Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Lezhë. Nga të shtëna me armë zjarri ka mbetur i vrarë Gjin Marku.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në zonën e Mërqisë në Lezhë. Sipas policisë së Lezhës Marku është vrarë nga T.Gj nga fshati Kashnjet, i cili ishte mik i familjes së viktimës.
Shkak për këtë vrasje është bërë një konflikt për motive pronësie mes viktimës, Gjin Marku dhe autorit T.Gj. Nga pamjet e siguruara nga Shqiptarja.com, shihet edhe vendi i ngjarjes ku u vra Gjin Marku. Aty ndodhet edhe një makinë tip ‘kamionçinë’ e ngarkuar me balla të vogla bari.
Uniformat blu shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes. Ndërsa pas identifikimit të autorit të vrasjes efektivët e policisë janë vënë në ndjekje të tij dhe po punojnë që ta vënë në pranga.
Ndërkohë po punohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe rrethanat që çuan në këtë krim të rëndë që tronditi qytetin e Lezhës mëngjesin e sotëm.