• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, February 6, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Vrasja e të vërtetës është krim

by Rexhep Qosja
01/11/2022 18:32
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Rexhep Qosja*

Dhjetëvjetori i gazetës së përditshme “Dita” është një përvjetor i rëndësishëm i gazetarisë dhe në përgjithësi i mediave në gjuhën shqipe në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo jetojnë shqiptarët sot në këtë botë të madhe e shumë të përbërë.

Të gjithë atyre vetjeve që e përgatisin këtë gazetë, që e bëjnë të mundshme daljen e saj në dritë ashtu siç e shohim se po del – investuesit Alban Dabulla, drejtuesit Adrian Thano,  kolegjiumit me Bedri Islami, Fatos Tarifa, Shaban Murati, Viktor Malaj e Janush Bugajski, gazetarëve të përhershëm dhe gazetarëve të kohëpaskohshëm të saj, studiuesve shkencorë, publicistëve e intelektualëve të tjerë krijues shqiptarë Alfred Moisiu, Emil Lafe, Ksenofon Krisafi, Gjovalin Shkurtaj, Marenglen Kasmi, Miranda Vickers, Paskal Milo, Pëllumb Xhufi, Peter Lucas, Shaqir Vukaj, Shefkije Islamaj, Xhelal Gjeçovi, Xhevat Lloshi, Xhejms Petifer, etj shkrimet, intervistat, deklaratat e të cilëve i lexojmë në “Dita”, ua uroj këtë përvjetor shumë të rëndësishëm.

Me nderim kujtohen autorët e Ditës, që kanë shkuar, Andrea Stefani, Arben Duka, Moikomi ynë i veçantë, Nasho Jorgaqi e Ymer Minxhozi.

Ata e kanë pasuruar Ditën e përmes saj krejt gazetarinë shqiptare me ide, me mendime, me tema e çështje për të cilat kanë shkruar a folur në faqet e saj. Ata e kanë rritur kulturën e komunikimeve kombëtare shqiptare dhe e kanë bërë Ditën gazetë moderne.

Ua uroj dhjetë vjetorin me dëshirën që “Dita” të ketë jetë sa më të gjatë e më të pasur dhe lexuesve të saj kudo qofshin ata t’u dhurojë edhe dhjetëvjetorë të tjerë.

“Dita” bën pjesë ndër gazetat që priten me interesim prej shumë lexuesve, në radhë të parë për arsye, se, kureshtjes së tyre politike, shoqërore, kulturore, kombëtare, iu përgjigjet me çështjet e temat që trajtohen.

Por, lexohet Dita edhe për veçanësinë e saj të pamjes. Faqen e saj të parë “Dita” e ka shumë tërheqëse – tërheqëse me pamjen origjinale dhe tërheqëse me rëndësinë e përmbajtjes së shkrimit që veçohet, që paraqitet, paralajmërohet a shquhet në atë faqe.

Me paraqitjen e çështjes kryesore politike, shoqërore, kulturore, kombëtare, e përtashme a historike që trajton gazeta, në anën e djathtë të së cilës paraqitet ilustrimi a fotografia e çështjes apo fotografia ose karikatura e protagonistit të asaj çështjeje – “Dita” i bën për vete, duke i bërë lexues shikuesit e saj.

Mua si lexues dhe bashkëpunëtor i “Ditës” sa veçanësia e pamjes artistike të saj, më intereson pamja e jetës shqiptare që paraqitet në përmbajtjet e sipërthëna. E quaj Ditën gazetën që dëshiroj ta shikoj dhe ta lexoj në radhë të parë. Dhe, dëshiroj ta shikoj e ta lexoj sepse në të trajtohen tema, ngjarje, dukuri, probleme, të mira e të këqija, personazhe a protagonistë që e vlen të trajtohen.

