Lëvizja Vetëvendosje përmes një postimi në Facebook ka thënë se “ata që e duan pushtetin më shumë se Kosovën e formuan Qeverinë pasi morën lejen nga Beogradi”.Ramush Haradinaj është zgjedhur kryeministër i Kosovës me 61 vota pro, e një abstenim, transmeton Koha.net.
“Sot ata që e duan pushtetin më shumë se Kosovën, më në fund arritën ta formojnë një qeveri, pasi që erdhi “leja” nga Beogradi. Si e tillë, kjo qeveri kontrollohet nga Vuçiqi”, shkruan Vetëvendosje.Vetëvendosje më tutje thotë se pushtetarët e Kosovës janë “autokratë të pandreqshëm”, dhe këtë sipas saj e vërtetuan në Kuvendin e Kosovës duke shkelur rregulloren.
“Ata thanë se po kërkojnë bashkëpunim me opozitën shqiptare, që të mos mbeten peng i Beogradit, por edhe kjo është rrenë. Sot kryetari i PAN-it, Kadri Veseli, shkeli rregulloren duke mos e votuar mocionin e opozitës. Ndërkaq PAN-i votoi që opozitës t’i hiqej mundësia për të diskutuar. Kjo tregon se ata nuk kanë asnjë respekt për opozitën, dhe se janë autokratë të pandreqshëm”, thotë VV.
Vetëvendosje ka paralajmëruar që të mos sillen në Kuvend temat e mëdha si Demarkacioni e Zajednica.“Në parimet programore të paraqitura, nuk parashikohet asnjë instrument financiar apo ekonomik në ndihmë të zhvillimit.
Ata aty thonë se do të vazhdojnë privatizimet. Pra programi i tyre është vazhdim i dështimit neoliberal që solli krizën në Kosovë e në botë. Ne e dimë se kjo qeveri i ka punët pisk.
Por u bëjmë thirrje, as mos t’u shkojë ndërmend të sillni në Kuvend “temat e mëdha”, Zajednicën, Demarkacionin, Kosovën C me një kthim shumëpërqindësh të garantuar për privatin, apo privatizimet. Ne i kemi ndalur këto kur ishim pak, tani ne jemi dyfish më të fortë e qeveria dyfish më e dobët. Mos i hapni telashe të reja vendit”, thotë VV.
Megjithatë, Vetëvendosje thotë se do të votojnë çdo propozim që i ndihmon punësimit, mirëqënies, e afrimit të shqiptarëve me Shqipërinë.
“Ne do të mbështesim edhe me votë, çdo politikë e propozim që i ndihmon punësimit, mirëqenies, afrimit me Shqipërinë e shqiptarët në troje e mërgatë, çdo politikë që e bën Kosovën me ushtri, që rrit demokracinë e lufton korrupsionin. Pra nëse doni bashkëpunim, vetëm ajo është rruga. E nëse jo, shumë shpejt keni për të mbetur dy herë më të dobët se në 11 qershor”, thotë VV. (b.an)