I mituri M.P i dyshuar si autor i vrasjes së Martin Canit ka dëshmuar për herë të parë në Gjykatën e Tiranës, ku po zhvillohet procesi ndaj tij. Dëshmia ishte kërkuar nga prokuroria dhe është bërë në prani të psikologut. Mësohet se në shumicën e përgjigjeve për pyetje që kishin të bënin me dinamikën e ngjarjes, i mituri është shprehur se nuk mbante mend.
Sa i takon mjetit prerës, ka deklaruar se nuk ka patur thikë me vete atë ditë, por se e ka gjetur mjet prerës në rrugë. Ai pranon se shkaqet e sherrit ishin vijim i debateve të 3 ditëve para ngjarjes ku ka pretenduar se është goditur me grushte nga Martin Cani. Ky i fundit i ka dërguar ftesë në “SnapChat” sipas te pandehurit, ku kanë vijuar debatet.
Autori i dyshuar pretendon se e kanë lënë të sqarohen të hënën, ditë kur edhe ka ndodhur ngjarja e rëndë. Seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura, ndërsa prokuroria dhe gjykata janë interesuar vazhdimisht, duke paralajmëruar palët që të ruajnë sekretin hetimor për shkak të moshës së mitur të autorit dhe viktimës.
Si ndodhi ngjarja?
Vrasja e Martin Canit ndodhi më 18 nëntor 2024 nga bashkëmoshatari 200 metra larg shkollës “Fan Noli” në Tiranë. Tre ditë më parë ata kishin pasur një konflikt brenda shkollës për motive banale, i cili në dukje u mbyll, por që i rindez sërish dhe përshkallëzoi me përdorimin e thikës. Dy të miturit u takuan paradite në tualetet e shkollës, debatuan sërish por u ndanë nga roja e sigurisë.
Pas mësimit, me shokët respektivë, u takuan jo shumë larg oborrit të shkollës, ku nisi një sherr që përfundoi me vrasjen e Martinit, plagosjen e shokut të tij dhe vetëplagosje të autorit me thikën e tij. Pas ngjarjes autori e hodhi çantën me thikën në një ndërtesë të vjetër, e cila u gjet disa ditë më vonë dhe ekspertiza nxori se me të njëjtën thikë ishte goditur viktima dhe i plagosuri.


Duhet hetuar gjithe zinxhiri edukativ jo vetem femijet.edhe ky mund te ishte i vdekur .ndjese familjes se viktimes por te dy familjet jane pergjegjese.