Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se nuk pret nga Bashkimi Evropian kurrfarë trysnie mbi Prishtinën, për të respektuar marrëveshjen e Brukselit, për ngritjen e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe.
“Sikundër e keni parë, askush në BE nuk merakoset dhe nëse e pyesni dikë, përgjigja e secilit në BE është e njëjtë – “do të bëhet, ata tani janë në krizë”. Dhe ju mund vetëm të thoni – “në rregull, do të bëhet””, u ka thënë gazetarëve Vuçiç.
Sipas tij, askush në BE nuk ka përgjigje në pyetjen “pse lejohet që Prishtina të mos i përmbushë parakushtet e marrëveshjes së Brukselit”. Marrëveshja për Asociaconin, është dërguar nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për interpretim.
Ky veprim i presidentes ka pasuar kundërshtimin e ashpër të forcave politike në opozitë të Kosovës, të cilat marrëveshjen e cilësojnë si të dëmshme për integritetin territorial të Kosovës.