Studenti i Juridikut Marvi Mihali humbi jetën, pasi u qëllua me thikë në zemër pak para mesnatës së 1 gushtit 2017 në një rrugicë pranë stadiumit “Selman Stërmasi” në kryeqytet
Bazuar në dëshmitë dhe provat e sekuestruara është mësuar se viktima e krimit, shtetasi Marvi Mihali, është qëlluar egërsisht tetë herë me thikë duke i marrë jetën.
Thika që është përdorur në vrasje, është hedhur prej autorëve në lumin e Lanës pak minuta pas krimit, duke humbur gjurmët, por Prokuroria ka gjetur disa prova të tjera në lidhje me akuzën për këtë rast.
Sipas organit te akuzes, eshte shtetasi Eugen Bitraj, 24 vjeç, banues në Tiranë, i akuzuar si autori i vrasjes së Marvi Mihalit, më konkretisht si personi që ka qëlluar me thikë viktimën.
Masa e sigurisë është kërkuar nga Prokuroria edhe për shtetasit e akuzuar si bashkëpunëtorë në krim, Dejvi Bitraj, 19 vjeç, banues në Tiranë, i cili ka pasur konfliktin direkt me viktimën Marvi Mihali, si dhe Kridens Alla, 19 vjeç, dhe Marsel Alla, 23 vjeç, banues Tiranë, të cilët shkuan në vendin e ngjarjes në ndihmë të Eugen e Dejvi Bitrajt.
Caktimi i masës së sigurimit për katër shtetasit mësohet se është bërë për kryerjen e veprave penale të “vrasjes me dashje e kryer në bashkëpunim” parashikuar nga nenet 76 dhe 25 e Kodit Penal dhe “pengimi në zbulimin e të vërtetës”.
Në dëshminë e tyre para policisë, të arrestuarit kanë pretenduar se nuk kanë pasur për qëllim vrasjen e 22- vjeçarit, por kanë pretenduar se ai i ka fyer. Marvi Mihali ishte takuar fillimisht me Dejvi Bitrajn, me të cilin ka pasur debate për një telefon “Samsung”, të cilin e kishte blerë, por që nuk punonte.
Dejvi Bitraj nuk ka pranuar të kthente paratë dhe pasi ka nisur sherrin me Marvi Mihalin, ka njoftuar kushëririn e tij, Eugen Bitraj, i cili ka shkuar në vendin e krimit bashkë me dy të arrestuarit e tjerë.
Aty më pas ka ndodhur një përleshje e dhunshme ku Marvi Mihali është gjendur i vetëm përballë katër personave që e kanë qëlluar tetë herë në pjesë të ndryshme të trupit. Vdekjeprurëse për të kanë qenë goditjet me thikë në gjoks, ndërkohë që Prokuroria ka siguruar pamje filmike të kësaj skene të dhunshme.
Po kështu, në telefonat e autorëve të krimit dhe të viktimës janë gjetur mesazhe që tregojnë se ata konfliktoheshin që prej një jave para se të ndodhte vrasja.
Shkak ka qenë fakti se telefoni i shitur nuk merrte karikim, ndërsa Marvi Mihali kërkonte dorëzimin e tij dhe kthimin e shumës së parave që ishin paguar për blerjen e tij.
Viktima Marvi Mihali ishte djali i vetëm i Pavllo Mihalit, atletit të njohur shqiptar, i cili prej vitit 1983 mban rekordin në kërcimin me shkop (5.21 metra)./Panorama
a.ç