Vihet në pranga bashkëpunëtori i autorit të dyshuar për krimin e dyfishtë të ndodhur më 27 prill në Lalm Lukaj të Lezhës, ku u ekzekutuan me armë zjarri rapsodi Kol Murrani dhe miku i tij Preng Simoni.
Nga ana e policisë së Lezhës, pasditen e djeshme është vënë në pranga një 35-vjeçar, i dënuar më parë për plagosje me armë.
Në vijim të hetimeve në bashkëpunim edhe me Institutin e Policisë Shkencore, policia ka bërë të mundur sigurimin e provave shkencore për bashkëpunëtorin e autorit të dyshuar të ngjarjes.
Bazuar në këto prova shkencore është bërë kapja dhe ndalimi i Agron Lushit, 35 vjeç, banues në Lalm Lukaj, Lezhë, me precedent kriminal, i dënuar më parë për plagosje me armë.
Ndaj të ndaluarit materialet iu referuan Prokurorisë së Lezhës për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Lushi akuzohet se ka ndihmuar autorin e dyshuar Aleksandër Përdodaj, i arrestuar pak pas ngjarjes.
g.kosovari