Nga Jakin Marena
Zanafilla e tensionit që ka shpërthyer në Veriun e Kosovës është firmosja dhe zbatimi i marrëveshjes së Ohrit. Për të cilën ranë dakord për të mos rënë dakord, që ta nënshkruajnë me ‘mend’ por pa hedhur asnjë firmë.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nuk janë dakord në themel me planin franko-gjerman, megjithëse herë bën njëri sikur e kundërshton ndërsa tjetri bëhet gati për ta firmosur, dhe anasjelltas. Pasi asnjëri prej tyre nuk e dëshiron një gjë të tillë.
Në mes është asociacioni i komunave serbe në veri të Kosovës, pikërisht në ato komuna ku u bënë zgjedhje vendore nga halli dhe pas bojkotit total të serbëve, u mbyll njëri sy dhe njëri vesh nga partnerët ndërkombëtarë duke i njohur në heshtje këto zgjedhje, si një zgjidhje tranzitore, thjeshtë dhe për të mos tensionuar situatën. E cila gjithsesi ndodhi.
Vuçiq këmbëngul në marrëveshjen e Brukselit për asociacionin, ndërsa Kurti kërkon një variant shumë më të zbutur për ta pranuar, për të “respektuar Kushtetutën e Kosovës” sipas arsyetimit të tij, që e përjashton krijimin e këtyre enklavave gjysmë autonome. Që gjithsesi varen nga pushteti qëndror në Prishtinë.
Dhe trazirat janë në prag si me ‘komandë’, sa herë të duan palët për t’i shkaktuar. Serbët që dinë ta luajnë perfekt ‘viktimën’, e kanë bërë dhe në kohën e genocidit të madh më 1998-1999 kur masakruan shqiptarët e Kosovës, i vranë, burgosën, i deportuan dhe bënin si ‘viktima’ të viktimave të vërteta, jo më nuk po dinë ta luajnë këtë rol tani. Aktorë të vërtetë janë.
Kurti ‘i armatosur’ me Kushtetutën që precizon kontrollin e gjithë territorit të Kosovës nga qeveria e shtetit më të ri në Europë, futi nëpër zyra me mbështetjen e forcave të sigurisë dhe policisë krerët shqiptarë të këtyre komunave serbe, të zgjedhur me pakicën e pakicës së votuesve në zgjedhjet e pjesëshme pas tërheqjes së serbëve nga postet dhe bojkotit të zgjedhjeve.
Lëvizjes së Kurtit i ‘erdhi’ dhe Vuçiq i cili dërgoi rreth 100 vetë me maska sa për të thënë se ka përplasje, ka trazira, ka tension dhe rrezik për përballje ushtarake. I shoqëroi dhe me deklarata të vetat Vuçiq se ‘ushtrinë e kemi gati, është nisur për në kufi” dhe të tjera deklarata si kjo, për të treguar se ka tension në Veri të Kosovës, për të thënë se ka rrezik konflikti. I cili për hir të së vërtetës është mbyllur me kohë dhe vakt, dhe as Sandri dhe as Albini nuk e ngjallin dot, pasi janë akoma në memorie bombardimet e NATO-s dhe është akoma në fuqi vendosmëria e SHBA dhe NATO-s për ta shuar dhe idenë e konfliktit të armatosur që në mendjen e këtyre liderëve politikë.
Por ata vijuan, njëri me disa të dërguar me maska që rrinin rreth godinave të komunave serbë dhe tjetri me forcat e sigurisë të dërguara për të mbrojtur kryekomunarët shqiptarë. Ku pompoziteti ishte i tepërt dhe për më tepër dhe vendosja në sytë e kamerave e flamurit shqiptar në godinat e komunave, u interpretua si çlirim i Kosovës prej vërteti. U entuziasmuan dhe ‘patriotët mobilë’ në të dy anët e kufirit, ata politikë e ata të rrjeteve sociale. Madje një shoqatë ish ambasadorësh në Shqipëri, harram paratë e shqiptarëve që i kanë marrë sa kohë kanë qënë në diplomaci, i ‘treguan vendin’ dhe SHBA, Britanisë dhe BE, duke u kërkuar që të rrinë asnjanës. Të shohin punën e vet me një fjalë, të mos e shqetësojnë Albinin.
