Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka zhvilloi këtë të premte një takim virtual me Komisionerin për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi. Gjatë takimit mësohet se ministrja ka vlerësuar rolin e Varhelyi për ndihmës nga Komisioni Evropian për përballimin e pasojave të tërmetit dhe të pasojave të pandemisë në Shqipëri gjatë 2020-ës.
Më tej në një njoftim nga ministria e Jashtme, mësohet se Xhaçka është shprehur se Shqipëria i ka përmbushur detyrat e saj përpara Konferencës së parë Ndërqeveritare duke informuar Komisionerin për përmbushjen e funksionalitetit të Gjykatës Kushtetuese dhe zbatimin e reformës elektorale në bazë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR.
Ministrja Xhaçka vlerësoi si historik vendimin pozitiv të Këshillit të marsit 2020 për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe kërkoi që gjatë vitit 2021, të bëhet e mundur miratimi i kornizës negociuese për Shqipërinë dhe mbajtja e Konferencës së parë Ndërqeveritare sa më parë.
Më herët gjatë ditës, ministrja Xhaçka u takua me ambasadorin e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca.
/a.r