Gjykata e Lezhës ka vendosur arrest në burg për Edmond Përdodën, një nga të dyshuarit e vrasjes së rapsodit Kol Marrani dhe mikut të tij Preng Simoni, i cili u arrestua 3 ditë më parë.
Përpara trupës gjykuese, Përdoda pranoi krimin e rëndë të vrasjes së dyfishtë.
Raportohet se policia ka gjetur edhe armët, dy kallashnikovë, që dyshohet se u përdorën për vrasje. Armët u gjetën të groposura në Lalm Lukaj dhe u zbuluan pas një përgjimi ambiental mes Edmond Përdodës dhe një familjari të tij.
Më herët për vrasjen e dyfishtë është arrestuar edhe vëllai i Edmondit, Aleksandër Përdoda, si dhe një person i tretë i quajtur Agron Lushi.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, konflikti dyshohet se kishte nisur për një sipërfaqe toke. Dy viktimat kishin shkuar për të parë tokat e tyre por aty konstatuan se ishin kultivuar bimë narkotike kanabis.
Nga ky moment mendohet se u ishte bërë pritë nga vëllezërit Përdoda dhe i ekzekutuan me kallashnikov pasi kishin zbuluar parcelat me kanabis.
/a.r