“Dita” është gazetë me shikime të gjera e të thella përkushtuar trajtimit të së përtashmes, të së shkuarës dhe të së ardhmes së shoqërisë shqiptare. Ajo me shkrimet e saj ndëshkon të këqijat politike, shoqërore, kulturore, morale e pavarësisht a quhen korrupsion, nepotizëm, padrejtësi, vjedhje, plaçkitje, gënjeshtër, mashtrim, poshtërsi apo ndryshe, më sofistikueshëm, më durueshëm, më mashtrueshëm; të gjitha i ndëshkon me shkrimet e autorëve të saj të përhershëm apo të bashkëpunëtorëve të kohëpaskohshëm, të vetëdijshëm se ato të këqija janë pengesë e madhe për zhvillimin e shoqërisë shqiptare, të demokracisë së saj, të kulturës dhe të qytetërimit shqiptar.

Nuk mund të mos e them se shkrimet që ia kam çuar “Ditës”, të shpeshtën e herëve me kërkesën e publicistit të saj zëqartë Xhevdet Shehut, pavarësisht sa të matura e sa të ashpra kanë qenë, kurrë nuk më janë censuruar. Besoj as të tjerëve.

Për “Ditën” mund të thuhen edhe shumë fjalë të tjera të mira, dhe prej kundërshtarëve edhe ndonjë vërejtje, që humb, s’duket mes të mirave.

“Dita” i është përkushtuar mbrojtjes së të Vërtetës dhe së të Drejtës në shoqërinë shqiptare: në të përtashmen, në të kaluarën dhe në të ardhmen e saj. Në vazhdimësi me përkushtim, me parimësi, me vendosmëri, me atdhetarizëm ka mbrojtur dhe mbron interesat e popullit shqiptar.

Dhe, duke iu përkushtuar mbrojtjes së këtyre vlerave madhore në sajë të vetëdijes së atyre që e bëjnë “Ditën” të dalë në dritë, – ajo, “Dita”, na tregon se, – si e kanë thënë gjenitë e lashtësisë kulturore evropiane: krim nuk është vetëm vrasja e njeriut, po krim është edhe vrasja e së Vërtetës dhe e së Drejtës, që aq shpesh po vriten në shoqërinë tonë të sotme e, sidomos, në politikën, në ekonominë, në arsimin e lartë, në partitë, në institucionet e ndryshme politike.

Po vriten të Vërtetat dhe të Drejtat sidomos qe një kohë prej atyre që, ditë e natë, shihen në televizione, dëgjohen në radio e televizione, lexohen në gazeta duke e shpallur Shqipërinë të rrezikuar dhe duke e krijuar Komitetin e Shpëtimit Kombëtar për ta shpëtuar Shqipërinë prej atij rreziku, që i vjen prej kujt? Prej kujt? Ata, prijësit e Komitetit të Shpëtimit Kombëtar, ata s’mund ta thonë të vërtetën se prej kujt i vjen Shqipërisë ai rrezik!

E ai rrezik Shqipërisë sot i vjen pikërisht prej atyre “shpëtimtarëve”, atyre dy prijësve, komandantëve të “Komitetit të Shpëtimit Kombëtar”: të cilët po e çajnë e përçajnë, po e turbullojnë fort turbullueshëm Shqipërinë, po e rrezikojnë Shqipërinë me gjuhën e tyre plot fyerje, përulje, përçmime, mashtrime, denoncime, gënjeshtra, urrejtje, urrejtje ndaj qeverisë shqiptare, ndaj shtetit shqiptar, rrjedhimisht edhe ndaj shqiptarëve.

Dhe, duke e përulur e përtokur ashtu me aso gjuhe politike dinjitetin e kulturës politike e të qytetërimit shqiptar para shqiptarëve e sidomos para ndërkombëtarëve.

Uroj që të vijnë ditë më të mira për shqiptarët e shtetet shqiptare, ditë kur gazeta “Dita” e gazetat e tjera normale nuk do të kenë nevojë t’iu dalin në krahë kaq fuqishëm të Vërtetës, e të Drejtës, ditë kur e Vërteta e jo gënjeshtra dhe e Drejta e jo padrejtësia do të bëhen jeta e shqiptarëve kudo janë.

——

Shënim i Kryeredaktorit:

Në 1 nëntor 2012 doli në qarkullim numri i parë i gazetës Dita. Pak vetë e dinë që ishte një projekt afatshkurtër. Por tre muaj pas botimit ishte gazeta më e lexuar në vend. Ndaj mbeti. 