Ishte shqetësuar Albin Kurti nga deklarata e nxehtë e sekretarit amerikan të shtetit Blinken, që për herë të parë fajësonte qeverinë e Kosovës se po ushtron dhunë, duke kërkuar tërheqjen e policisë dhe shmangjen e veprimeve të njëanshme. Pas Blinken, përfaqësuesit e BE, NATO-s, Britanisë, Gjermanisë e gjithë partnerët ndërkombëtarë, i bënë thirrje Kurtit për vetëpërmbajtje. Ishte mërzitur Albini dhe as ‘dinozauerët’ politikë të Tiranës, as ndonjë senator apo kongresmen, apo eurodeputet që e mbështetën në lëvizjen e tij, nuk e kishin ngushëlluar.
Megjithëse ndoshta me mendjen e tij, kishte luajtur politikë të madhe, i kishte treguar vendin SHBA, BE, NATO-s, Britanisë e të gjithëve bashkë, për të mos u përzier në punët e brendshme të Kosovës. Pikërisht atyre që e çliruan Kosovën dhe e bënë shtet, ndërsa Kurti s’kishte lidhje me çlirimin, madje më keq. Çlirimtarët i çoi në Hagë dhe po punon fort që të mos e nxjerrin kokën gjallë prej andej.
Sepse është komod me këtë opozitë që ka, njëri po bën klipe muzikore me ‘ritmin e rrugës’ dhe s’ka lidhje me politikën, tjetri është në përfundim të setit të fundit fotografik. E ka përsërit pasi i ka dalë një fije floku keq. E kemi fjalën për Memli Krasniqin e PDK dhe Lumir Abdixhikun e LDK, krerët e dy partive më të mëdha të Kosovës në opozitë. Që s’bëjnë opozitë.
Dhe Vuçiq ia arriti kësaj dite. Arriti që të barazojë madje dhe të zbresë më poshtë Kosovën, në raport me qëndrimin ndërkombëtar dhe rrezik për destabilizimin e rajonit. Ia arriti që të vendosë Kurtin përballë SHBA, Britanisë, BE-së, NATO-s të cilët i bënë thirrje që të ndalë dhunën dhe tensionin në veri, ndërkohë që qeveria e Beogradit nuk mori asnjë kritikë.
Ajo që mund të themi është se Kurti ia ka dalë që ta ulë Kosovën në sytë e ndërkombëtarëve, aq sa ta quajnë si nxitëse të dhunës e tensionit, qeverinë mistrece të liderit të Vetëvendosjes. Ia doli me sukses ta shembë gjithë këtë mbështetje për Kosovën nga ‘krijuesit’ e shtetit të dytë shqiptar në Ballkan, nga ata që mbrojtën shqiptarët e Kosovës nga genocidi serb. Ia doli t’i paraqesë para botës demokratike serbët si të persekutuar nga shqiptarët.
Po pse u shkaktuan këto trazira në Veri të Kosovës, kur të gjitha palët e kishin në dorë që të kalonin me qetësi situatën deri në nënshkrimin real të marrëveshjes së Ohrit dhe zbatimin e planit franko-gjerman zyrtarisht, për të hapur rrugën e negociatave me themel Serbi-Kosovë.
Eshtë politika në mes, përfitimet prej saj nga dy liderë që janë në hall, secili sipas kutit të tij.
Aleksandër Vuçiq nuk e ka situatën në kontroll në Serbi. Ai është kritikuar që po vazhdon të mbajë dy poste, atë të presidentit dhe të kryetarit të partisë që është në pushtet. Dhe po i mban paksa gjatë. Ndaj i volit një tension i tillë, si një tentativë për të rigrupuar sa më shumë njerëz pas një dekade pushtet në Serbi dhe pas presionit publik gjithmonë e më shumë në rritje.
Kjo është përkthyer në protesta masive që po organizohen pas dy ngjarjeve tragjike, shtuar këtu dhe akuzat e protestuesve ndaj qeverisë për krijimin e një atmosfere me gjuhë urrjetjeje kundër kundërshtarëve politikë dhe fushatat e pamëshirshme propagandistike në mediat kryesore serbe.
