“Jo më larg se sot, pasdite, policia e shtetit ka kryer dy operacione të suksesshme me Spanjën dhe Gjermaninë që kanë të bëjnë me ngjarje të rënda kriminale dhe ne kemi nisur njëkohësisht me partnerët tanë çështjet penale”, deklaroi në një aktivitet për sigurinë sot paradite Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj.
Dhe pak minuta më vonë, ende pa u mbyllur aktiviteti ku ishte i pranishëm Xhafaj, u raportua arrestimi i Arbër Çekaj, pronarit të kompanisë “Arbri Garden”, në kontejnerët e së cilës u gjetën të fshehura 613 kilogramë kokainë.
Një prej aksioneve për të cilat Xhafaj foli tashmë është fakt. Pyetja që ngrihet është se për çfarë operacioni tjetër të rëndësishëm bëhet fjalë?
Kujtojmë se në Spanjë u sekuestrua para disa ditësh një sasi 1 ton kokainë dhe 1.5 milionë euro. Në këtë operacion u prangosën edhe dy shqiptarë. Nuk dihet nëse Xhafaj paralajmëroi arrestimin e të tjerë personave lidhur me këtë grup apo bëhet fjalë për ndonjë grup tjetër kriminal./a.m.