Këtë 1 nëntor Dita mbush dekadën. Është një gazetë atipike, e padëshiruar nga sistemi. Shkaqet pse është e tillë janë disa, nuk është sot koha për t’u thelluar këtu. 

Dita është gazetë e njerëzve të mirë. Liria është arsyeja pse sot ajo vuan vështirësi të shumta. Si shërbyese, do kishte patur një fat tjetër, të begatë.

Ka një grup shqiptarësh, dhe jo i vogël, të cilët kanë hyrë në pazar me të keqen. Ata mendojnë që duke siguruar një llokmë për vete do kenë imunitet nga e keqja që ka zaptuar Shqipërinë. Por, pazari nuk e zhduk të vërtetën e gjendjes së Shqipërisë.

Shumica e popullit sot beson se të jesh i ndershëm në Shqipëri është diçka e kotë. A nuk ju duket kjo, e rëndë?

Dita mëton, si ata që e lexojnë, një Shqipëri tjetër. Shpresa për një Shqipëri të re duhet të nisë duke i bërë varrin të kalburës, të sëmurës.

Faleminderit profesor Qoses për letrën që na ka dërguar dhe ditë të mbarë, të keni të gjithë, këtë 1 nëntor.

*Shkrimi, me rastin e 10 vjetorit të gazetës “DITA”

Next Post
Rrëfehet shqiptari që përdhunoi greken dhe u arratis në Vlorë:  Droga e alkooli më shkatërruan jetën. Kur ndodhi sulmi isha…!

Rrëfehet shqiptari që përdhunoi greken dhe u arratis në Vlorë: Droga e alkooli më shkatërruan jetën. Kur ndodhi sulmi isha…!

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

E kthyen banesën në laborator droge, dy të afërmit kapen me mbi 2 mijë tableta ekstazi

E kthyen banesën në laborator droge, dy të afërmit kapen me mbi 2 mijë tableta ekstazi

February 6, 2026
Greqia në alarm, oficeri i lartë i shiste Kinës sekretet e NATO-s

Greqia në alarm, oficeri i lartë i shiste Kinës sekretet e NATO-s

February 6, 2026
Takimi historik me Papën, Rama ndan çaste të veçanta nga vizita e tij në Vatikan

Takimi historik me Papën, Rama ndan çaste të veçanta nga vizita e tij në Vatikan

February 6, 2026
I ftohtë ekstrem “mbërthen” Gjermaninë/ Aeroporti i Berlinit mbyllet për shkak të akullit të zi

I ftohtë ekstrem “mbërthen” Gjermaninë/ Aeroporti i Berlinit mbyllet për shkak të akullit të zi

February 6, 2026
“Nuk lëkundemi”, reagon komuniteti i prokurorëve pas kërcënimeve me jetë për kolegët

Truprojat dhe pagat, pse drejtësia po cënon imazhin e Shqipërisë në BE

February 6, 2026
Debati / Muçollari: Së bashku i bëjmë presion Ramës; Qori: Kjo është “hiq priftin të vëmë hoxhën”…

Debati / Muçollari: Së bashku i bëjmë presion Ramës; Qori: Kjo është “hiq priftin të vëmë hoxhën”…

February 6, 2026
Tragjedia e familjes shqiptare në Itali, ambulanca u vonua për shkak të adresës së gabuar

Tragjedia e familjes shqiptare në Itali, ambulanca u vonua për shkak të adresës së gabuar

February 6, 2026
“Berisha për herë të tretë, ky është ndryshimi?”, Shehi: Protestat, taktikë për kongresin e pranverës

“Berisha për herë të tretë, ky është ndryshimi?”, Shehi: Protestat, taktikë për kongresin e pranverës

February 6, 2026
Orë vendimtare për Teheranin, SHBA dhe Irani nisin bisedimet mes kërcënimeve për luftë

Orë vendimtare për Teheranin, SHBA dhe Irani nisin bisedimet mes kërcënimeve për luftë

February 6, 2026
Një shembull nga Polonia se si po ndryshon bota…

Një shembull nga Polonia se si po ndryshon bota…

February 6, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In