Vuçiq gjendet në vështirësi, pasi partitë opozitare janë deklaruar të vendosura se do vazhdojnë demonstratat deri në plotësimin e kërkesave të tyre, të cilat përfshijnë shkarkimin e ministrit të brendshëm dhe kreut të shërbimit sekret, heqjen e licencave të transmetimit për dy stacione televizive pro-qeveritare dhe shkarkimin e organit të monitorimit të medias.
Për këtë arsye Vuçiç organizoi atë kundër-miting në mes të shiut në Beograd para disa ditësh, ku deklaroi dorëheqjen nga partia që udhëheq deri më tani, Partisë Përparimtare Serbe(SNS) dhe lajmëroi krijimin e një partie të re, që sipas tij përfaqëson gjithë popullin.
Pra, Vuçiç dëshiron të sigurojë një mandat tjetër politik duke krijuar një lëvizje të re politike, pasi me të parën është i padëshirueshëm, brenda dhe jashtë vendit. Dhe mund të ketë një qëndrim më të ashpër ndaj Perëndimit, dhe më të afërt me Moskën. Sa të kalojë ‘dallga’ e parë politike, dhe të rizgjidhet sërish për një mandat tjetër qeverisës. Ata që morën pjesë në miting, për të janë dhe ‘palca’ e krijimit të lëvizjes së re politike.
Por dhe Albin Kurti është në hall. Në Kosovë po vërtitet kërkesa për zgjedhje të parakohëshme. Korrupsioni dhe nepotizmi po i zënë frymën qeverisjes së Vetëvendosjes, dhe mbi të gjitha Kurti nuk di kë të zgjedhë mes qëndrimit që ka mbajtur në opozitë kundër asociacionit të komunave serbe në Kosovë teksa ka qënë kategorikisht kundër dhe detyrimit të paktit të panënshkruar të arritur në Ohër, me ndërmjetësimin ndërkombëtar, pa të cilin nuk rinisin negociatat me Serbinë. Ndaj për të mbajtur nën kontroll votuesit, në nivelin e mbështetjes për vijimin e qeverisjes prej tij, Kurtit i volit politikisht tensioni në veri të Kosovës.
Por dialogu mes Kosovës dhe Serbisë po kërkohet me insistim nga partnerët ndërkombëtarë, njëra nga pengesat kryesore është çështja e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilën asnjëra palë nuk po e gjejnë ‘mesin e artë’. Aq më pak Albini. Teksa takimet e shpeshta me ndërkombëtarët por dhe të tjera ngecin gjithmonë Asociacioni, presioni mbi palën kosovare nga ndërkombëtarët është më i dukshëm, ndryshe nga presioni ndaj palës serbe. Çka e vë Kosovën në pozita aspak të dëshirueshme.
Partnerët tanë këmbëngulin që nga të dy palët presin që sa më shpejtë të zbatohet marrëveshja Kosovë-Serbi pa kushte, me qëllim të normalizimit të raporteve mes dy vendeve. Ndërkohë që përgjigja nga qeveria e Kosovës, akoma nuk është dhënë lidhur me çështjen e Asociacionit.
Albin Kurti dhe qeveria e tij ka zgjedhur rrugën e ‘heshtjes’ dhe pse zyrtarët amerikanë janë duke kërkuar versionin e palës kosovare përsa i përket themelimit të Asociacionit. Dhe nëse nuk do të ketë ndonjë propozim rreth themelimit të Asociacionit nga përfaqësuesit kosovarë, Kosova do të vazhdojë të barazohet me shtetin serb si ‘jo-konstruktive’ e kundër dialogut. Por Albinit i duhet kohë, ndaj zvarrit gjithçka dhe kap çdo rast për të shtyrë atë të ‘bekuar’ firmë.
Duke qënë se janë të dy në të njejtin hall, duket se ‘kompromisi’ i nëndheshëm mes Vuçiq dhe Kurtit ka qënë i qartë: “Hajt të bëjmë sikur zihemi, sikur bëjmë sherr duke tensionuar situatën në Veri të Kosovës që ta shtyjmë më tej zbatimin e marrëveshjes së Ohrit”. Të cilën për hir të së vërtetës asnjëri nuk e ka për zemër. Derisa të kalojnë ‘lumin’, Vuçiq të zgjidhë hallin e tij politik brenda Serbisë, duke themeluar dhe konsoliduar partinë e re, fituar zgjedhjet e një mandat tjetër qeverisës. Dhe të njejtën gjë do dhe Kurti, për të fituar zgjedhjet, që s’janë larg, në Kosovë dhe për pasojë dhe një mandat tjetër qeverisës.
