Në parlament vazhdon seanca maratonë, ku po diskutohet për buxhetin e vitit 2025.Pas debateve tepër të gjatë gjatë ditës së djeshme dhe të sotme, ky buxhet pritet që të votohet.
Opozita është e pranishme në diskutimet për buxhetin, ndërsa ka lajmëruar se ditën e sotme do të zhvillojë protestë kundër miratimit të buxhetit.
Forca të shumta policore janë pozicionuar në selinë e Parlamentit, ku në orën 17:00 opozita ka thirrur një protestën.
Policë me skafandra dhe mburoja janë pozicionuar brenda rrethimit të Kuvendit, ndërsa pamjet e mëposhtme tregojnë përqëndrimin e lartë të uniformave blu. Gjithashtu në mjediset e Kuvendit është pozicionuar edhe një prej automjeteve që hedh ujë me presion, në kuadër të një plani masash që Policia përdor sa herë që ka protesta.
Në Kuvend ka mbërritur një zjarrfikëse, si masë për tubimin që pritet të zhvillohet.
Nuk dihet se sa kohë mund të zgjasë protesta, por do të ketë një ndërthurje mes fjalimeve të deputetëve në Kuvend dhe bashkimit të tyre me protestuesit.