Brenda pak ditësh ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj do t’i dërgojë kryeministrit Rama dhe Qeverisë, kandidaturën për drejtori e ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Në emisionin “Studio e hapur” me Eni Vasilin në “News24”, ministri Xhafaj thotë se për këtë çështje është konsultuar me njerëz që e njohin policinë, si dhe me partnerët ndërkombëtarë.
Sakaq, ministri ka shtuar se ky proces do të vijojë me ristrukturimin e Policisë së Shtetit, si dhe drejtorive vendore të policisë.
“Jemi duke bërë një proces. Kemi zgjedhur së pari brenda kandidaturave që plotësojnë kriteret. Janë bërë disa teste, janë marrë informacione, janë shkëmbyer mendime me njerëz që e njohin policinë, po kështu edhe me partnerët ndërkombëtare. Besoj se shumë shpejt, punë ditësh, do të marr një vendim se cila do të jetë kandidatura që do t’i propozoj kryeministrit dhe qeverisë, pasi e miraton Këshilli i Ministrave. Kjo nuk do të jetë lëvizja e vetme. Do të ketë edhe lëvizje të tjera, për ristrukturimin e Policisë së Shtetit. Do t’i jepet më shumë hapësirë strukturave vendore. Kam ngarkuar një grup pune, për strukturat vendore. Kemi bërë një studim, kemi pilotuar një projekt. Kemi muaj që kemi punuar, që nga momenti i parë që unë kam ardhur aty. Vendimet se cilët do të jenë njerëzit do ta ketë drejtori i ri i përgjithshëm. Pjesa e drejtorëve të departamenteve më takon mua. Do të jetë një strukturimin i plotë. Së bashku me vettingun do të ketë rezultatin që duan”, u shpreh Xhafaj.
Më tej, ministri tha se duke filluar nga muaji shkurt, do të nisë një proces llogaridhënie i policisë ndaj qytetarëve. Xhafaj tha se në takime publike, policia do të raportojë mbi zhvillimet e deritanishme, dështimet, angazhimet, dhe masat e marra.
“Synojmë një organizmin më të mirë dhe gjithë territorin dhe një raport me të mirë me publikun. Duke filluar nga shkurti do të kemi një koncept të ri llogaridhënie në policinë e shtetit. Do të fokusohemi më shumë në problematikat që ka kriminaliteti, dhe pjesa e grupeve kriminale, tek dështimet që kemi patur, dhe tek mënyra përkatëse e menaxhimit. Pra do të ketë një llogaridhënie në të gjithë vendin ndaj qytetarëve”, u shpreh ministri Xhafaj.