regjisores Xhanfise Keko mes 183 regjisoreve gra më të shquara në historinë e kinemasë botërore.

Falë këtij prezantimi, platforma on line Filmstruck, një bashkëpunim mes TCM dhe Criterion (njohur në distribucionin e filmave klasikë më të arrirë të kohërave), shfaqi interes për filmin “Tomka dhe shokët e tij” të cilin, menjëherë pas shfaqes së tij në vitin 2017, e bëri pjesë të katalogut të saj duke çertifikuar kështu vlerat artistike të regjisores Xhanfise Keko mes autorëve klasikë më të mirë të kohërave, për të cilën vitet e fundit, duhet thënë, janë shkruar edhe dhjetra artikuj e studime kushtuar autores shqiptare, publikuar në revistat më prestigjioze ndërkombëtare dedikuar kinemasë si, “Sight and Sound”, etj.
Shfaqja e filmit Tomka dhe shokët e tij nga kanali televiz amerikan TCM, është një lajm shumë i mirë jo vetëm për autoren e këtij filmi, regjisoren Xhanfise Keko, por dhe për vetë kinemanë shqiptare në vlerësimin e veprave më të mira të saj, pasi udhëtimi i suksesshëm i “Tomka dhe shokët e tij” i cili u ndoq me “Kur xhirohej një film” dhe “Mimoza llastica” që edhe ato gjetën mbështetjen e audiencave në Cinematekat e Israelit, Danimarkës dhe Austrisë, ka zgjuar interesin edhe për autorë të tjerë të kinemasë klasike shqiptare. Ndaj, tashmë është koha që Ministria e Kulturës të nxitojë me fillimin e procesit të rimasterizimit të veprave më të mira të kinemasë tonë, se nesër mund të jetë vonë, jo vetëm për audiencën ndërkombëtare por dhe për faktin se ato janë në procesin e amortizimit fizik.












