Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka reaguar ashpër pas një prej sulmeve më të mëdha me dronë dhe raketa që Rusia ka ndërmarrë mbi Ukrainë, duke goditur ndërtesa qeveritare dhe banesa civile në Kiev.
“Edhe një herë, Kremlini tallet me diplomacinë, shkel ligjin ndërkombëtar dhe vret pa dallim,” shkruan Von der Leyen në platformën sociale “X”.
Ajo shprehet se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të qëndrojë fuqishëm krah Ukrainës.
“Po shtojmë forcat e armatosura të Ukrainës, po ndërtojmë garanci të qëndrueshme sigurie dhe po shtrëngojmë sanksionet për të rritur presionin mbi Rusinë. Vrasjet duhet të marrin fund”, përfundon Von der Leyen.
Kujtojmë se Rusia ka kryer sulmin më të madh ajror në Kiev, duke shkaktuar viktima të pafajshme dhe dëme të rënda. Tre persona, mes tyre një foshnje dhe një grua e re, humbën jetën, ndërsa 18 të tjerë mbetën të plagosur nga sulmet me dronë dhe raketa që goditën gjatë natës.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, njoftoi se një godinë qeveritare në qendër të qytetit u përfshi nga flakët pas bombardimeve.











