Vrasja nga ish-bashkëshorti e Fildeze Hafizit, nënë e dy fëmijëve dhe gjyqtare në Shkodër u pasua me reagime të ashpra dhe zemërim, por përgjatë dy viteve të fundit, institucionet dështuan në vazhdimësi t’i ofronin asaj mbrojtje.
Vrasja e paralajmëruar e Fildeze Hafizit-nënë e dy fëmijëve dhe gjyqtare e Gjykatës së Shkodrës ka shkaktuar zemërim në Tiranë dhe ka rikthyer në vëmendje dështimin e vazhdueshëm të institucioneve shqiptare për t’u ofruar mbrojtje viktimave të dhunës në familje.
Hafizi, 39 vjeç, u ekzekutua me dy plumba të enjten në Tiranë, ndërsa policia arrestoi si autorin e dyshuar të krimit, ish-bashkëshortin e gjyqtares, Fadil Kasemi, 53 vjeç.
Të dhënat e ofruara nga dokumentet gjyqësore tregojnë se 39-vjeçarja Hafizi ndodhej prej më shumë se dy vitesh nën kërcënimin e vazhdueshëm të ish-bashkëshortit të saj, Fadil Kasemi dhe ndonëse e kishte denoncuar në gjykatë dhe prokurori, nuk ia doli të parandalonte fundin e saj tragjik.
Sipas vendimit të Gjykatës së Kavajës së datës 28 prill 2016, Fadil Kasemi u arrestua për herë të parë më 19 korrik të vitit 2015-vetëm pak muaj pas divorcit, pasi e përndoqi ish-bashkëshorten deri në plazhin e Golemit me një pistoletë në çantë dhe e dhunoi atë në sy të të birit.
“Fildesi i është lutur që të mos i linte fëmijët jetimë si dhe ka tentuar t’i marrë çantën. Fadili ka reaguar duke e goditur në fytyrë me grusht dhe e ka rrëzuar në rërë,” thuhet në vendimin e gjykatë.
Gjykata konstaton se çifti kishte pasur probleme dhe mosmarrëveshje kohët e fundit, të cilat e kishin shtyrë Hafizin të kërkonte urdhër mbrojtjeje në gjykatë dhe të kallëzonte ish-bashkëshortin në Prokurorinë e Tiranës për dhunë në familje dhe “kërcënim me pistoletë”.
Sipas vendimit, gjykata e kishte pushuar kërkesën për urdhër mbrojtjeje për shkak të mosparaqitjes së Hafizit e po ashtu, edhe prokuroria kishte vendosur mosfillimin e procedimit penal më 13.04.2015.
Pavarësisht konstatimit të dhunës së përsëritur, trupa gjyqësore e drejtuar nga gjyqtari Luan Lusha vendosi më 28 prill 2016 dënimin me 3 vjet burg për Fadil Kasemin-i cili përfitoi më parë edhe nga gjykimi i shkurtuar.
Megjithatë, Kasemi u lirua vetëm 1 vit e gjysmë pas arrestimit për shkak të ligjit “Për dhënie amnistie”. Urdhri i lirimit të parakohshëm të Fadil Kasemit, tregon se ai u lirua nga burgu i Rrogozhinës më 14 janar 2017, ndërsa iu falën 11 muaj e 8 ditë burg.
Publikimi i këtij fakti dhe i të dhënave të tjera që tregojnë se gjyqtarja Hafizi u braktis në fatin e saj shkaktuan reagime të forta në Tiranë./birn
URDHRI I LIRIMIT
Me vendimin Nr. 76 dt. 28.4.2016 të Gjykatës së Rrethit Kavajë shtetasi Fadil Kasemi deklaruar fajtor dhe dënuar me vendim të formës së prerë me 3 (tre) vite burgim, për kryerjen e veprës penale të “Prodhim dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, “Dhunë në familje”, parashikuar nga nenet 278/2, 130/a/4 të Kodit Penal, vendim i cili ka marrë formë të prerë më datë 14.09.2016. Për këtë vendim ka lëshuar Urdhër Ekzekutimi Prokuroria e Rrethit Kavajë më dt. 16.11.2016.
– I dënuari Fadil Kasemi është arrestuar më datë 19.07.2015 dhe ka përfituar 6 muaj e 23 ditë zbritje dënimi në bazë të nenit 57 të K.Penal dhe nuk ka përfituar ulje dënimi dhe deri më sot më datë 14.09.2016 nga dënimi i dhënë i mbeten për të vuajtur dhe 11 (njëmbëdhjetë) muaj e 8 ditë burgu.
– Në zbatim të Ligjit Nr. 141/2016 “Për dhënie Amnistie”, ky i dënuar përfiton ule të dënimit.
– I dënuari Fadil Kasemi lirohet sot më dt. 14.01.2017 me “Amnisti”.
a.ç