Nuk është rastësi që ‘maskat’ serbe në veri të Kosovës që janë rreth godinave të komunave serbe me kryetarë shqiptarë, janë përgatitur dhe nisur që nga Serbia për të krijuar tensione. Ndërkohë që Kurti ia ka kthyer “nderin” Vuçiqit, pasi në tubimin e presidentit serb në Beograd kishte shumë shqiptarë pjesëmarrës. Madje dhe të Vetëvendosjes.
Por e keqja e kësaj pune është tek ‘kalibri’ politik i liderit serb dhe atij të Kosovës. Janë ‘kalibra’ të ndryshëm. Vuçiq është ‘skile’ e vjetër politike, e shtuar kjo dhe me traditën e ‘viktimës’ që e luajnë bukur po serbët, arriti që të realizonte qëllimin e tij politik, të dalë pa u lagur nga tërë kjo përplasje. S’mori asnjë kritikë nga SHBA, BE, Britania, Gjermania apo NATO. Kritikat i mbetën Kurtit, një politikan i papërvojë, delirant dhe axhami politik. Dhe qasja negative perëndimore ndaj Kurtit nuk është për individin Albin, por për qeverinë dhe shtetin e Kosovës. Nga krijuesit e këtij shteti. Kjo ndodh për herë të parë që nga 1999-ta kur shteti më i ri shqiptar në Europë quhet dhunues, që ka tejkaluar limitet.
Pra Vuçiq e Kurti e luajtën për ‘remi’ lojën politike për tensionimin e situatës në Veri të Kosovës për hallin e tyre politik, në krye të herës për të shmangur dialogun e për të qëndruar në deklaratat nacionaliste për një grusht vota më tepër, por diferencat në këtë ‘lojë’ mistrecësh ballkanikë të kuptuar dhe nga ndërkombëtarët, rrodhën në atë mënyrë, sa tashmë janë një dëm i vërtetë vetëm për shqiptarët e Kosovës. Ndaj dhe mund të thuhet se dhe këtë radhë Vuçiq ia ‘hodhi’ Kurtit, e futi në ‘grackë’, duke e lënë të vetëm përballë partnerëve ndërkombëtarë, për një lojë politike që kishin rënë dakord dhe e luajtën bashkë. “Tango’ luhet nga dy vetë. Njëri është më mirë gjithnjë. Edhe këtë radhë ishte presidenti serb. Madje i dha dhe një ‘as’ në dorë Rusisë për të marrë ‘frymë’, duke kapur në ‘ajër’ rastin, për të deklaruar përmes Lavrov se situata në Kosovë mund të provokojë një konflikt të ri në Evropë.
Ndaj është koha që Kurti të rikthehet sërish në pikën e nisjes. Të dëgjojë partnerët e vërtetë të shqiptarëve dhe t’i lërë mistrecllëqet e lojrat me ‘porta të vogla’ për 3 fshatra që kanë dominancë serbe. Të gjejë një zgjidhje të ‘artë’ për të dalë nga ky ngërç dhe ta kthejë situatën në favor të Kosovës. Të heqë dorë nga teoria e tij e shumëhershme, që përkon me dëshirën e pakufi që ka: Që partnerët ndërkombëtarë t’i luten për të bërë lëshime. S’është në ato pozita.
Për Kosovën ‘era’ do të fryjë gjithnjë nga Perëndimi, i cili sado të duan ‘patriotët’ këtej dhe andej kufirit, nuk qëndron neutral, sikurse nuk qëndroi as më 1999 që e përmbyti Beogradin me bombardine dhe shpëtoi shqiptarët nga genocidi. Madje i bëri shqiptarët e Kosovës dhe me shtetin e tyre, kundër të cilit sidomos kjo qeveria e fundit po punon me mish e shpirt. Kurti të ftillohet, ndryshe Kosova do të ketë kosto, madje të rëndë fare. Ky shtet as filloi dhe as mbaron me Albin Kurtin, është i shqiptarëve të Kosovës që derdhën gjak për ta çliruar.