Autori i dyshuar i vrasjes në Kavajë, Habib Rexha është në arrati dhe ende nuk ka asnjë gjurmë prej tij. Policia ofron 10 mijë euro shpërblim për për çdo qytetar që jep informacione që do të bëjnë të mundur kapjen e tij.
Autori Habib Rexha pasditen e djeshme vrau me një plumb në kokë 48-vjeçarin Arian Gosa, i cili ishte duke pirë kafe me babanë e tij në një lokal në Kavajë. Ai ka vepruar i vetëm dhe pas vrasjes ka arritur që të largohet në këmbë, ndërsa policia ka publikuar edhe foton e tij dhe kërkon nga qytetarët informacione që mund të çojnë në gjurmët e tij.
Shkak i vrasjes është hakmarrja, pasi Habib Rexha është vëllai i Altin Rexhës, i cili mbeti i vrarë në vrasjen e dyfishtë në muajin mars të këtij viti në Kavajë, ku viktimë mbeti edhe Edmond Gosa. Duket se Habib Rexha mori hakun e të vëllait, për një vrasje të dyfishtë në muajin mars që nisi për një konflikt banal.
Autori veproi i vetëm, e duket se është përpjekur që shenjën e hakmarrjes t’ia kthejë në të njëjtën mënyrë fisit Gosa. Ashtu sikurse Arjani u ekzekutua në sy të të atit, edhe Altin Rexha kishte pasur të birin përdore kur Edmond Gosa, e qëlloi me armë dhe e la të vdekur. I tronditur, babai i mbetur tashmë pa asnjërin nga dy djemtë, Osman Gosa nuk ka dhënë asnjë dëshmi para grupit hetimor, e ndërsa në pamje duket i përhumbur teksa grupi i ekspertëve këqyrin vendin e ngjarjes.
Si ndodhi vrasja e Edmond Gosës dhe Altin Rexhës më 29 mars?
Një konflikt banal më 29 mars të këtij viti çoi në vrasjen e Edmond Gosës, alias Armand Gosa, dhe Altin Rexhës, alias Sali Rexha, në Kavajë. Ata kanë pasur një konflikt disa ditë më parë dhe më 29 mars ata u takuan rastësisht në një lokal, ku teksa u përpoqën të sqaronin sherrin, situata degradoi deri në vrasje.
Pyetja ‘Pse më sheh ashtu’ nga Edmon Gosa ka irrituar Altin Rexhës, i cili ka marrë thikën dhe ka plagosur Edmond Grosën. Më pas ky i fundit i është kundërpërgjigjur me armë, duke e lënë të vdekur Altin Rexhën, por edhe vetë Edmond Gosa humbi jetën nga plagët që mori nga plagosja me thikë. Fisi Gosa mbahen edhe si “të fortët” në Kavajë. Në momentin që Gosa ka qëlluar me armë, në vend ngjarje ka qenë edhe fëmija i Altin Rexhës, i cili ishte futur në një dyqan.
E shkuara kriminale e Armand dhe Arian Gosës
Armand Gosa nuk ishte figurë e panjohur për drejtësinë pasi ishte përfshirë edhe më parë në një ngjarje kriminale. 10 vite më parë po në qytetin e Kavajës, së bashku më vëllain e tij Arjanin, i cili mbeti i vrarë sot, masakruan me thika një person në vitin 2012. Viktima Gentjan Gjuzi humbi jetën pak muaj më vonë në spitalin e neurokirurgjisë. Sherri në atë kohë lindi për një vajzë. dhe solli për pasojë humbjen e jetës së babait të dy fëmijëve, 41-vjeçarit Mentor alias Gentjan Gjuzi.
/s.f











