Gjykata e Elbasanit ka lënë në arrest me burg Arlind Llallën, që vetëm pak ditë më parë vrau me biçak bashkëfshatarin e tij, 29-vjeçarin Ardjan Mesiti, pas sherrit për një femër në lokalin e fshatit në Gramsh.
“Panorama” duke zbardhur dëshminë, shkruan se 25 vjeçari Arlind Llalla në kafazin e hekurave të gjykatës ka shpjeguar para trupit gjykues ndër të tjera se “se u detyrova ta përdor biçakun në kushtet e vetëmbrojtjes, pasi viktima më kishte vënë poshtë vetes dhe më qëllonte me grushta dhe shkelma. Pas kësaj, e lashë atë të shtrirë në rrugë dhe u largova për në shtëpinë time, me mendimin se vetëm e kam plagosur”.
Ai ka treguar se sherri në lokal ka nisur pasi Mesiti e ka akuzuar atë se ka ngacmuar motrën e tij, por Llalla e ka mohuar se e ka ngacmuar motrën e viktimës.
Prokurori i çështjes Xhelian Seferi ka deklaruar se autori që pas arrestimit të tij e ka pranuar vrasjen, ndaj dhe për këtë arsyer kërkoi masën e sigurisë arrest me burg ndaj tij.
Edhe pse avokati mbrojtës ka kërkuar masë më të lehtë sigurie ndaj klientit të tij duke deklaruar se “ krimin e ka kryer për vetëmbrojtje dhe asnjëherë nuk ka dashur ti shkaktojë vdekjen, trupi gjykues i kryesuar nga Idush Maliqi, e ka cilësuar të drejtë kërkesën e prokurorit dhe ka dhënë masën e sigurisë së arrestit me burg për shtetasin Arlind Llalla./a.m.