Gjykata për Krimet e Rënda në Tiranë ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar për 11 të akuzuarit për vrasjen e efektivit të RENEA, Ibrahim Basha në Lazarat.
Në seancën e sotme gjyqësore, gjykata pranoi që të rinjtë lazaratas të gjykohen në mënyrë të përshpejtuar, çka nënkupton uljen e 1/3 së dënimit.
Të pandehurit akuzohen si pjesëtarë të grupit që sulmoi policinë e shtetit më 24 qershor 2015.
Mbi 11 të rinjtë rëndojnë akuzat, vrasje e mbetur në tentative për shkak të cilësive të veçanta ndaj pesë efektivëve dhe prodhim e armëmbajtje pa leje.
Sipas prokurorisë, njeriu kryesor i grupit të zjarrit është 22-vjeçari Arbjon Aliko, ndërkohë që i vëllai, Alban Aliko, dy vëllezërit Elvis dhe Bajram Boçia dhe Elson Kazma, janë bashkëpunëtorët e tij në ngjarje.
Mbi pesë personat e sipërpërmendur, ka dyshime se janë vendosur tek grupi prej nga u qëllua për vdekje oficeri Ibrahim Basha.
Gjashtë të pandehurit e tjerë Xhulio Malo, Klodian Selimi, Oltrion Proko, Dervish Gaba, Ruhaj Hiraj dhe Iljaz Xhaferaj, do t’i nënshtrohen gjykimit për vepra pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal armëmbajtje dhe kundërshtim të policisë.
Sipas organit të akuzës, shkak i sulmit ishte synimi i të pandehurve për të ndaluar patrullimin e policisë në Lazarat dhe kthimin e fshatit në një zonë ku mbillej hashash. Prokuroria shpjegon se administron dy dëshmi të të akuzuarve, Xhuliano Malo dhe Klodian Selimi, të cilët kanë rrëfyer planin për të rrëzuar një mur ndarës gjatë natës dhe se si do të sulmohej policia në të zbardhur të 24 qershorit. Të akuzuarit kryesorë të ngjarjes në Lazarat, aktualisht ndodhen në paraburgim/a.k











