Inspektoriati Shtetëror i Punës mori vendimin e pezullimit të punës, për dy subjekte Call Center (Make Right Choice) dhe (Energy Group), të cilët zhvillonin aktivitetin në të njëjtën adresë.
Pezullimi, si një masë e menjëhershme, thuhet në njoftimin për shtyp, erdhi pas një kontrolli të një grupi të posaçëm pune, për shkak të vonesës në dhënien e pagave për punonjësit.
Subjekti Make Right Choice, ka qenë objekt kontrolli nga ana e inspektorëve të punës dhe dy herë të tjera gjatë 6-mujorit të këtij viti. Inspektorët e punës, kanë konstatuar shkelje te ndryshme të legjislacionit të punës, kryesisht mosdhënien në kohë të pagës së punonjësve dhe për më tepër vonesat e theksuara të tyre. Inspektoret kanë lënë rekomandime dhe detyra konkrete per pagesën e punëmarrësve, sipas afatit dhe sipas ligjit, për punën e kryer.
Pavarësisht nga rekomandimet e lëna, situata nuk është përmirësuar aspak, përkundrazi subjekti ka vijuar të mbajë në punë punonjësit, pa ju dhënë pagesën që ju takonte.
Nisur nga këto kushte, por dhe nga një denoncim publik, nga ana e punonjësve, ku duket qartë edhe një sjellje jo korrekte e adminstratorëve të këtij subjekti, Inspektoriati i Punës vendosi masë urgjente të pezullimit te punës.
Ky pezullim do të vijojë deri ne momentin e shlyerjes së pagesave të prapambetura për punonjësit dhe përmirësimit të marrëdhënieve të punes në këtë subjekt. Ndërkohe procedura e inspektimit, vijon ne përputhje me Ligjin “Për inspektimin ne Republiken e Shqipërisë” deri në një vendim përfundimtar.
Kjo praktikë, do vijojë të ndiqet për çdo subjekt të këtij sektori, apo të çdo sektori tjetër që do abuzojë me punonjësit e tij. (java / r.a)