Në përkujtim të 25 vjetorit të rënies së Tribunit të Demokracisë, Azem Hajdari, Partia Demokratike e Shqipërisë organizon një ceremoni në “Varrezat e Dëshmorëve”.
Në këtë ceremoni marrin pjesë familjarët e Azem Hajdarit, miq e të afërm, mes tyre edhe Sali Berisha.
Homazhet po mbahen pranë Varrezave të Dëshmorëve, për t’u zhvendosur më pas tek Memoriali i Azem Hajdarit.
Ndërkohë Lulzim Basha ka reaguar në rrjetet sociale.
“25 vite më parë u vra pabesisht Azem Hajdari, lideri i Lëvizjes Studentore që me veprën e tij të pavdekshme u bë simboli i vullnetit të shqiptarëve në përballjen me regjimin komunist dhe ngadhnjimin e lirisë mbi diktaturën.
Kurajo, antikonformizimi dhe vendosmëria përkundër fuqive në dukje më të mëdha janë testamenti politik i jetës politike të shkurtër por të pashoq të Azem Hajdarit.
Angazhimi politik për Azem Hajdarin ishte një instrument për ti shërbyer njerëzve dhe jo vetes, për të përmirësuar dhe ndryshuar jetët e shqiptarëve të etur për ndryshim dhe jo për të ringritur sarajet e reja të luksit dhe pushtetit personal mbi muret e vjetra të arrogancës, korrupsionit dhe hipokrizisë së regjimit komunist.
Kontributi i tij në altarin e lirisë dhe demokracisë do të nderohet përherë, si dëshmia më domethënëse e forcës së një populli të shtypur dhe nëpërkëmbur për të sfiduar frikën dhe apatinë, për të triumfuar mbi të keqen dhe për të ndërtuar përmes lirisë një të ardhme të denjë për çdo shqiptar.
I paharruar kujtimi i tij!”– thotë Basha.
/a.r